Kur djali i Kennedy, kandidati për president të SHBA-ve debatonte me ambasadorin Pitarka, që s’i jepte vizë për Shqipëri


Gazeta Express
21 Janar 2020 8:29

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente të nxjerra nga arkivat sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë (tashmë të deklasifikuara), të cilat bëjnë fjalë mbi një korespodencë të misionit diplomatik shqiptar në OKB dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me një kërkesë të bërë nga kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, djali i madh i senatorit amerikan Robert F. Kennedy.

Ai në gushtin e vitit 1989, i paraqiti një kërkesë përfaqësuesit të përhershëm pranë misionit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Pitarka, duke i kërkuar që ata ta paisnin me një vizë, pasi ai dëshironte që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke dhënë dhe shpjegimet e rastit rreth arsyeve që e obligonin  për ta ndërrmarë atë udhëtim, si dhe planet konkrete që ai kishte për ta ndihmuar vëndin e vogël ballkanik. Cili ishte ndërmjetësi që mundësoi takimin në mes politikanit të lartë të SHBA-ve dhe msionit shqiptarë në OKB, që ishte dhe zyrtari i parë amerikan që pritej prej tyre që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe debatet e ashpra që u bënë prej tyre lidhur me arsyet që iu parashtruan atij dhe përgjigjien negative e refuzimin kategorik që Tirana zyrtare po i bënte kërkesës së tij…?!

Në fundin e viteve ’80-të kur në mbarë Europën Lindore kishin filluar dhe po frynin “erërat e Perëndimit”, gjë e cila u “finalizua” me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe hapjen e kufijve të disa shteteve ish-komuniste, si Hungaria etj., (ku turma njerzish vërshuan drejt Gjermanisë Perendimore), në Shqipërinë komuniste dukej se gjërat po rrinin në vënd dhe “ujrat” nuk po lëviznin! Madje po ndodhte e kundërta! Kështu, ndryshe nga pjesa më e madhe e vëndve ish-komuniste të Lindjes që i thanë ok “Perestrojkës gorbaçoviane”, duke e përkrahur dhe zbatuar atë, Ramiz Alia, pasardhësi i Enver Hoxhës, që ishte betuar për “vazhdimësinë”, po i mbahej “fjalës së dhënë”, dhe me qëndrimet e deklaratat e tij, si: “Nuk tundet Taraboshi nga era”, Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim”, “Edhe bar do ham, por parimet nuk i shkelim”, etj., duket se po i çonte sinjale të qarta si Lindjes ashtu dhe Perëndimit, se ato gjëra nuk mund të ndodhnin kurrsesi në Shqipëri.

Dhe nisur nga këto qëndrime dhe deklarata të pasëardhësit të Enver Hoxhës, shumë analistë të huaj që ndiqnin me vëmëndje dhe interes të veçantë ngjarjet në vëndin e vogël komunist më të prapambetur të Evropës, i shihnin me skepticizëm ndryshimet që mund të ndodhnin, kjo edhe për shkak të izolimit gati gysëm shekullor që kishte Shqipëria komuniste dhe që po vazhdonte ende. Ndoshta kjo, edhe për shkak të informacionit të pakët që ata kishin se ç’ndodhte në këtë vënd të vogël të Ballkanit, si dhe një interesi të pakët që po tregonte bota, apo më saktë Perëndimi për të?! Kjo tezë, pra, “interesi i pakët i Perëndimit” ndaj Shqipërisë komuniste, pas viteve ’90-të, është përdorur si një justifikim nga ish-kreu komunist Ramiz Alia e ndonjë tjetër bashkëpunëtorë i tij, për të përligjur jo vetëm vonesën e reformave në aspektin ekonomik dhe politik që ndodhën në Shqipëri, por edhe gjëndjen tejet të mjeruar dhe katastrofike ku e çoi vëndin vija e tyre politike që ndoqën prej gati gjysëm shekulli.

Po, a ka pasur vërtetë një “interes të pakët të Perëndimit”, ndaj Shqipërisë komuniste, të paktën në periudhën “post Enver Hoxha” nën udhëheqjen e Ramiz Alisë?

Duke përjashtuar vizitën e Shtrausit në Shqipëri në mesin e viteve ’80-të dhe negociatat e tij që kishin filluar që në gjalljen e Enver Hoxhës, pothuaj nuk ka asnjë të dhënë apo fakt tjetër që ta konfirmojë këtë gjë. Të paktën publikisht në shtyp apo në librat memuaristikë, nga ish-diplomatë e funksionarë të lartë të asaj kohe që, për arsye pune, j’u dha rasti të merreshin apo të negocionin me zyrtarë të huaja që kishin shprehur interes për Shqipërinë komuniste.

