Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryeministrit të parë të vendit, Bujar Bukoshit, në hollin e Kuvendi.
Në Librin e Kujtimeve, Kurti shkroi se Bukoshi “ishte kryeministër i jashtëzakonshëm, sepse kohërat ishin të tilla e njashtu edhe guximi i tij”.
“Dr. Bujar Bukoshi ishte kryeministër i jashtëzakonshëm sepse kohërat ishin të tilla e njashtu edhe guximi i tij. Punoi dhe kontribuoi shumë në diplomaci e politikë të jashtme për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës por edhe me Këshillat e Financimit për të mirëmbajtur arsimin shqip dhe rezistencën e shqiptarëve”, shkroi Kurti.
“Do ta kujtojmë me nderim kurse historianëve u mbetët ta studiojnë me kureshtje”, shtoi ai.
Bukoshi po varroset te Varrezat e Dëshmorëve në Velani të Prishtinës. Bartja e arkivolit bëhet nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe eskorta zyrtare.