Dorëshkrimet e disa prej romaneve më të mira të Ismail Kadare, por edhe letra e çmime me të cilat është nderuar në të gjithë botën shkrimtari shqiptar janë ekspozuar në shtëpinë e tij muze. Janari i ditëlindjes së tij në Tiranë manifestohet kështu, përmes veprave të tij
“Akademie der Künste ose “Akademia e Arteve” në Berlin, është një prej institucioneve kulturore më të vjetra në Europë dhe bën bashkë një komunitet ndërkombëtar artistësh. Ne e shohim me skepticizëm kontekstin në të cilin janë mbajtur “Kryeqytetet europiane të kulturës”, Athinë, Firence, Amsterdam dhe Berlin (1988). Ne gjykojmë se kjo seri manifestimesh, kanë implementuar një arrogancë të shteteve të Europës Perëndimore. Ndaj, kemi vendosur që takimet e tjera të mbahen në vendet anëtare të Paktit të Varshavës, apo edhe shtete të cilat nuk janë pjesë e tij. Në një moment historik në të cilin po vërehet një ulje e përballjeve ushtarake që ka qenë e ngritur mes dy blloqeve, është shumë e rëndësishme që të forcohen lidhjet mes dy sistemeve politike të Europës. Kjo është një detyrë edhe e artistëve të këtyre vendeve, dhe jo vetëm e politikanëve apo aktorëve të shoqërisë civile, që të diskutojnë mes tyre se si mund të arrihet kjo gjë. Koncepti i Evropës të cilit ne i referohemi, nuk duhet lejuar që të mbetet një koncept abstrakt”.
Kështu i shkruan nobelisti Gunter Grass që atë kohë ishte në krye të akademisë së Arteve në Berlin, Ismail Kadaresë.
Kjo është vetëm një nga letërkëmbimet apo dorëshkrimet që gjeni në një ekspozitë të çelur në shtëpinë muze të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Janari që shënjon edhe ditëlindjen e shkrimtarit të madh Kadare ka bërë bashkë në shtëpinë studio të tij, miq e bashkëpunëtorë, të cilët sinë një festë ditëlindjeje nuk kanë mbërritur duarbosh, por e kanë pasuruar edhe më shumë shtëpinë studio të shkrimtarit.
Ekspozita do të jetë edhe një manifestim këtë janar të parë pa Ismail Kadarenë dhe dyert e shtëpisë studio të tij do të jenë të hapura për të rrëfyer letra dhe dorëshkrime të romaneve deri më 2 shkurt. (A2)