Kurti dikur propozonte të mbyllej Ministria e Punëve të Jashtme - Gazeta Express
string(63) "kurti-dikur-propozonte-te-mbyllej-ministria-e-puneve-te-jashtme"

Kurti dikur propozonte të mbyllej Ministria e Punëve të Jashtme

Lajme

Gazeta Express

18/08/2022 12:59

Kosova vetëm pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës më 2008 kishte fituar të drejtën për të pasur Ministri të Punëve të Jashtme. Po atë vit, Kurti thoshte në një shkrim se ky dikaster s’ishte as i nevoshëm derisa e kritikonte ashpër Skënder Hysenin si Kryediplomatin e parë të vendit, raporton Express.

Kryeministri Albin Kurti, kishte propozuar që të mbyllej Ministria e Punëve të Jashtme, menjëherë pas formimit të saj.

Lexo Edhe:

Këtë propozim, Kurti e kishte dhënë përmes një opinioni, të publikuar atë kohë në Gazetën Express.

Atëherë, Kurti thoshte se MPJ’ja duhet të mbyllet dhe të rihapet kur “Kosova të ketë politikë të brendshme”.

“Në këtë kuptim, nëse jemi të sinqertë deri në fund (sidomos sa i përket njohjeve të reja), problemi thelbësor nuk është që MPJ s’po punon mjaft dhe as se ajo përbëhet prej njerëzve jokompetentë, por që MPJ realisht as që na nevojitet. MPJ bëhet MPJ e vërtetë dhe e nevojshme vetëm pasi që Qeveria e Kosovës të ketë politikë të brendshme. MPJ duhet të mbyllet dhe të rihapet kur të kemi politikë të brendshme gjë që do ta rikuptimësonte drejt politikën e jashtme. Deri atëherë, kritikat për MPJ janë shpenzim kohe që i suplementohet shpenzimeve të parave të buxhetit të Kosovës për këtë ministri. Sepse, para së gjithash, nuk kemi të bëjmë me praktika të këqija por me koncepte të gabuara”, shkruante Kurtin.

E kritikonte ashpër Kryediplomatin e parë të Kosovës, Skënder Hysenin, duke thënë se asnjë prej shteteve që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës s’e kishin bërë këtë shkaku i punës së Skënder Hysenit.

|Skënder Hyseni kritikohet nga analistë e ekspertë të ndryshëm që nuk po lobon sa duhet – ose edhe madje që nuk din të lobojë – për më shumë njohje të pavarësisë së Kosovës. Por, ai nuk kritikohet që politika e jashtme e Qeverisë së Kosovës në të vërtetë nuk është fare e Qeverisë. Asnjë nga shtetet që deri më tani e njohën Kosovën nuk e bënë këtë si rezultat i punës së Skënder Hysenit sado e palodhshme të ketë qenë ajo, por për shkak se i ndoqën ndonjërën ose të gjitha ato pesë shtetet e fuqishme të botës të cilat e njohën Kosovën të parat. Dhe, janë po këto pesë shtete që realisht edhe e sundojnë Kosovën këtu brenda të organizuara në një formacion që njihet si zyrat (tash mbase ambasadat) e Quintit. Në mungesë të politikës së saj të brendshme, Kosova është pre e politikave të jashtme të këtyre pesë shteteve (madje shto këtu edhe UNMIK-un dhe Serbinë). Politika e jashtme e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kosovën është politikë e brendshme e Kosovës”, thuhej në shkrimin e Kurtit.

Kritikat për Ministrinë e Punëve të Jashtme vazhdojnë edhe tash, kur Kurti udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Në krye të kësaj ministrie është Donika Gërvalla, e cila vazhdimisht kritikohet për deklaratat e saj e huqjet në Tëitter.

Disa herë është kërkuar edhe dorëheqja e saj, por vetë Kurti i ka dal gjithmonë në mbrojtje./Gazeta Express

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Kur brenda është jashtë dhe jashtë është brenda

(ose, pse duhet mbyllur Ministria e Punëve të Jashtme)

Problemi i Kosovës nuk është se ajo nuk ka politikë të jashtme. Problemi i Kosovës është se ajo ka vetëm politikë të jashtme. Pra, problemi i Kosovës është se nuk ka politikë të brendshme. Adri Nurellari në një artikull të mëhershëm shkruante se në Shqipëri e gjithë politika e jashtme është politikë e brendshme. Politikanët e Shqipërisë edhe kur bëjnë politikë jashtë vendit në mendje e kanë veçse vjeljen e votave të qytetarëve brenda vendit. Mbase për Kosovën do të mund të thuhej e kundërta: politika e brendshme te ne është veçse politikë e jashtme. Çdo fjalë, gjest a (mos)veprim i politikanëve kosovarë para qytetarëve të Kosovës thuhet e bëhet për hir të imazhit të tyre para faktorëve ndërkombëtarë. Politikanët kosovarë (ndoshta edhe) ia kthejnë shikimin qytetarëve që janë atje larg dhe poshtë, porse hallin e kanë te shikimi ndërkombëtar që u ndodhet sipër dhe fare pranë.