Si p.sh. diplomatët shqiptarë pranë misionit diplomatik të OKB-së, ku në mesin e viti 1989, kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, (pinjoll i familjes së njohur amerikane dhe i biri i Robert Kennedy), bëri demarshe të madha që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke iu premtuar ndihma konkrete dhe duke argumentuar me fakte bindëse se përse kërkonte të vinte për vizitë dhe të ndihmonte Shqipërinë?! Por ata, pra misioni diplomatik shqiptar në OKB, pas refuzimit kategorik që iu bënë eprorët e tyre në Tiranë, jo vetëm që nuk e lejuan politikanin e njohur amerikan që të vinte në Shqipëri, por i nxorrën lloj lloj preteksesh tepër absurde (absudre dhe për atë kohë), dhe nuk ia aprovuan kërkesën e tij?! Madje edhe pas lutjeve dhe kërkesave të një pas njëshme të tij me letra dhe takime, qëndrimi i udhëheqjes së lartë komuniste ishte i prerë: “Joseph Kennedy, nuk duhet të vijë në Shqipëri”

Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, për të ardhur në Shqipëri, si dhe debatet që ai zhvilloi me diplomatët e misionit shqiptar në OKB-së, ky ishte dhe zyrtari i parë amerikan që ata takonin që nga mbarimi i Luftës së Dytë Boterore, etj., na njohin një sërë dokumentesh arkivore (tashmë të deklasifikuara), që publikohen për herë të parë ekskluzivisht nga Memorie.al

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtëme lidhur me kërkesën e gazetarit amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas, për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, që të vijë për vizitë në Shqipëri

 I n f o r m a c I o n

  1. Këto ditët e fundit, gazetari politik amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas ka dërguar një teleks në të cilin thotë se “kongresmeni amerikan Xho Kenedi, nipi i presidentit të ndjerë, do të donte të vizitonte Shqipërinë, me 1 shtator”, së bashku me të.

Kur ishte në Shqipëri për vizitë, Peter Lukasi e ka quajtur Xho Kenedin “mik personal të tij dhe një nga personalitetet më në zë në politikën e jashtëme amerikane, i cili ka influencuar edhe në Kongresin amerikan për miratimin e rezolutës për çështjen e Kosovës”.

Xho Kenedi, kongresmen amerikan, është nip i Xhon F. Kenedit dhe i biri i Robert Kenedit, kandidat për president, i cili edhe ai u vra.

Mendojmë që, për tani, ta evitojmë këtë kërkesë, duke udhëzuar Misionin tonë në New York, që të komunikojmë me Peter Lukasin e t’i thotë atij që këtë çështje ta diskutojmë kur të vijë atje delegacioni ynë, i cili do të marrë pjesë në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së.

2. Kryetari i Lobit shqiptaro-amerikan, Xhozef Dioguardi, me banim në New York, nëpërmjet shqipëtarëve të ndryshëm patriot që jetojnë në SHBA, ka shprehur dëshirën e tij për të ardhur në Shqipëri, si vizitor. Ai ka qenë kongresmen për shtetin e New York dhe tani, si qytetar privat, është vënë në krye të Lobit shqiptar, i cili ka rreth 6 muaj që është krijuar, me synimin kryesor: propogandimin e gjendjes së popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë, si pasojë e dhunës terroriste të shovinizmit serbomadh.

Vetë ai është me origjinë arbëreshe gjë që e propogandon, në çdo rast, me krenari. Tani është polotësisht i angazhuar me drejtimin e veprimtarisë së Lobit, i cili luajti një rol të rëndësishëm në miratimin e rezolutave kundër Jugosllavisë nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, si dhe nga Senati Amerikan. Ai ka njohje të shumta në hierarkinë legjislative të SHBA. Sipas burimeve të lartpërmendura, në asnjë rast publik, nuk ka folur negativisht për vëndin tonë.

Sadoqë rasti i Dioguardit është pak ndryshe nga ai i Xho Kennedit, sepse Dioguardi është qytetar privat dhe ka avantazhin që është me origjinë shqiptare, mendojmë që, për tani, edhe kërkesën e tij ta evitojmë, duke e lënë mundësinë të hapur. Delegacioni ynë, gjatë qëndrimit në New York, të paraqitet të mësojë më shumë për personin dhe veprimet e Dioguardit.

Tiranë, më 17 gusht 1989

………………………………………………………………………………………………………………………….

Letra e kongresmenit Joseph Kennedy, për ambasadorin shqiptar, Bashkim Pitarka, në SHBA

Komiteti Shqiptar për Marrëdhënien Kulturore

E Miqësore me Botën e Jashtëme.

