LVV-ja s’mund t’i marrë 500 mijë vota, as 438,335 mijë më si në vitin 2021 dhe për këtë Albin Kurti duket i vetëdijshëm. Duke e parë se është e vështirë që ta rikuperojë mbështetjen e humbur në zgjedhjet e fundit dhe të qeverisë sërish i vetëm në të ardhmen, ai po kërkon me insistim të bashkëqeverisë me LDK-në, duke parashikuar se koalicionet do të jenë të nevojshme edhe “më vonë”, nëse do të ketë zgjedhje të reja.
Gazeta Express
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte shënuar rezultatin më të keq në historinë e saj në zgjedhjet e vitit 2021, pas një bashkëqeverisjeje të shkurtër me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila atëherë mori shumicën e votave për të qeverisur e vetme për katër vitet e ardhshme, përgjatë së cilave ka humbur një pjesë të konsiderueshme të asaj mbështetjeje.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti do të ketë lënë pak gjëra të këqija pa thënë për LDK-në prej atëherë e deri pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 9 shkurtit.
Pasi e mori rezultatin e zgjedhjeve të fundit si përgjigjen e qytetarëve ndaj kërkesës për 500 mijë vota që ua kishte bërë atyre, LVV-së iu deshën disa ditë për ta parë dhe pranuar pamundësinë e formimit të qeverisë së re pa gjetur një partner nga ana e përfaqësuesve të tjerë të shqiptarëve, të cilët Kurti i quajti “hajvanë” pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e fundit.
Rreth dy muaj nga kjo, më 6 prill, një letër u dërgua në adresë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Kurti e ftoi për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Duke parë se, siç tha, “fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë”, Abdixhiku vendosi t’u qëndrojë të tijave, duke e refuzuar takimin.
“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, shkroi ai më 8 prill, në një përgjigje publike ndaj kësaj ftese.
Abdixhiku nuk i shkoi Kurtit as në një takim në të cilin ai para një jave e ftoi edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit, i cili ka ngecur si pasojë e insitimit të LVV-së për ta propozuar e ripropozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, duke e parë në mënyrë të përsëritur dështimin e saj për t’i marrë 61 votat e nevojshme dhe ndërprerjen e seancës konstituive çdo të dytën ditë, që prej 15 prillit kur ajo ka nisur.
Abdixhikut, i cili ka refuzuar dy herë që të takohet me të, Kurti i shkroi sërish letër të hënën – këtë herë duke i kërkuar koalicion.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë?”, i shkroi Kurti. “LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK”.
Kurti duket i vetëdijshëm se është e vështirë që ta rikuperojë mbështetjen e humbur në zgjedhjet e fundit dhe të qeverisë sërish i vetëm në të ardhmen. Sipas disa sondazheve, LVV tashmë ka rënë edhe disa përqind nën 42,30% e votave sa mori më 9 shkurt.
“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, i shkroi Kurti Abdixhikut.
Kurti i tha Abdixhikut se “nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë”, të cilët “nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”.
“Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe t’i diskutojmë këto si politikanë të pjekur që kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo tjetër”, i tha Kurti Abdixhikut.
Kreu i LDK-së tha të hënën se do t’i përgjigjen zyrtarisht Kurtit, “siç i takon një partie”.
“Pritni. Keni durim. Do të jem transparent si çdoherë tjetër. Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini’, iu tha ai më vonë gazetarëve në afërsi të selisë së partisë.
Bisedime shumë intensive, por të pasuksesshme për bashkëqeverisje, lideri i LVV-së, Albin Kurti ka pasur më herët me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, i cili paraprakisht ishte deklaruar i hapur ndaj kësaj mundësie.