Suksesi kolektiv është ambicia e çdo lojtari që do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës për Klube FIFA 2025, por në fund të turneut do të ketë edhe çmime individuale për t’u ndarë.
Edhe pse pak prej tyre do ta pranonin publikisht dëshirën për të fituar Topin e Artë të turneut – çmimi që i jepet lojtarit më të mirë – nuk ka asgjë të keqe të shpallesh më i miri ndër më të mirët.
Fatkeqësisht për ata që synojnë këtë çmim, konkurrenca është e ashpër. Një mori prej lojtarëve më të mirë në botë do të garojnë në këtë turne, të gjithë me ambicien për të dalë mbi rivalët e tyre.
Më poshtë janë disa nga favoritët kryesorë për të fituar Topin e Artë në Kupën e Botës për Klube.
Tradicionalisht, ky çmim i jepet një lojtari nga skuadra fituese ose të paktën nga njëra prej skuadrave që arrin larg në turne. Për këtë arsye, është e vështirë të mendosh përtej elitës europiane.
Real Madrid ka disa lojtarë që mund ta fitojnë këtë çmim, por Kylian Mbappé ndoshta shkëlqen më shumë se të tjerët. Gjatë një sezoni të vështirë 2024–25, francezi arriti gjithsesi të shënojë plot 43 gola në 56 paraqitje – një bilanc mbresëlënës për sezonin e tij të parë. Vinícius Júnior është një tjetër pretendent nëse “Los Blancos” shkëlqejnë, ndërsa Jude Bellingham mund të jetë lojtari kyç në mesfushën sulmuese.
Kampionët e sapokurorëzuar të Evropës, Paris Saint-Germain, gjithashtu kanë mjaft yje në përbërje. Ousmane Dembélé, që u shpall Lojtari i Sezonit në Ligën e Kampionëve, pritet të ketë ndikim të madh, ndërsa Désiré Doué do të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara plot vetëbesim pas paraqitjes spektakolare kundër Interit në finalen e Ligës së Kampionëve. Khvicha Kvaratskhelia dhe Vitinha janë emra të tjerë që mund të shkëlqejnë për skuadrën franceze.
Manchester City nuk pati sezonin më të mirë në 2024–25, por gjithçka është e mundur kur ke në përbërje Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez mund të konkurrojë me ish-shokun e tij të skuadrës, Cole Palmer, i cili tashmë luan për Chelsean dhe kërkon të lërë gjurmë në SHBA. Rodri është një tjetër lojtar për t’u mbajtur në vëmendje, teksa rikthehet nga një dëmtim, edhe pse mund të ketë nevojë për një periudhë adaptimi.
Harry Kane, Michael Olise dhe Jamal Musiala pritet të jenë ndër ata që do të shkëlqejnë për Bayern Munich, ndërsa Julián Álvarez i Atlético Madrid vjen në këtë turne pas një sezoni debutues të shkëlqyer në kryeqytetin spanjoll.
Jashtë Europës, ekziston një emër i vetëm që bie në sy: Lionel Messi. Fituesi tetë herë i Topit të Artë është një magnet për trofe, si kolektivë, ashtu edhe individualë. Edhe pse nuk pritet që Inter Miami të përbëjë rrezik serioz për skuadrat më të mëdha në këtë Kupë Bote për Klube, argjentinasi padyshim që do të lërë gjurmën e tij magjike në këtë garë.
Në edicionin e mëparshëm të Kupës së Botës për Klube, Topi i Artë është ndarë 20 herë. Messi është i vetmi lojtar që e ka fituar dy herë (2009, 2011), ndërsa Vinícius dhe Rodri janë fituesit e dy edicioneve të fundit.
Mbrojtësit rrallë e fitojnë këtë çmim, por Thiago Silva dhe Sergio Ramos – që të dy do të marrin pjesë në këtë edicion – e kanë fituar më parë. Ndërkohë, dy portierë brazilianë, Rogério Ceni dhe Cássio, janë të vetmit gardianë që kanë marrë këtë nderim.
Luis Suárez dhe Luka Modrić janë dy fitues të tjerë të së kaluarës që teknikisht mund ta fitojnë për herë të dytë këtë vit, ndonëse është shumë pak e mundshme që ndonjëri prej tyre ta arrijë këtë./GazetaExpress/