KONGRESI I SHTETEVE TE BASHKUARA

DHOMA E PERFAQESUESVE

WASHINGTON DC 2015

                                                                                                                       5 shtator 1989

Bashkim Pitarka

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë

Përfaqësues i Përhershëm i RPS të Shqipërisë

Pranë Kombeve të Bashkuara

I dashur Ambasador Pitarka,

Po ju shkruaj juve për t’u shprehur me respekt interesimin tim të fortë për të vizituar vëndin tuaj.

Si antar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga Bostoni, shteti i Mesecusets-it jam i interesuar për Shqipërinë nëpërmjet miqve të mij nga komuniteti shqiptar këtu. Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë një kontribut të madh për kombin tonë dhe unë jam i besimit se marrëdhënien më të ngushtë midis popullit të SHBA dhe popullit të Shqipërisë do të ishin në avantazh të të dy vendeve.

Qëllimi i udhëtimit tim do të jetë që të kuptoj më mirë kulturën, historinë dhe nevojat e vëndit tuaj dhe për të arritur një mirëkuptim më të madh të Shteteve të Bashkuara. Nëpërmjet një angazhimi dhe marrëveshjeje reciproke, ne mund të eksplorjmë mundësitë për hapjen e disa lidhjeve ekonomike e kulturore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Për shembull, ne mund të merreshim vesh për shkëmbimin nga të dy vendet të grupeve drejtuesish në fushën e biznesit, akademikëve apo organizatave kulturore. Udhëtime të tilla mund të përdoreshin për të identifikuar më tej mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve me dobi reciproke.

Unë besoj se populli shqiptar ka shumë për t’i ofruar popullit të SHBA-ve dhe unë do të dëshiroja të vizitoja vendin tuaj në mënyrë që të mund të fillonim një dialog. Do të shpresoja se një udhëtim i tillë mund të rregullohej për një periudhë aty nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit tjetër.

Ju falenderoj për shqyrtimin e kërkesës sime. Do të kisha kënaqësinë të takoheshim personalisht me ju, zoti ambasador, kur ta kini ju të mundshme për të diskutuar më tej lidhur me këtë çështje.

Me sinqeritet.

Joseph P. Kennedy II

Antar i Kongresit

……………………………………………………………………………………………………………………………

Udhëzimi nga Tirana: Joseph P. Kennedy, të mos vijë në Shqipëri

SHBA

Nipi i presidentit Kennedy, Joseph Kennedy të mos vijë për vizitë në Shqipëri. Mund të pritet në takim nga ambasadori në qoftë se kërkon dhe me korrektesë t’i thuhet se kjo dëshirë për arsye të njohura të shkallës së marrëdhënieve me SHBA për tani nuk realizohet (nga SHBA nuk shohim ndonjë gjest ndaj Shqipërisë që ta justifikonte një Vizitë të tillë).

  • Ish senatori De Guardia në qoftë se kërkon të vijë, meqenëse ai është arbëresh, kërkesa e tij mund të shihet.
  • Funksionarë të organizatave ndërkombëtare amerikane dhe sovjetike të mos pranohet të vijnë në Tiranë.…………………………………………………………………………………………………………………

Informacioni i ambasadorit Pitarka për Ministrinë e Jashtëme në Tiranë lidhur me kërkesën e kongresmenit, Joseph P. Kennedy, që kërkonte me insistim vizë për në Shqipëri

Prot. Nr. 383                                                                               New York, me 15.10.1989

MINISTRISË SE PUNËVE TË JASHTME

                                                                                                             T I R A N Ë

Bashkëlidhur ju dërgojmë dokumentat:

  1. Informacionin “Mbi kërkesën e kongresistit amerikan Joseph P. Kennedy II për të vizituar vëndin tonë dhe takimin e tij në mision punuar nga shokët Bashkim Pitarka dhe Sazan Bejo;
  2. Informacion “Mbi debatin e përgjithshëm të komisionit ekonomik e financiar”, punuar nga sh. Kadri Cenko.

                                                                                                Përfaqësuesi i Përhershëm

                                                                                                       (Bashkim Pitarka)

                                                                      I N F O R M A C I O N

Mbi kërkesën e kongresmenit Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision

Siç dihet në korrik të këtij viti gazetari me origjinë shqiptare nga Bostoni, Peter Lucas, i dërgoi një telegram në Tiranë, me anën e të cilit lutet të ndihmohet për vajtjen për vizitë private në vendin tonë të antarit të Kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II. Me 5 shtator 1989 vetë kongresisti amerikan Joseph Kennedy, në një letër drejtuar titullarit të misionit tonë pranë OKB-së, Bashkim Pitarka, paraqiste kërkesën e tij për të shkuar për një vizitë private në Shqipëri, duke e argumentuar me dëshirën e tij për të parë e njohur vendin tonë si mik i komunitetit shqiptaro-amerikan të elektoratit të tij të shtetit Meseçusets dhe për “të hapur një dialog për eksplorimin e mundësive për vendosjen e lidhjeve ekonomike e kulturore midis Shqipërisë dhe SHBA”.

