Kur e përshkrun ni mendimtar skizofreninë e tranzicionit post-komunist, ai e thotë edhe shkurtas: politikanët kishin me dhanë jetën për me shkru ni libër t’mirë, e shkrimtarët kishin me ba gjithçka për me marrë ni post politik. Ni çoroditje tipike dykahore e ambicieve, që e tregon përmbysjen e roleve dhe përjetimin e ‘vlerave’.
Shkruan: Ismail Tasholli
Te na, në Kosovë, kurrë s’osht folë seriozisht për ‘kalbjen’ e intelektualëve. Flitet për politikën, për krimin, për korrupsionin, por jo për ‘impotencën’ e sferës kulturore e intelektuale. Sepse, qysh e kena politikën, qaty-qaty e kena edhe kulturën e intelektualët.
Termi ‘Intelektual’ – ni Abuzim Historik
Nuk besoj në ‘intelektualin’ si figurë morale. Termi vetë osht i abuzum historikisht – prej ‘affaire Dreyfus’, ku u ‘shpik’ për herë të parë, e deri te Jean-Paul Sartre që e shndërroi në hero ideologjik të epokës së vet. Prej asaj kohe, fjala u ngarku me ni romantizim të smutë. Intelektuali u pa si ‘zani i së vërtetës’, ‘ndërgjegjja e shoqnisë’, etj.
Unë nuk e përdori k’shtu. Kur e përdori, e kuptoj veç si koncept teknik, e as në bisht të mendjes nuk i kam ‘intelektualët’ (lexo: disa – jo krejt – gjysëbudallë) tonë nëpër Akademi, që kanë dëshirë m’e konsideru veten si me ndonji rol të shtum. E kuptoj si ni nocion me të cilin i emnoj njerëzit që ‘prodhojnë’ e shpërndajnë ide në sferën publike. As ma shumë, as ma pak.
Shumica absolute e intelektualëve tonë janë mediokër – prej Rexhep Qosjes e deri te Shpend Ahmeti
Antinomia ‘vegjetarianë me kožni’ e përshkrun ma së miri këtë gjendje. Intelektualët tonë janë të tipit që sillen sikur ‘vegjetarianë’ – dmth, predikojnë moral, etikë, idealizëm – por në të njejtën kohë veshin ‘kožni’ (jakne të likurës së kafshëve), dmth jetojnë në kontradiktë të hapët me vlerat që predikojnë.
Këta ‘vegjetarianë me kožni’ janë AMBLEMA e shoqnive tranzicionale. Njerëz që nuk janë të formum teorikisht, nuk kanë pjekuni të brendshme për me qenë konsekuentë me idetë e veta, por e shfrytëzojnë diskursin moral si stil jetese e si kapital simbolik. Kështu, intelektuali në Kosovë shfaqet ma shumë si ‘pozë’ se si ‘substancë’.
Në këtë kuptim, miti iluminist – ideja që intelektuali osht ‘zani moral i kombit’ – ka qenë ni mburojë e rrejshme për shumë prej tyne. Shumica absolute e intelektualëve tonë janë mediokër – prej Rexhep Qosjes e deri te Shpend Ahmeti (shtini në mes emnat që i ‘keni për qejf’:). Osht pa sens teorik me thanë që krejt sferat tjera janë të kalbuna, e vetëm intelektualët kokan ‘të mirë’. Jo: krejt jemi pjesëmarrës të së njejtës skizofreni kolektive.
E, pos mediokërve ‘normalë’, janë edhe disa ma të këqij, që e ndërrojnë bojën sa herë ndërrohet pushteti. Këta janë tipi ma i gërditshëm – ‘intelektualët e t’vërtetave zyrtare’! Qita janë ‘vegjetarianë me kožni’ par excellence, që bahen zadhanës moralë të çdo dogme të re politike, vetëm me fitu pak relevancë publike.
Për me jau vizatu ni shembull komik të kësaj skizofrenie osht psh personi i qujtun Enver Robelli – gojë kulshedër për ‘sisteme tjera’. Para do jave, ai e shkroi ni tekst për ‘kohën e sharlatanëve’ dhe u habitke pse askush nuk po e sheh ni ‘prift palaço’, që po vetëshpallet Arkipeshkop i Autoqefalisë Shqiptare në Kosovë. E ka emnin Nikolla Xhufka nga Elbasani, që rren me profesion. Ironia e madhe që imponohet nga ky reagim i Robellit, osht se ky vet ka qenë ni prej ‘intelektualëve’ që s’e pa sharlatanin ma të madh politik të tranzicionit, Albin Kurti. Përkundrazi, e përkrahu, i dha legjitimitet moral dhe e aludoi si ‘shpresa rebele, …që do ta çlirojë Kosovën nga korrupsioni’. Robelli e pa me teleskop ‘priftin palaço’, por kurrë nuk i pa ‘agimbahtirat e pushtetit’ para hune. Jo, ai ja pa vetëm ‘heshtjen e vendosur të Tiranës si mbështetje indirekte për Serbinë e Vuçiçit’.
Robelli nuk osht thjesht rast i ni individi, por – bashkë me karatekids’at tjerë – simptomë e gjendjes sonë të përgjithshme, ku mediokriteti e ka okupu hapsinën dhe institucionet publike.
Ressentiment’i – urrejtja e zilia si motor i pjesëmarrjes
Hannah Arendt, në The Origins of Totalitarianism, e spjegon qartë këtë fenomen. Shumë ‘intelektualë’ që ju bashkun regjimeve totalitare (lexo edhe populiste) nuk ishin as idealista, as oportunista të pastër, por ‘të zhgënjymit e rendit të mesëm kulturor’. Ata kishin ni ressentiment – ni përshkrimje mes urrejtjes e zilisë – ndaj tanë atyne që kishin kapital simbolik ma të madh.
