Kurti “arratiset’ nga dështimi në Këshillin e Europës, nuk tregon çka pas 17 majit - Gazeta Express
string(79) "kurti-arratiset-nga-deshtimi-ne-keshillin-e-europes-nuk-tregon-cka-pas-17-majit"

Kurti “arratiset’ nga dështimi në Këshillin e Europës, nuk tregon çka pas 17 majit

Lajme

Gazeta Express

21/05/2024 16:51

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti sërish nuk deshi të flasë mbi dështimin për t’u anëtarësuar në Këshill të Europës në mbledhjen e 17 majit të Komitetit të Ministrave në Strasburg siç bën zakonshëm për ngjarje të mëdha në fillim të mbledhjes së kabinetit të tij. Në hyrje të fjalimit të tij, ai fokusin e vendosi te sistemi i gjyqësorit pas rastit të arratisjes së Enver Sekiraqës.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

“Në fundjavën që po e lëmë pas, kuptuam që njëri prej personave më famëkeq nga bota e krimit, i cili javën e kaluar u dënua përfundimisht nga gjykata me 25 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, policit të Kosovës, është arratisur”, tha Kurti, duke shtuar se reforma në drejtësi “tash është urgjencë institucionale, shtetërore e kombëtare”.

Megjithatë, një keqardhje e kishte shprehur gjatë një takimi të djeshëm me nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen. Por, jo në ndonjë adresim apo prononcim për media.

“Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet europiane, ai [Kurti] shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, siç është konfirmuar edhe nga instancat e vetë kësaj organizate, përfshirë Asamblenë Parlamentare dhe kur dihet që anëtarësimi i ynë do t’i kontribuonte forcimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut”, tha Zyra e Kryeministrit në njoftimin mbi këtë takim.

Këtë temë Kurti e kishte diskutuar pak edhe gjatë një takimi së fundi me ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, të cilit i kishte shprehur mirënjohje që shteti i tij nuk u bë pjesë e grupit të shteteve që e kushtëzuan Kosovën sikurse shtetet e BE-së Franca, Gjermania e Italia.

“Rezultati i mbledhjes së djeshme në Këshillin e Europës, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit. Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës”, kishte thënë ZKM.

Kryeministri Kurti foli për Këshillin e Europës për herë të fundit kur kishte marrë vendimin për të refuzuar kushtëzimin për anëtarësim me nisjen e themelimit të Asociacionit. Punën më pas e kreu zëvendësja e tij, kryediplomatja Donika Gërvalla. Një ditë para se ministrat e Jashtëm të mblidhen në Strasburg, Gërvalla tha se Qeveria i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës me zotimin se përgatisin një draft për krijimin e një “mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe”, i cili do të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.

Kur kjo lëvizje e Qeverisë së Kosovës nuk i bindi shtetet që e kushtëzuan me Asociacion –  dhe kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk u fut në agjendë – ishte prapë Gërvalla që foli në emër të Qeverisë.

“Disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate”, tha Gërvalla, duke thënë se oferta e bërë para mbledhjes së Komitetit “e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën”.

Megjithatë, e para e shtetit, Vjosa Osmani, nuk qëndroi e heshtur sikurse kryeministri.

Ajo tha se është “çështje kohe” sepse Kosova do të jetë anëtare e KiE.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Europës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që e përcaktojnë Këshillin e Europës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike. I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut më shpejt sesa vonë”./GazetaExpress/