Kurti i dërgon telegram ngushëllimi familjes së Shpat Kasapit: Humbja e tij na ka prekur të gjithëve - Gazeta Express
string(99) "kurti-i-dergon-telegram-ngushellimi-familjes-se-shpat-kasapit-humbja-e-tij-na-ka-prekur-te-gjitheve"

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 14:34

Kurti i dërgon telegram ngushëllimi familjes së Shpat Kasapit: Humbja e tij na ka prekur të gjithëve

Lajme

Gazeta Express

26/11/2025 14:34

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Kasapi pas vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi.

“Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik”, ka shkruar Kurti.

Telegrami i plotë:

E nderuar familja Kasapi,

Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit. Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.

Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik. Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin. Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje.

Me respekt të thellë,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës