Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi që i njëjti ka sulmuar partitë opozitare rreth çështjes së votimit të Albulena Haxhiut për kryekuvendare.
Haziri në reagimin e tij, i ka kujtuar Kurtit se ky i fundit ka kundërshtuar ‘‘gjithçka në këtë republikë’’.
Po ashtu, nënkryetari i LDK-së ka thënë edhe se, Kurti e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës së krijuar në kuvend.
Pos këtyre, Haziri ka thënë edhe se për agjenda të fshehura dhe veprime të njëanshme nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri, por se, votohet për përfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike.
Postimi:
Kemi votuar Presidentë dy herë, por me marrëveshje e për Republikën, që kishte besim e shpresë te populli.
Kemi votuar pa kushte e kërkesa politike, edhe pse votuesit nuk e pëlqenin, por Republika duhet të ecte para.
Tash, për agjenda të fshehura e veprime të njëanshme, nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri.
As për grua e as për burrë, por për pëfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontabandës politike, por të meritës politike.
Ai që kundështoi gjithçka në këtë Republikë, e di më së miri ta kuptojë kundërshtimin politik dhe e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës.
Republika, mbi të gjitha! /GazetaExpress