Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për kremtimin e 18-vjetorit të pavarësisë përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai tha se është e papranueshme të barazohen ata me një regjim gjenocidal dhe tha se akuzat e Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e UÇK-së e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato s’marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës tonë çlirimtare, të cilës ia detyrojmë lirinë. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”.
Kurti gjithashtu tha se aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës vite më parë ndoshta nuk e kanë pasë të gjithë përfytyrimin e njëjtë se si do të duket sot Kosova, por tha se të gjithë e dëshiruan lirinë.
“Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur vjen fjala te Republika dhe sovraniteti, ne nuk mund të lëshojmë pe sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve dhe luftëtarëve që e kanë dëshiruar Republikën sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë. Mu ato na frymëzojnë e orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë”./Express/