Duke qenë një nga vendet që tashmë e ka kaluar pragun e mëparshëm prej 2%, Turqia e ka mbështetur vendimin e NATO-s për të rritur objektivin e shpenzimeve për mbrojtje në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, me qëllimin për t’i dhënë prioritet mbrojtjes ajrore.
Sipas një burimi nga ministria e Mbrojtjes turke, Reuters raporton se pas kësaj rritjeje vendi do t’i japë përparësi mbrojtjes ajrore, e në veçanti investimeve në projektin kombëtar “Kupola e Çeliktë” – një rrjet i mbrojtjes ajrore me shtresa të shumëfishta në gjithë vendin.
“Po investojmë në sisteme të mbrojtjes ajrore, aftësi për raketa hipersonike, balistike dhe me lundrim, sisteme të telekomanduara tokësore, detare dhe ajrore, si dhe në aeroplanmbajtëse të gjeneratës së ardhshme, fregata dhe tanke,” ka thënë burimi.
Ndërkohë, edhe lideri turk Recep Tayyip Erdogan sipas mediave turke, gjatë fluturimit të tij nga Haga ka thënë se Turqia ka nevojë të ndërtojë një paketë të shumëfishtë sistemesh për mbrojtjen ajrore.
“Është shumë e rëndësishme për ne të kemi raketa në lartësi të ndryshme, të cilat do të funksionojnë në harmoni si organet e një trupi.”
Dihet se Turqia prej kohësh se po punon për të ngritur kapacitetet e saj mbrojtëse, përfshirë raketat me rreze të gjatë, edhe pse zyrtarët dhe analistët thonë se projekti “Kupola e Çeliktë” – i ngjashëm me “Kupolën e Hekurt” të Izraelit – është ende larg realizimit.
“Kupola e ֔Çeliktë”, e përshkruar si “ombrella e sigurisë” së vendit në qiell, ofron mbrojtje me faza dhe të integruar kundër kërcënimeve në lartësi të ulëta, të mesme dhe të larta, përmes sistemeve të zhvilluara nga kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes.