string(142) "kurti-bujar-bukoshi-ishte-i-guximshem-ne-cdo-situate-realist-ne-qendrime-e-adhurues-i-veprimeve-historianet-do-ta-studiojne-veprimtarine-e-tij"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 9:42

Kurti: Bujar Bukoshi ishte i guximshëm në çdo situatë, realist në qëndrime e adhurues i veprimeve – historianët do ta studiojnë veprimtarinë e tij

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 9:42

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha në mbledhjen komemorative për ish-kryeministrin e vendit, Bujar Bukoshi, i cili vdiq të martën, se ai ishte “i guximshëm në çdo situatë”.

“Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës”, tha Kurti, ndërsa përshkroi angazhimin e tij maksimal “për t’i njohur kancelaritë evropiane dhe amerikane me shtypjen politike dhe shkeljet e ashpra të të drejtave të njeriut” në Kosovë.

Ndërsa qëndronte në Gjermani, Kurti tha se Bukoshi takonte përfaqësues të ndryshëm politikë “vetëm për ta shtyrë përpara çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”.

Komunikimi i tij me diplomatët e gazetarët gjermanë, Kurti tha se ishte “shembull”.

“Bujar Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore, por me raste edhe kritik i saj. Siç ishte edhe mbështetës i kryengritjes së armatosur, por nganjëherë, gjithashtu edhe kritik i saj. Ai ishte i guximshëm në çdo situatë. Kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve”, tha ai.

Kurti kujtoi se Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike e historike të viteve të ’90-ta, për të cilin tha se “historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë”.

“Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve të ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar nga rrethanat e asaj periudhe”, tha ai.

Kurti uroi që në të ardhmen të vijë një biografi për jetën dhe veprën e Bukoshit.

“Uroj që një ditë jo të largët, dikush nga historianët dhe studiuesit të na shërbejë në publik me ndonjë biografi për jetën dhe aktivizmin e doktorit politikan dhe të kirurgut kryeministër, Bujar Bukoshit”, tha ai.