Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se dje ka pritur në kryeministri atë që quhet grupi punues ndërshtetëror për çështjen e ndërtimit të projektit të rrugës Prizren-Tetovë. Kurti ka treguar se ndërkohë që në Kosovë po vazhdojnë punimet, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ato ende s’kanë nisur, shkruan Gazeta Express.
“Rruga Prizren-Tetovë: anës sonë të malit Korf (Vërtop) punimet po vazhdojnë, anës tjetër të malit nisja e tyre vetëm sa po afrohet. Grupi Punues ndërshtetëror dje mbajti takimin e radhës për të diskutuar e trajtuar pikat e detyrës projektuese, dokument ky thelbësor për realizimin e këtij projekti strategjik për Republikën tonë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Kurti, pas takimit me zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
“113 kilometra është e gjatë rruga aktuale nga Prizreni në Tetovë, nëpër Prevallë e Glloboçicë. Me rrugën e re, Prizreni dhe Tetova do të jenë më pak se 50 kilometra afër njëra tjetrës. Mali që i ndan, do të ketë portën që i bashkon – pra tunelin me gjatësi 6.4 kilometra. Kështu udhëtimi bëhet më i lehtë, më i shpejtë dhe më i shpeshtë, lidhjet forcohen, shkëmbimet rriten e bashkëpunimi shtohet”, ka shkruar Kurti.
Gjatë fushatë së fundit për zgjedhjet lokale të vitit 2021, Kurti gjatë një paraqitje me ish-kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte thënë se ky projekt do të përfundonte brenda dy ose tri vitesh dhe so do të bëhej e mundur shkuarja në Tetovë “ashtu veç për kafe”./GazetaExpress/