Kur Hamzë Jashari luante teatër - Gazeta Express
string(31) "kur-hamze-jashari-luante-teater"

Kur Hamzë Jashari luante teatër

Gazeta Express

06/12/2019 21:48

Hamzë Jasharin e njohim të gjithë. Ai bashkë me vëllain e tij Ademin dhe tërë familjen e tij u sakrifikuan për lirinë e Kosovës në mars të vitit 1998. E derisa njohim shumë pasione të tij, si këngën, tanimë është zbuluar edhe një pasion tjetër i tij, është teatri

Ardian Jasiqi

Lexo Edhe:

Për trimëritë e tij flet e tërë Drenica. Ajo nuk ishte vetëm e viteve 90-ta por edhe më parë.

Çdo pasdite, shumë herët, Hamzë Jashari do ta luste mikun e tij Sabit Rexhep Geci, që tani jeton në Gjermani, që t’ia hapte derën e Shoqërisë Kulturore Artistike “Drenica” në Skenderaj dhe aty ai t’ia kriste këngëve kreshnike e patriotike të Kosovës.

“Unë punojsha në shtëpi të kulturës prej orës 07 të mëngjesit deri në ora 16. Hamza vinte një orë më para se të mbyllet; ‘dajko a po ma qel derën e ushtrimores se po kam qejfe me i pre do serbë me këngë’. Këto këngët shahirqe i ka deshtë, këngën për Azem Bejtën e këngët e shoqërisë. Gjithmonë me thoshte se kur vinë anëtarët e tjerë të shoqërisë lë të këndojnë këngë dashurie”, thotë Geci për Express.

Geci tregon se me Hamzën ka ndarë edhe shumë momente të tjera gjatë periudhës sa ishte në Kosovë.

Geci tregon se Hamza ishte i dashuruar pas teatrit. Ai, edhe pse ishte punëtor në Fabrikën e Municionit në Skenderaj, gjithmonë gjente kohë që të merrej edhe me artë.

Heroi i Kosovës, kështu në vitin 1984 kishte marrë pjesë në shfaqjen “Hakmarrja” që ishte punuar nga kjo shoqëri.

Gazeta Express ka siguruar disa nga këto fotografi të Hamza Jasharit.

Ai shihet duke luajt në skenë me veshje kombëtare, kurse aktorë të tjerë janë edhe Imer Kurti, Shaqir Bejtan, Ramadan Gashi por edhe vet Sabit Gecin.

“Në një skenë Hamza hap gjoksin në shfaqje dhe i thotë hasmit, ‘nëse je burrë qit dhe pastaj ia kap revolën”, evokon këto kujtime Geci.

Sipas Gecit, fotot janë realizuar nga një studio e fotografive në Skenderaj në vitet 80’ta.

Kjo nuk ishte aktiviteti i vetëm i Hamzës në teatër por edhe në këngë.

Ai është parë edhe në aktivitete të tjera derisa shihet duke kënduar dhe luajtur në sharki edhe në disa xhirime që janë shfaqur nëpër mediat shqiptare.

Hamzai bashkë me familjen e tij kishte rënë në betejën e Jasharajve në Prekaz dhe kishte zgjatur tri ditë.

Pas sulmit të 30 dhjetorit 1991, 22 janarit 1998, mbi Familjen Jashari, më 5 mars fillon Beteja e Jasharëve. Forcat ushtarako-policore serbe prapë e kishin nisur herët sulmin në shtëpinë e Jashararëve kurse silmi mbi familjen Jashari ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës pesë mars, ku forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe mësyen këtë familje.

Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga këto pozicione: nga Fabrika e Municionit, nga kodrat e Skenderajt, Lisat e Xanit e pozicione të tjera. I

Beteja e Jasharëve dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998 dhe është njëra prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /GazetaExpress/