Kurti drejt marrëveshjes me Serbinë, si e pranoi në parim planin e ndërkombëtarëve - Gazeta Express
string(81) "kurti-drejt-marreveshjes-me-serbine-si-e-pranoi-ne-parim-planin-e-nderkombetareve"

Lajme

Gazeta Express

07/02/2023 16:39

Kurti drejt marrëveshjes me Serbinë, si e pranoi në parim planin e ndërkombëtarëve

Lajme

Gazeta Express

07/02/2023 16:39

Kryeministri Albin Kurti tashmë e ka pranuar propozimin europian për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë. Me disa kushte, ai e pranon edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në Bruksel tashmë parlajmërojnë një takim Kurti-Vuçiq.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Gjysma e dytë e vitit 2022 u karakterizua me tensione të shtuara e serioze në veri të Kosovës dhe kur po i afrohej fundi, një angazhim ndërkombëtar mori vrull me një përpjekje të re për t’i çuar Kosovën dhe Serbinë shpejt drejt një marrëveshjeje.

Një propozim konkret iu dorëzua palëve në shtator dhe një version të ri, të përditësuar të atij propozimi, Kosova dhe Serbia e morën në fillim të dhjetorit. Plani parasheh të drejta të barabarta për të dy shtetet, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Njohja e ndërsjellë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk përmenden, por theksohet mbështetja që palët duhet t’ia japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane.

Deri dje, ndërkombëtarët nuk e morën përgjigjen e kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Të hënën, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak erdhi në Prishtinë dhe u takua me Kurtin. Kjo ishte vizita e dhjetë e tij në Kosovë që nga shtatori, kur ia dorëzoi Kurtit propozimin që fillimisht u quajt “plani franko-gjerman” e më pas “europian”.

Në një drekë pune me Lajçakun, Kurti e pranoi propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pozicionin e ri kryeministri e tregoi më pas në Twitter. Diskutimin me të dërguarin e BE-së e quajti “shumë të mirë”.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, shkroi Kurti.

Disa pyetje “mbi garancitë ndërkombëtare” e “mekanizmat e zbatimit”, ai tha se mbetën për t’u trajtuar së shpejti gjatë bisedimeve në Bruksel.

Opozita reagoi shpejt, duke thënë se kryeministri e pranoi formimin e Asociacionit, por qëndimi i ri i Kurtit u mbështet nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Lajçak, i cili më pas udhëtoi drejt Beogradit për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u shpreh i kënaqur nga takimi me Kurtin dhe paralajmëroi një takim të nivelit të lartë mes dy liderëve.

“Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim propozimin e BE-së. Ne do t’i vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, shkroi diplomati sllovak në Twitter.

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier tha se e mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar në parim propozimin e BE-së për marrëveshjen me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë ta ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi ai.

“Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, theksoi Hovenier.

Përshtypjet e para të Kosovës për planin deri te pranimi

Plani europian kishte si pengesë të parë çështjet teknike që kishin nxitur tensione në veri të Kosovës. Çështja e targave të automjeteve ishte e fundit dhe ajo u zgjidh me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë më 23 nëntor.

Perëndimi synon ta shmangë një vatër tjetër konflikti në Ballkan dhe për këtë e konsideron shumë të nevojshme një marrëveshje.

Një ide si kornizë për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qarkulloi si dokument që herët nëpër duart e zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd. Por për disa javë rresht Qeveria dhe Presidenca e Kosovës mohuan ekzistencën e propozimit franko-gjerman, ani pse një draft ishte publikuar në media.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ishte më i hapuri për propozimin europian. Ai pati thënënë nëntor të vitit të kaluar se “esenca e propozimit është se Serbia heq dorë prej Kosovës”.

“[Propozimi] ndërtohet mbi tri principe. E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi reciprok i sovranitetit dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”, thoshte Konjufca, duke e quajtur dokumentin si bazë të shëndoshë.

Meqenëse, sipas propozimit, Konjufca thoshte se Serbia pajtohet ta respektojë sovranitetin e Kosovës dhe të drejtën e vetëvendosjes, tha se “kjo është më e rëndësishme sesa njohja verbale”.

Po atë muaj, presidentja Vjosa Osmani tha se ky propozim “shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.

Pa i bërë publike, Qeveria përshtypjet e saj për propozimin ia dërgoi fillimisht BE-së. Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht i shmangte komentet rreth përmbajtjes së propozimit, por për të ishte interesuar të fliste më 21 nëntor, në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti akuzonte BE-në se po ia mbante anën Serbisë duke mos e shtruar për diskutim planin për marrëveshjen dhe para arritjes së marrëveshjes për targat kërkoi që kjo temë të vendoset në tryezën e diskutimit “një orë e më parë”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i përfshirë aktivisht në negociatat e vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, fillimisht kishte thënë se ky plan është më i favorshëm për Serbinë. Më pas, pati thënë se plani ishte që çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen në dy faza, por pa i dhënë tamam përshtypjet e tij për dokumentin.

Si e pranoi Serbia planin?

Kur plani franko-gjerman iu dorëzua palëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se dialogu po ndryshonte esencialisht pasi në tavolinë kishte tashmë një dokument nga dy fuqi të mëdha europiane.

Ai ishte më i hapur për publikun, duke treguar menjëherë se çfarë përmbante plani.

“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe kjo do të bartë pasojat e veta”, shprehej Vuçiq.

Ai thoshte se nuk e kishte pranuar e as refuzuar atë plan.

Ndërkohë, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq pati thënë në nëntor të vitit 2022 se propozimi “parasheh që pavarësia e Kosovës është tashmë një punë e kryer”, dhe se këtë Serbia nuk mund të pranojë.

Por këtë vit, Vuçiq e pranoi planin. Tha se diplomatët e huaj i kishin thënë se nëse nuk e pranon, Serbia do të përballet me bllokim në integrim europian ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik.

“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha Vuçiq në një konferencë për media mbrëmjen e 23 janarit.

Asociacioni

Kryeministri Albin Kurti duket se do ta lë Asociacionin të kalojë, por për këtë ka vendosur gjashtë kushte, të cilat i bëri publike në një seancë të Kuvendit të enjten.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet pasi erdhi në Prishtinë dhe u takua me kryeministrin Albin Kurti, tha se kishte kërkuar krijimin e Asociacionit. Kjo tashmë është kërkesë e prerë e SHBA-së dhe përpjekja për ta bindur Kosovën që ta implementojë është bërë edhe praktike. Në fund të janarit, një diskutim për këtë çështje u bë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë dhe aty morën pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë.

Kurti kishte thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohej brenda një marrëveshjeje të mundshme për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por themelimin e kësaj bashkësie komunash ndërkombëtarët tashmë po e konsiderojnë urgjente.

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ishte pjesë e delegacionit të diplomatëve që ishin në zyrën e Kurtit në janar. Ai ka thënë së fundmi në një intervistë për radio televizionin kroat, HRT se Kosova ka brenga mbi çështjen e Asociacionit. Por, ai beson se do të arrihet ajo çfarë ata duan.

“Ata kanë brengat e tyre. Mendoj se kemi ende punë për të bërë, por besoj se do ta arrijmë qëllimin. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, është një partnere e mirë, dhe s’kam ndonjë dyshim në këtë gjë. Besoj se do të arrijmë çfarë duam”, ka thënë Escobar.

Takimi për Asociacionin në Ambasadën Amerikane pasoi disa deklarata të Gabriel Escobar. Diplomati amerikan tha së fundmi në një intervistë për Zërin e Amerikës se “një person, një palë nuk mund të shmangë atë (Asociacionin)”.