Pas akuzave të deputetit të PDK-së, Artan Behrami, se Presidentja Vjosa Osmani ka vazhduar “në mënyrë tinëzare” mandatin e EULEX-it dhe, siç pretendon ai, “rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale”, ka reaguar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Kupina i ka quajtur pretendimet e Behramit “të pavërteta” dhe ka theksuar se presidentja nuk ka as kompetenca ligjore për të vazhduar apo ndikuar në mandatin e Gjykatës Speciale, pasi ky është i përcaktuar me amendament kushtetues të miratuar me shumicën e 2/3 të Kuvendit të Kosovës.
“Deputeti Artan Behrami është mirë të mos shpif. Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të Gjykatës Speciale. Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amendament kushtetues dhe nuk mund të ndryshohet, ndërpritet apo vazhdohet nga Presidenca,” deklaroi Kupina.
Kupina ka sqaruar se Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë lidhur me mandatin e EULEX-it, edhe pse një veprim i tillë është brenda kompetencave të saj, ashtu siç kishte ndodhur më herët edhe gjatë mandatit të Presidentit Thaçi.
“Vazhdimi i mandatit të EULEX-it është përcaktuar në vendimin e Këshillit të BE-së të datës 5 qershor 2025, vendim ky që është publik,” theksoi këshilltari i Presidentes.
Reagimi vjen pasi deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në një reagim të mëhershëm në rrjete sociale, e ka quajtur veprimin e presidentes “skandaloz”, duke pretenduar se ajo përmes “shkëmbimit të letrave me BE-në” e ka vazhduar mandatin e EULEX-it në mënyrë të fshehtë dhe pa debat publik.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes shkëmbimit të letrave me BE-në ka vazhduar mandatin e EULEX-it, rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale në Kosovë. Këtë e ka bërë në mënyrë tinëzare, pa debat publik, në mënyrë të fshehtë. Ajo po e fsheh përmbajtjen,” ka shkruar Behrami, duke shtuar se “vazhdimi i misionit të EULEX-it, pas padrejtësive në Gjykatën Speciale e pa debat, është skandaloz”.
Ai ka kritikuar Presidenten se nuk ka kërkuar garanci nga EULEX për lirim nga paraburgimi dhe mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
aaaaa