Kurti e Osmani në anë të kundërta për veprimet e Deharit në seancë – në gjykatë dy kërkesa të reja, njëra e PDK’së, tjetra e LDK’së - Gazeta Express
string(125) "kurti-e-osmani-ne-ane-te-kunderta-per-veprimet-e-deharit-ne-seance-ne-gjykate-dy-kerkesa-te-reja-njera-e-pdkse-tjetra-e-ldkse"

Lajme

Gazeta Express

04/07/2025 19:00

Kurti e Osmani në anë të kundërta për veprimet e Deharit në seancë – në gjykatë dy kërkesa të reja, njëra e PDK’së, tjetra e LDK’së

Lajme

Gazeta Express

04/07/2025 19:00

Votimi i fshehtë mund të aplikohet në Parlamentin e Kosovës vetëm duke pasë konsensus nga deputetët për këtë formë votimi për ta zgjedhur të parin e tyre. Ky është leximi i presidentes së vendit e cila sot u pozicionua për zhvillimet në Kuvend. Qëndrimi i saj s’do t’i pëlqejë kreut të Vetëvendosjes meqë ky lexim i Vjosa Osmanit është më i përafërt me atë të partive të tjera.

Gazeta Express

“Jemi në një situatë ku kemi erozion demokratik. Pra, po rrezikohet demokracia”.

Këtë alarm e ngriti e para e vendit, Vjosa Osmani, e cila sot për gazetarët shpalosi pikëpamjen e saj se si e sheh aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, ndonëse u prit se do të qartësonte situatën në Kuvend dhe të ndalonte “erozionin demokratik”, prodhoi interpretime të shuma

Për rolin unifikues që bart, Osmani tha se “nuk është detyra e një presidenteje që ta ngrisë gishtin në raport me një parti të caktuar”, por leximi i saj i aktgjykimit s’do t’i pëlqejë një partie të caktuar – Lëvizjes Vetëvendosje.

“Konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem është që nëse lexohet në tërësi aktgjykimi votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës, para se të shkohet te një mënyrë e tillë”.

Por, Osmani e pranoi se interpretimi i ekipit të saj ligjor “nuk nënkupton që të tjerët pajtohen me të”.

“Ky është konstatimi i një analize disaditore të këtij aktgjykimi nga një grup ekspertësh profesorësh brenda dhe jashtë vendit, të cilët vazhdimisht më këshillojnë në këtë fushë – pra që lejohet si mundësi, megjithatë para se të shkojmë te një hap i tillë duhet të ketë vendim të seancës për një hap të tillë. Rrjedhimisht, duhet të pyetet Kuvendi, të pyeten deputetët: A jeni pro një vendimi të tillë apo jo?”, tha Osmani.

Dehari ka dalë nga skenari i dakorduar nga kryesia e legjislaturës së kaluar. Madje ka juristë që nuk pajtohen as me interpretimin e Presidentes që deputetet me votim ta ndryshojnë mënyrën e votimit. Ata thonë se opsioni i vetëm është skenari i dakorduar nga ishkKryeparlamentari Glauk Konjufca dhe anëtarët e kryesisë që e kishin përgatitur seancën konstituive të legjislaturës së re.

Deputetët janë pyetur shumë herë në seancat që mbahen çdo dy ditë për këtë opsion të votimit dhe janë përgjigjur se nuk e duan këtë formë votimi – përpos atyre të Vetëvendosjes – duke mos propozuar në asnjë vazhdim seance që nga 1 maji anëtarë për themelimin e një komisioni që do të mundësonte votimin e fshehur.

Për të arsyetuar insistimin për votim të fshehtë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka përdorur aktgjykimin e 2014-ës të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, partitë tjera, përveç Vetëvendosjes, e kanë keqlexuar aktgjykimin.

“Unë besoj që është gabim edhe dëm nëse nuk e provojmë sepse Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin nga viti 2014 me pikën 128 124…ka thënë që të gjithë duhet të qëndrojnë në sallë, të jenë të pranishëm dhe të votojnë për, kundër ose abstenim dhe gjithashtu ka thënë se votimi mund të jetë i hapur, i fshehtë ose mënyra tjera. Pra, e provuam votimin e hapur nuk pati sukses, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, partitë tjera refuzojnë ta pranojnë këtë interpretim të Kurtit.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se deputetët kanë zbatuar këtë aktgjykim, duke marrë pjesë në votim kur u hodh në votim emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentre.

“Ashtu siç kërkohet nga Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, LDK-ja ka marrë pjesë në votim dhe ka votuar sa herë që grupi më i madh parlamentar e ka nxjerrë në votim kandidaten për Kryetare të Kuvendit. Kështu që ne e kemi respektuar obligimin tonë kushtetues për të marrë pjesë në votim”, tha Hoti.

Në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ndër të tjera tha se “…është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Për këtë pjesë partitë që ishin opozitë në legjislaturën e kaluar po thonë se është krejt e qartë se votimi i hapur është opsioni që ka urdhëruar gjykata meqë në historinë e Kuvendit kryeparlamentarët janë zgjedhur me këtë mënyrë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se për Kurtin dhe partinë e tij “është e qartë” që aktgjykimet e Kushtetueses s’kanë kurrfarë vlere.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes kushtetuese me qëllim dhe vetëdije nga ana e Albin Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk mund të ndryshohet rendi i ditës e aq më pak në mënyrë arbitrare”, ka thënë ai.

Krasniqi e akuzoi Kurtin për pengmarrje institucionale dhe ngjashëm e akuzon edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për uzurpim antikushtetues.

“E kishim dakorduar ne, të gjitha partitë politike, në takimin me z.Konjufca – kryetarin paraprak të legjislaturës paraprake. Rendi i ditës u ndryshua; kokë në veti pas shtatë seancave. Askush nuk e ka këtë të drejtë; aq më pak një ‘më i moshuar’ mes 120 deputetëve të zgjedhur në vend. Kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë”, tha Abdixhiku.

Për mbajtje peng të institucioneve e akuzoi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Nëse Kurti i bën 61 veta të zgjedhë kryetarin. Nëse nuk i bën ai na harxhon 30 ditë, na mban peng. Po shihet se ai ka vendos me i harxhu këto 30 ditë pa e krijuar shumicën”, tha ai.

Në aktgjykim Kushtetuesja tha se propozimi i kandidatit për kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe si e tillë kjo e drejtë  përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm.

Në këtë çështja presidentja Osmani ia ndau përgjegjësitë e njëjta edhe partisë së parë edhe partive të tjera.

“Ky aktgjykim e ka bërë të qartë që partia e parë natyrisht e ka të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por njëkohësisht e ka detyrimin që ta krijojë shumicën parlamentare për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ndërsa partitë tjera e kanë detyrimin që të krijojnë shumicën parlamentare për nënkryetarët e tyre”.

Për bllokadën e re në Kuvend janë dërguar edhe dy kërkesa, njëra nga PDK, tjetra nga LDK. Të dyja po kërkojnë që të shpallen antikushtetuese veprimet e Deharit dhe të konstituohet Kuvendi sipas rendit të ditës.