Ministria e Sportit i ka dërguar Gazetës Express raportet e detajuara për projektet kapitale të stadiumeve në Kosovë, pas kërkesës zyrtare të mediumit.
Dokumentet hedhin dritë mbi shpenzimet e deritanishme, vlerat totale të kontratave dhe afatet e përfundimit për disa nga projektet më të mëdha sportive në vend. Megjithatë, përtej shifrave milionëshe, progresi në terren mbetet i pabarabartë dhe në disa raste shqetësues.
Nga të dhënat rezulton se investimet e planifikuara për stadiumet kryesore arrijnë mbi 36 milionë euro, ndërsa vetëm një pjesë e tyre është shpenzuar deri tani.
Mitrovica: Mbi 6 milionë të shpenzuara, por me vonesa
Projekti i Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë mbetet më i avancuari financiarisht, por edhe këtu nuk kanë munguar problemet.
Vlera totale e kontratës: 12,394,800.00 €
Shpenzuar deri më tani: 6,097,433.54 €
Mbeten për t’u investuar: 6,297,366.46 €
Operator ekonomik është H & B – Consulting SH.P.K., me kontratë të nënshkruar më 14.06.2019 dhe afat 24 muaj, ndonëse tashmë kanë kaluar më shumë se gjashtë vite.
Shpenzimet sipas viteve:
2020: 550,000.00 €
2021: 1,204,270.00 €
2024: 3,245,326.83 €
2025: 1,097,836.71 €
Vetë Ministria e Sportit e pranon se në këtë projekt ka pasur vonesa, duke i arsyetuar ato me mungesën e projektit kryesor dhe lejes ndërtimore, e jo me kompaninë.
Afati aktual i përfundimit: 31.12.2026
Suhareka: Projekt mbi 10.9 milionë euro, por pa punime në terren
Stadiumi i Suharekës rezulton ende në fazë fillestare në dokumente.
Vlera e kontratës: 10,971,578.49 €
Shpenzuar deri tani: 942,921.00 €
Mbeten për investim: 10,028,657.49 €
Kontraktori është H & B – Consulting SH.P.K., me kohëzgjatje projekti 36 muaj.
Ministria thotë se nuk ka vonesa, por Gazeta Express mëson se në terren ende nuk kanë nisur punimet konkrete, çka ngre pikëpyetje mbi ritmin real të projektit.
Afati i planifikuar: 07.08.2028
Gjilani: Kontratë mbi 12.7 milionë euro pas sa e sa viteve pa stadium
Edhe projekti i Stadiumit të Gjilanit është në fazë fillestare.
Vlera e kontratës: 12,783,110.01 €
Shpenzuar deri tani: 2,417,457.91 €
Mbeten për investim: 10,365,652.10 €
Punimet i kryen B&M Group SHPK.
Ministria e Sportit thekson se nuk është raportuar asnjë vonesë, megjithatë duhet theksuar se Gjilani ka mbetur për vite të tëra pa stadium funksional dhe projekti ka nisur me shumë vonesë krahasuar me nevojat e qytetit.
Afati i planifikuar: 19.05.2027
Gjakova dhe Peja: ende pa zhvillime konkrete
Gjakova: Projekti është kontraktuar nga Komuna e Gjakovës. Ndërkohë, bari në stadium është tharë pothuajse menjëherë, duke reflektuar mungesë mirëmbajtjeje dhe planifikimi.
Peja: Projekti është ende në fazën e vlerësimit të ofertave dhe pa kontratë të nënshkruar.
Sa para planifikohen gjithsej?
Bazuar në tre stadiumet kryesore:
Mitrovicë: 12,394,800.00 €
Suharekë: 10,971,578.49 €
Gjilan: 12,783,110.01 €
Totali i planifikuar: 36,149,488.50 €
Totali i shpenzuar: 9,457,812.45 €
Mbeten për investim: 26,691,676.05 €
Ministria thekson se kontratat janë të tipit “Me çelësa në dorë” dhe mbikëqyren në dy nivele, duke shtuar se nuk ka ankesa, pagesa të parregullta apo shkelje të FIDIC Silver Book.
Raportet tregojnë një angazhim financiar të madh për infrastrukturën sportive, por ritmi i realizimit vazhdon të jetë i ngadalshëm, një problem që prej vitesh e ka shoqëruar sportin kosovar.
Me Kosovën që synon të jetë gati për Lojërat Mesdhetare 2030, mbetet të shihet nëse projektet do të përshpejtohen. Deri tani, infrastruktura sportive në vend vazhdon të ecë me hapa të breshkës, ndërsa shumica e milionave ende presin të materializohen në terren. /Gazeta Express/