Ka gjashtë muaj që në Kosovë s’ka një ambasador të ri të SHBA-së. Në një intervistë për Gazetën Express, analisti dhe profesori amerikan, Charles Kupchan, thotë se mosemërimi i pasuesit të Jeff Hovenier nga Shtëpia e Bardhë, ka të bëjë me faktin se Administrata Trump II është në fillim të mandatit dhe ka një numër të madh çështjeve me të cilat është duke u marrë në të njëjtën kohë, si Ukraina, Gaza, tarifat e deri tek Kina, shkruan Gazeta Express.
“Pra, s’është e pazakontë që duhet kohë për të verifikuar njerëzit dhe për të emëruar ambasadorët”, ka thënë Kupchan për Gazetën Express duke shtuar se nuk e sheh këtë çështje si një qëndrim politik mospajtues të SHBA-së lidhur me Kosovën.
“Mendoj se thjesht po i duhet kohë Trumpit për të shqyrtuar listën e gjatë të pozicioneve që duhen plotësuar”, ka potencuar ai për Express.
Kupchan mbetet në të njëjtin qëndrim që s’ka hapësirë për shqetësim nga ana e Kosovës edhe përkundër faktit se tashmë ka disa javë që dihet se kush do të jetë ambasadori i ri SHBA-së në Beograd.
Profesori amerikan thotë se me siguri ka shumë shtete në të cilat ende s’ka ambasadorë të emëruar dhe se është shumë herët për të supozuar se mosemërimi i një ambasadori të ri të SHBA-së në Prishtinë mund të jetë një lloj ndëshkimi për Kosovën.
“Pra, përsëri, mendoj se është shumë herët për të supozuar se ky është një lloj ndëshkimi”, ka shtuar Kupchan.
Sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës, Kupchan thotë se Trump e ka bërë të qartë se dëshiron që Evropa të bëjë më shumë për t’u kujdesur për punët e veta, sidomos ato që lidhen me aspektet e sigurisë, ndërkohë që vetë dëshiron të përqendrohet në Indo-Paqësor dhe Hemisferën Perëndimore.
Profesori amerikan megjithatë kujton faktin se gjatë mandatit të parë, Trump ishte angazhuar në Ballkanin Perëndimor përmes Richard Grenell dhe thotë se nuk pret që Administrata Trump II ta shpërfill dialogun Kosovë-Serbi dhe problemet me të cilat përballet Bosnje e Hercegovina.
“Por mendoj se do të duhet kohë për t’u riangazhuar kur diplomatët e lartë janë kaq të përqendruar në Ukrainë, Rusi, Lindjen e Mesme, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe negociatat për tarifat”, ka thënë ai.
Profesori i Georgetwon University nuk pret që niveli i lartë i politikës të merret me problemet në Ballkanin Perëndimor, por thotë se një komunitet politik në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit do të angazhohen, ndërkohë që gjërat në Uashington shkojnë duke u qetësuar.
Kupchan konfirmon se ka pakënaqësi në Uashington me liderin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, dhe se ka pajtim në dy kampet politike në SHBA se Kurti ka ndërmarrë veprime provokative në Veri që e kanë penguar dialogun me Serbinë.
“A ka pakënaqësi në Uashington me Kurtin? Po. Mendoj se ekziston një pikëpamje që ndajnë Demokratët dhe Republikanët njësoj se ai ndërmori veprime provokuese që penguan dialogun me Serbinë”, ka thënë Kupchan për Express.
Profesori amerikan thotë se në SHBA ka shqetësim edhe për faktin që Kosova s’është në gjendje të krijojë një Qeveri të re dhe se kjo mungesë institucionesh në Kosovë e kombinuar me situatën politike në Beograd, i bën të duken gjërat e trazuara.
Sipas Kupchan, SHBA-së vetëm po i duhet kohë për të ndërtuar ekipin me të cilin do të riangazhohet në zhvillimet në Ballkan Perëndimor dhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dhe ka shqetësim në Uashington se Kosova nuk është në gjendje të formojë një qeveri të re. Dhe pastaj kur e kombinon atë që po ndodh në Prishtinë me trazirat politike dhe paqëndrueshmërinë në Beograd, gjërat duken të trazuara. Dhe kështu mendoj se ka shqetësim në Uashington për situatën këtu, dhe thjesht po duhet kohë për të ndërtuar ekipin që do të riangazhohet”, është shprehur profesori amerikan.
Ajo që ka ndodhur në të kaluarën dhe veprimet e Kurtit në Veri dhe në raport me aleancat si SHBA dhe BE, Kupchan thotë se do të kenë një ndikim në atë se si do të vazhdojë raporti Kosovës dhe SHBA-së në të ardhmen.
Njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, thotë se nëse Kurti do të fitojë një mandat të ri si kryeministër, e inkurajon që të ketë një angazhim më të madh në procesin e dialogut dhe lëvizje në krijimin e Asociacionit.
“Po. Mendoj që Kurti ka bërë një dëm në raportin e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në. Dhe nëse do të ketë një qeveri të re së shpejti dhe Kurti merr një mandat të ri, do ta inkurajoja një angazhim më të madh në procesin e dialogut. Do të inkurajoja lëvizjen për Asociacionin e Komunave Serbe”, shprehet ai.
Kupchan shton se nëse do të ishte në vend të Kurtit, do të përpiqej të dërgojë sinjale në Bruksel dhe Uashington se Kosova dëshiron të ecë përpara me dialogun dhe të ecë përpara për të zbatuar marrëveshjen e arritur nën ndërmjetësimin e BE-së. Sipas profesorit amerikan, nëse do të ketë veprime drejt themelimit të Asociacionit, imazhi i Kosovës në sytë e Uashingtonit dhe Brukselit do të ndryshojë.
Në fund të intervistës, duke biseduar për krizën aktuale politike, Kupchan thotë se është lajm i mirë që Kosova është një demokraci normale perëndimore, pra ku ka polarizim politik njejtë sikurse në SHBA, Francë apo Gjermani.
“Ajo që po ndodh në Kosovë është pjesë e një historie më të gjerë të përçarjes politike dhe mosfunksionimit demokratik. Mund të thuhet se Kosova tani është në të njëjtën situatë si shumë demokraci të tjera. Do të thosha se salca e veçantë e demokracisë është konsensusi dhe kompromisi”, ka thënë Kupchan, i pyetur nëse ka një mesazh për liderët politikë në Kosovë.
Profesori amerikan thotë se me aq sa e kupton situatën politike në Kosovë, pengesa më e madhe është Albulena Haxhiu të cilën Kurti e ka propozuar për kryetare të Kuvendit. Ai bën thirrje që Lëvizja Vetëendosje dhe partitë e tjera të gjejnë kompromis për formimin e institucioneve të reja, meqë Kosova ka shumë probleme brenda dhe jashtë se s’mund ta përballojë një humbje të tillë kohë.
“Do t’i inkurajoja anëtarët e partisë së Vetëvendosjes, si dhe partitë opozitare, të përqendrohen në konsensus dhe kompromis dhe të arrijnë në një zgjidhje për Kryetarin e Parlamentit, të formojnë një qeveri dhe të vazhdojnë punën. Sepse Kosova përballet me shumë sfida si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe nuk mund të përballojë të humbasë shumë kohë”, ka përfunduar Charles Kupchan./GazetaExpress/
aaaaa