Në shoqnitë tona tranzicionale, ky ressentiment e merr ni formë të veçantë. Intelektualët mediokër nuk e shohin veten si pjesë të problemit, por si viktima të sistemit të kalbun që s’i ka lanë m’u ndigju zani i tyne. Autokratët populistë e shfrytëzojnë këtë ndjenjë edhe i l’shojnë grepat ku kapen chucknorris’at teorikë, tu i paraqitë ata tashti si, ‘zani i së vërtetës që ma në fund po ndigjohet’.
Qysh e dallon mediokrin publik. Intelektualin mediokër. Zakonisht këta persona kanë ambicie të naltë, e potencial real të ulët. Kjo kontradiktë krijon tension të përhershëm psikologjik mbi intelektualin mediokër, e autokratët gjithmonë e kanë pasë aftësinë m’e diktu dhe m’e shfrytëzu këtë kompleks të tyne. Qytetarëve u thonë: ju jeni të jashtëzakonshëm, por elitat e korruptume jau kanë vjedhë të ardhmen. Ndërsa intelektualëve mediokër u thonë: ju jeni mendimtarë të mëdhej, por të nënvlerësum, ata nuk ju kanë lanë m’u shpreh, xhynah që s’keni lindë n’Europë.
Kështu, ressentiment’i personal shndërrohet në kapital moral të rremë. Intlektualët mediokër, si Qosja, Robelli, Surroi…., predikojnë moral kundër elitave të vjetra, por heshtin sapo pushteti i ri jau realizon hakmarrjen simbolike…
Populizmi si diskurs, Laclau dhe ndarja popull/elitë
Ernesto Laclau, në On Populist Reason, e spjegon se populizmi nuk osht veç politikë e ulët, por logjikë e ndërtimit të diskursit. Ai e krijon popullin si subjekt politik, tu e kriju ni ndamje të thjeshtëzume: populli i pastër kundër elitës së korruptume. Kjo ndamje funksionon vetëm kur e gjen ni ‘armik të përbashkët’.
Intelektualët mediokër bahen ‘vegjetarianët me kožni’ të këtij diskursi. Ata mundohen me legjitimu këtë ndamje, tu e paraqitë si kategori morale, jo si konstrukt diskursiv.
E bajnë këtë jo pse janë të bindun, po sepse populizmi u jep hapësinë publike, i sheh si ‘zani i ndërgjegjes’. K’shtu, strategjia e heshtjes së tyne ma vonë, kur pushteti populist nis m’i ba të njejtat mëkate që ia kritikonte elitës së vjetër, nuk osht rastësi: ata janë ‘të kapun’ nga vetë diskursi që e kanë ndërtu.
Rasti i Kosovës – përsëritja e modelit historik
Në Kosovë, fenomeni osht i njejtë me rastet historike që i përshkrun Arendt (Gjermania e viteve ’30), Laclau (diskursi populist në Amerikën Latine), apo Hirschman (strategjitë e justifikimit të reaksionit).
Ni grup intelektualësh të zhgënjym nga elitat e mbasluftës, e panë te pushtetet e reja populiste ni rast për rehabilitim moral. Ata e përforcun narrativën populiste: ‘Ky osht zani i popullit të tradhtum, ky osht zani i mendimit të lirë.’
Kur pushteti i ri u konsolidu, këta intelektualë kalun në heshtje strategjike ose në kritika të buta, sepse qëllimi i tyne kryesor – hakmarrja simbolike – ishte realizu.
Kjo osht papjekunia klasike e mendimit pa traditë: ni mendimtar ‘përnime’ e mbron parimin edhe kur i shkon kundër interesit personal, ndërsa ‘vegjetariani me kožni’ e ndërron dietën sa herë që ndërron pushteti.
Përgjegjësia
Ka edhe ni çashtje që nuk guxon me mbetë pa u thanë: këta ‘intelektualë’ kanë me dhanë përgjegjësi, ni ditë.
Normal, jo me gjyq – se marren s’e nxen ligji – por moralisht e kontekstualisht. Sepse ata kanë emna (disa u përmenden) dhe nuk ishin vetëm pasivë. Ishin ata që i krijun alibi ni të marri politik, që erdh në pushtet tu u mbështetë në dogma të rrejshme morale e teorike.
Këta ‘intelektualë’ nuk janë vetëm ‘naivë’ apo ‘të përdorun’. Ata kanë përgjegjësi kontekstuale. Ata i dhanë ‘ftyrë njerëzore’ ni karteli të budallëve teorik-politik, që e përdori narrativën e tyne për me ardhë në pushtet.
Ata e heshtën kritiken kur ky pushtet filloi m’i ba të njejtat gjana që ata ia përmendnin kundërshtarëve të tij.
Hannah Arendt, në Eichmann in Jerusalem, flet për ‘banalitetin e së keqes’. Shumë njerëz, edhe pa qenë kriminelë aktivë, marrin pjesë në krime vetëm pse pranojnë me heshtë kur duhet me folë. Edhe intelektualët tanë ‘kožni’ janë pjesë e këtij banaliteti, heshtja e tyne osht pjesëmarrje.
Strategjia e heshtjes nuk i shpëton nga përgjegjësia, përkundrazi, e thellon atë. Sepse kush e përdor zanin për m’e sjellë ni pushtet, e ka detyrim m’e përdor edhe për m’e kritiku atë pushtet.
Duhet me kriju traditë të mendimit kritik që nuk mvaret nga luhatjet e pushtetit, por nga autonomia e vet mendimit. Pa këtë, intelektuali mbetet vetëm ‘pozë’ e gërditshme!
Nejse, mos u tutni shumë. Interneti ka m’i pshtu shqipet. Algoritmi, dosti jonë!