Kur diskriminimi institucional nuk fshihet më – rasti Stoilkoviq është alarm për shqiptarët - Gazeta Express
string(89) "kur-diskriminimi-institucional-nuk-fshihet-me-rasti-stoilkoviq-eshte-alarm-per-shqiptaret"

Maqedoni

Gazeta Express

18/06/2025 19:59

Kur diskriminimi institucional nuk fshihet më – rasti Stoilkoviq është alarm për shqiptarët

Maqedoni

Gazeta Express

18/06/2025 19:59

OPINION – Driton Zenku

Ajo që po ndodh në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nuk është vetëm një ndarje selektive fondesh. Është një manifest i pastër politik që ka për qëllim të ndryshojë balancën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut dhe të relativizojë rolin e shqiptarëve në këtë shtet.

Ivan Stoilkoviq, i njohur për qëndrimet e tij të hapura anti-shqiptare dhe nostalgjinë për ideologjitë që ky shtet i ka lënë pas, ka zgjedhur të shpërndajë fondet publike sikur të ishin pronë personale apo ekskluzivitet etnik. Dhe askush nuk e fsheh më këtë:
📌 29 projekte për maqedonasit,
📌 5 për serbët,
📌 3 për romët,
📌 dhe vetëm 3 për shqiptarët – komunitetin e dytë më të madh në shtet!

Ky është jo vetëm diskriminim. Ky është përçmim institucional ndaj një komuniteti që ka qenë themelues dhe garant i Marrëveshjes së Ohrit, që ka kontribuar për stabilitetin e vendit dhe që ka mbajtur gjallë aspiratat euroatlantike të Maqedonisë së Veriut në vitet më të vështira.

Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë rast është fakti se kjo ministri ka qenë historikisht e udhëhequr nga kuadro shqiptare – dhe këtë nuk e them për nostalgji, por për të rikujtuar se pozita ka peshë simbolike. Kjo është hera e parë që bie në duar të një politikani serb, i cili, në vend se të veprojë si ndërmjetës mes komuniteteve, po i përdor mjetet shtetërore për të ushqyer ndasi dhe për të shtypur zërin shqiptar në skenën qytetare.

Zëri ynë nuk duhet të heshtet.

E kemi për detyrë të flasim. E kemi për detyrë të reagojmë. Sepse nëse heshtim sot, nesër do të na numërojnë si pakicë, do të na përjashtojnë nga institucionet, do të na përfaqësojnë me 3 projekte në vit – dhe do të thonë se ky është barazimi i ri.

Shqiptarët nuk janë komunitet që pranon të trajtohet si dekor. Nuk janë pakicë për përqindje simbolike në raporte vjetore. Janë faktor shtetformues.

Dhe kjo nuk është vetëm çështje numrash. Është çështje dinjiteti.