Kur e vramë të ardhmen - Gazeta Express
string(22) "kur-e-vrame-te-ardhmen"

Kur e vramë të ardhmen

OP/ED

Gazeta Express

31/05/2022 16:07

Akti i vrasjes është një proces teknik të cilit i paraprinë vrasja përmes fjalës dhe vetë fjalës mëpastaj          

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Përplasja që kishte filluar gjatë fillimviteve të ’90-ta në mes të të ashtuquajturve ‘krahu i paqes’ dhe ‘krahu i luftës’, vetëm sa vinte e thellohej. Ndarja në mes të këtyre dy grupacioneve kishte filluar të prezantonte në publik etiketa nga më të ndryshme. Tradhtar, jugosllav, titistë, enveristë, komunistë, njerëz të Serbisë, udbashë etj., janë vetëm disa nga etiketat që krahët klasifikonin njëri-tjetrin. Sa më shumë thellohej kriza e Kosovës aq më shumë acarohej ky lloj ligjërimi publik, madje ky ballafaqim kaq brutal shpeshherë kishte përfunduar edhe me vrasje. Paslufta, çlirimi, po vazhdonte të përcillej me këtë ton fyerjesh e sharjesh, deri në dehumanizim të njëri-tjetrit. Ishte UNMIK-u, atë kohë që me përfshirjen e të gjitha forcave politike në qeverisje, kishte filluar deri diku ndërtimi i njëfarë miqësimi (së paku në ligjërimin publik). Mirëpo, kishte raste, siç ishin fushatat zgjedhore, ose përvjetorët (sepse të dy krahët i kishin përvjetorët e tyre, dhe për ironi vazhdojnë t’i kenë), që i mërdhisnin shpirtrat e trazuar e idhnak.

Negociatat e Vjenës, grupet punuese të përbashkëta, dinamika dhe kërkesa e procesit i kishte qetësuar liderët politik dhe rrjedhimisht edhe bazat e këtyre partive ishin më të relaksuara. Rruga në kërkim të pushtetit shpeshherë edhe rrënon gjithçka që i del përpara. Rrënon, familje, rrënon miqësi, rrënon parti, rrënon shoqëri, e qe besa e rrënon edhe shtetin. Në këtë kohë shfaqet Lëvizja Vetëvendosje, e cila për t’u futur në hapësirën publike politike duhej që t’i fuste në funksion edhe bërrylat, sepse etablimi i klasës ekzistuese politike tanimë ishte evident. Meqenëse, pushteti asokohe keqpërdorej gati-gati në pervertim, për këtë lëvizje, për liderin e saj, ishte një mundësi e mirë që ta ndërtonte narracionin e tij politik. Shikuar nga sot ai narracion goditjen e kishte në dy rrafshe: në goditjen ndaj korrupsionit, zhvatjes dhe delikuencave tjera që bëheshin nga pushteti dhe në raport me tradhtinë ndaj luftës, ndaj kauzës kombëtare, e deri te mbetja eventuale e Kosovës ose një pjesës së saj nën Serbi, e që ky narracion si bazë apo pikënisje e kishte Marrëveshjen e Rambujesë.

Sa më afër pavarësisë së Kosovës (të cilën Kryeministër Kurti nuk e besonte dhe këtë e proklamonte fuqishëm në publik), ligjërimi publik sa vinte e bëhej edhe më i vrazhdë. Derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë dhe jashtë institucioneve mprihej një diskurs publik brutal, ku me futjen në zgjedhje dhe pastaj në parlament (ku edhe për këtë Kurti kishte deklaruar se pa arritjen e vetëvendosjes futja në institucione vetëm të stërkeq), artikulimi tani kishte formë edhe institucionale. Etiketimet që dikur ishin bërë në mes krahëve politik të lartcekura, tani ishin rikthyer me një dozë edhe më të madhe. “Ai është vrasës”, “ti je kriminel”, “hajna”, “i shantazhuar”, “njeri i Serbisë” etj., këto etiketime ndaj njëri-tjetrit u bënë pjesë thuajse normale e diskutimit publik. Atakoheshin njerëzit ad hominem, familjar e të afërm të politikanëve. Denoncoheshin në publik dhe po aty, në publik, u bëhej gjyqi moral.

Politikan, deputet, prokuror, gjyqtar, kryetar komunash, zyrtar institucional, profesor, mësues e mjek, polic e gazetar po kontribuonin masivisht në degradimin e hapësirës publike. Secili përmes thesit të tij/saj po hidhnin vlerat në koshin e plehrave.Njerëz që nuk ja kishin haberin (e qe jemi shumica ndër ne) se çka do të thotë demarkacion, filluan të shpallnin tradhtar këdo që u dilte përpara. Nëse dikush mundohej të argumentonte racionalisht, përveç që shpallej si i krahut armik, njëkohësisht shpallej edhe budalla, sepse ligjërimi publik kishte degraduar aq shumë sa që të jepej përshtypja se edhe arsyeja kishe marrë valixhet dhe kishte ikur nga këtu. Me rëndësi pushteti parasëgjithash, edhe me kushtin që gjithçka të rrënohet deri në pakthim. Aq shumë u sulmua Republika e Kosovës nga nacionalistët turbofolkë, sa që sot shumë njerëz këtë e përjetojnë edhe si shtet surrogat.

Pra, duke rrënuar gjithçka, çdo gjë dhe çdo kënd vetëm e vetëm për ta ruajtur apo marrë pushtetin, e kemi rrënuar rëndësinë e fjalës. Ligjërimi publik helmues për gjithë këto vite ka krijuar një inflacion të paparë të fjalës. Duke e rrënuar fjalën, rëndësinë e saj, sot si shoqëri e kemi vështirë, të krijomë vlera po se po, ta krijojmë një besim minimal të besimit reciprok. Fjalën e askujt nuk e marrim seriozisht. Secilin e fusim në një kallëp/shabllon që e kemi ndërtuar. Çdo gjë e kemi zhvleftësuar deri në keqardhje, si luftën, si të rënët, si çlirimin, si pavarësinë, si shtetin, e gjithçka që ka të bëjë me një vlerë të caktuar. Aq shumë helm është shpërndarë në publik sa që është arritur të nxitet deri edhe urrejtje ndaj njeri-tjetrit. Prandaj, cilido politikan që është në pushtet ose vjen në pushtet, para se të kërkojë bashkëpunim me të tjerët dhe mirëkuptim nga të tjerët, duhet të kërkojë falje për krizën e shkaktuar nga ligjërimi i tij/saj në hapësirën publike.

Kështu që, ne jemi një shoqëri dhe një shtet i vetëkurthuar, ku edhe arritjen më të madhe të shekullit për ne shqiptarët si: çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe Republikën i kemi devalvuar deri në atë masë sa që pothuajse çdo i dyti është i interesuar të ikën nga ky vend. Thuhet se akti i vrasjes është një proces teknik të cilit i paraprinë vrasja përmes fjalës dhe vetë fjalës mëpastaj.