Duke insistuar në kërkesën e tij për të realizuar këtë vizitë, kongresisti J. Kennedy mori në telefon misionin tonë dhe kërkoi të flasë me titullarin dhe me që ky i fundit nuk ndodhej në mision u lut që ai t’ia kthente telefonatën. Sh. Bashkim Pitarka sipas udhëzimeve e mori në telefon dhe pasi dëgjoi përsëri kërkesën e kongresistit Kennedy, për organizimin e vizitës në Shqipëri, i tha shkurt se tani për tani nuk mund të realizohet kjo vizitë e se meqënëse në telefon nuk mund t’i jepte shpjegime më të hollësishme, ishte i gatëshëm ta priste kongresmenin në takim në mision kur t’i paraqitej atij rasti për të ardhur në New York. Në fakt kërkesën për takimin kongresisti e bëri pas disa ditëve nëpërmjet mikut të tij, gazetarit P. Lukas.

Me datën 13 shtator 1989 pritëm në selinë e misionit tonë pranë OKB-së në New York antarin e Dhomës së përfaqësuesve të kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II, përfaqësues i shtetit të Meseçutes. Në takim ai shoqërohej nga dy shqiptarë, P.Lukas dhe Lul Theodhos, si dhe nga ndihmësi i tij ekzekutiv James E. Mahoney. Nga misioni ynë morën pjesë Bashkim Pitarka dhe sekretari i parë i misionit, Sazan Bejo.

Kongresisti J. Kennedy, pasi falenderoi me përzemërsi që u prit nga ne në misionin shqiptar dhe shprehu kënaqësinë e tij për njohjen me ne, ndër të tjera tha: “Siç u kam shpjeguar edhe në letrën që u kam dërguar para disa kohësh, si dhe në bisedën që m’u dha rasti të kem me ju në telefon, unë kam kohë që dëshiroj të shkoj për një vizitë private në Shqipëri. Kjo dëshirë më ka lindur jo vetëm thjeshtë nga interesimi për të parë një vënd si Shqipëria, të cilën nuk e njohim shumë, por edhe i nisur nga miqësia që ndjej për miqtë e mij të komunitetit me origjinë shqiptare të elektoratit tim në Meseçustes, i cili ka dhënë e jep një kontribut shumë të vlefshëm për kombin tonë. Unë gjithashtu jam nisur edhe nga predispozicioni im pozitiv e miqësor për të kontribuar në njohjen dhe afrimin midis dy popujve tanë. Kam shumë dëshirë, pra, që ju të ndërmjetësoni për të m’u dhënë mundësia të shkoj për vizitë në Shqipëri, që të njihem nga afër me popullin e vendin tuaj, me kulturën, historinë dhe jetën e nevojat e vendit tuaj, si dhe për të dhënë një kontribut direkt për arritjen e një mirkuptimi më të gjerë për SHBA. Ka ardhur koha që të merret iniciativa për vendosjen e lidhjeve e kontakteve për të arritur në përmirsimin e vendosjen e marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve tona. Kjo do të ishte në dobi të të dy vendeve. Një arritje e tillë do të plotësonte edhe dëshirën e vjetër e shumë të madhe të qytetarëve tanë shqiptaro-amerikan, të cilët për një kohë tashmë shumë të gjatë kanë mbetur pa lidhje me atdheun e tyre të origjinës. Këtu e kam fjalën sidomos për brezat më të rinj, që janë rritur pa e parë e njohur atë. Nga miqtë e mij shqiptaro-amerikan, kam mësuar për zhvillimin e vendit tuaj dhe ndryshimet që kanë ndodhur atje. Kam mësuar se kini arritur një zhvillim të mirë të bujqësisë, arsimit e kulturës dhe në fusha të tjera; se vëndi juaj nuk ka probleme të mprehta sociale, si krimet, papunësia, etj,. Mbi të gjitha më kanë thënë se kini një vend e natyrë shumë të bukur, të cilin kam vërtetë dëshirë e pasion për ta parë nga afër.

Unë, vazhdoi J. Kennedy, vërtetë jam një zyrtar qeveritar, një antar i Kongresit amerikan, por megjithatë dua që vizita ime të jetë …./Memorie.al

20200120_223218
20200121_013647
IMG-20200120-WA0002
IMG-20200120-WA0003
IMG-20200120-WA0004
IMG-20200120-WA0005
IMG-20200120-WA0007
IMG-20200120-WA0008

Te fundit


Kthehu lart