Jeta e qytetarit të Kosovës është e mjerueshme për shkak se shteti i Kosovës nuk ka politikë të brendshme, e jo për shkak se ai nuk ka politikë të jashtme. Sigurisht që është e rëndësishme se kë e mori në punë pardje Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Skënder Hyseni. Mirëpo, pakrahasimisht më e rëndësishme është që, ta zëmë, Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Zenun Pajaziti, ta marrë kontrollin mbi Shërbimin Policor të Kosovës dhe Ministresha e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Pula, ta marrë kontrollin mbi Trepçën dhe Korporatën Energjetike të Kosovës. Fakti se është bërë modë që Skënder Hyseni të analizohet, kritikohet e të shahet është pikërisht tregues se Kosova ka politikë të jashtme. Ke çfarë të kritikosh e të shash, apo jo? Ama, kur vjen puna te politika e brendshme, që mbi të gjitha lidhet me kontrollin e territorit dhe të kufijve, disponimin me pasuritë natyrore dhe kapacitetet zhvillimore, aty njeriu s’ka as çfarë të kritikojë. Krejt çfarë mund të bësh është ta problematizosh mungesën e politikës së brendshme si të tillë, por jo edhe ta kritikosh nivelin e saj. Te trajtimi i politikës së brendshme nuk e ke komoditetin e kritikës për politikën e jashtme. Politika e brendshme ka mungesë qenieje, ndërsa politika e jashtme ka mungesë cilësie (që do të thotë se megjithatë ka qenie). Në MPB dhe MEM (krejtësisht paarsyeshëm) as që na intereson se kush punësohet, kurse për MPJ që vëzhgohet me llupë përgjithësisht kërkohen njerëz më të aftë dhe më të dëshmuar (me shumë arsye).

Mirëpo, problemi nuk qëndron vetëm te mosproblematizimi i mungesës së politikës së brendshme dhe zëvendësimi i kësaj me kritikë për politikën e jashtme, por edhe te lloji i kësaj kritike. Skënder Hyseni kritikohet nga analistë e ekspertë të ndryshëm që nuk po lobon sa duhet – ose edhe madje që nuk din të lobojë – për më shumë njohje të pavarësisë së Kosovës. Por, ai nuk kritikohet që politika e jashtme e Qeverisë së Kosovës në të vërtetë nuk është fare e Qeverisë. Asnjë nga shtetet që deri më tani e njohën Kosovën nuk e bënë këtë si rezultat i punës së Skënder Hysenit sado e palodhshme të ketë qenë ajo, por për shkak se i ndoqën ndonjërën ose të gjitha ato pesë shtetet e fuqishme të botës të cilat e njohën Kosovën të parat. Dhe, janë po këto pesë shtete që realisht edhe e sundojnë Kosovën këtu brenda të organizuara në një formacion që njihet si zyrat (tash mbase ambasadat) e Quintit. Në mungesë të politikës së saj të brendshme, Kosova është pre e politikave të jashtme të këtyre pesë shteteve (madje shto këtu edhe UNMIK-un dhe Serbinë). Politika e jashtme e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kosovën është politikë e brendshme e Kosovës. Ndërkaq, me politikën e jashtme të Kosovës merret e gjithë Qeveria e Kosovës meqenëse krejt çka bën ajo është politikë e jashtme. Angazhimi i brendshëm qeveritar është i destinuar për dukjen e jashtme të (Qeverisë së) Kosovës. Rrjedhimisht, MPJ nuk është kurrfarë segmenti i diferencueshëm e aq më pak i posaçëm i Qeverisë. MPJ nuk është ministri por dyfishim në miniaturë i Qeverisë.

Në këtë kuptim, nëse jemi të sinqertë deri në fund (sidomos sa i përket njohjeve të reja), problemi thelbësor nuk është që MPJ s’po punon mjaft dhe as se ajo përbëhet prej njerëzve jokompetentë, por që MPJ realisht as që na nevojitet. MPJ bëhet MPJ e vërtetë dhe e nevojshme vetëm pasi që Qeveria e Kosovës të ketë politikë të brendshme. MPJ duhet të mbyllet dhe të rihapet kur të kemi politikë të brendshme gjë që do ta rikuptimësonte drejt politikën e jashtme. Deri atëherë, kritikat për MPJ janë shpenzim kohe që i suplementohet shpenzimeve të parave të buxhetit të Kosovës për këtë ministri. Sepse, para së gjithash, nuk kemi të bëjmë me praktika të këqija por me koncepte të gabuara.