string(88) "kurti-heq-dore-nga-citimi-i-kushtetutes-se-serbise-ne-komentet-qe-ia-ka-derguar-gjykates"

Gazeta Express

13/05/2020 11:35

Kurti heq dorë nga citimi i kushtetutës së Serbisë në komentet që ia ka dërguar Gjykatës

Gazeta Express

13/05/2020 11:35

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hequr dorë nga citimi i kushtetutës së Serbisë në komentet që ia ka drejtuar Kushtetueses. VV-ja e kishte bërë këtë kur kërkoi masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi, e i cili do të çonte në formimin e Qeverisë së re.

Gazeta Express ka siguruar edhe komentet e kryeministrit Kurti që i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, e cila po e trajton lëndën e VV-së që sfidon dekretin e presidentit Thaçi që cakton mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

VV-ja kishte nxitur reagime të shumta kur në dokumentin që i dërgoi Gjykatës Kushtetuese me të cilën kërkonte masë të përkohshme, kishte marrë si referencë kushtetutën e Serbisë. VV-ja kishte insistuar se citimi i Kushtetutës së Serbisë ishte për të treguar se ajo çfarë është duke bërë Thaçi gjendet pikërisht në kushtetutën e Serbisë.

Siç dihet kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën pjesë të këtij vendi.

Sidoqoftë, në komentin drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Kurti nuk ka përmendur fare kushtetutën serbe – duke pranuar në këtë formë në mënyrë implicite se kishte bërë gabim kur në parashtrimin e ankesës kishte bërë analizën krahasimore edhe me shtetin serb. 

Por, edhe pa kushtetutën serbe në analizën krahasuese me vendet e tjera fqinje, si Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut etj. ai konstaton se “asnjëri prej këtyre rasteve nuk ka paqartësi kushtetuese lidhur me rolin e presidentit”.

Komenti nga Kurti – ashtu siç pritej – i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta deklarojë të pranueshme kërkesën e Vetëvendosjes për shpalljen e Dekretit të Presidentit në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kryeministri vazhdon të ngulmojë se Kushtetuta e Kosovës është përkthyer gabimisht nga gjuha angleze. Ai ka kontestuar konkretisht foljen “may”, e cila, sipas tij, është përkthyer sikur të ishte përdorur folja “can”.

“Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” – thotë neni i Kushtetutës që kontestohet nga Kurti në gjuhën tonë amtare. Ndërkohë që folja “mund”, sipas tij, nuk shpreh mundësi që presidenti të zgjedhë apo të mos zgjedhë shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Komentin e plotë mund ta lexoni më poshtë.