Kumnova i reagon deklaratës së drejtorit të ATK-së: Nuk mund të kushtojë 20 euro - Gazeta Express
string(79) "kumnova-i-reagon-deklarates-se-drejtorit-te-atk-se-nuk-mund-te-kushtoje-20-euro"

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 13:39

Kumnova i reagon deklaratës së drejtorit të ATK-së: Nuk mund të kushtojë 20 euro

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 13:39

“Bizneset duhet të pajisen me arka fiskale, mund të gjobiten më vonë për kohën që nuk kanë deklaruar të ardhura”. Kështu ka deklaruar ndër të tjerash Kestrin Kumnova, përfaqësues i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Në një intervistë të realizuar së fundmi, ai është shprehur i habitur me deklaratat e fundit të drejtorit të ri të ATK-së, Mentor Hyseni, i cili në paraqitjet e fundit televizive ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimin Administrativ 01/2025 të nënshkruar nga Hekuran Murati në fund të vitit 2024, e i cili kishte për qëllim reformën në sistemin fiskal, konkretisht digjitalizimin e këtij sistemi.

Por, sipas Kumnovës, një proces i tillë është i pamundur – të paktën tani për tani, duke marrë parasysh që sipas tij këtë proces e kishin filluar edhe pushtetet e kaluara, por që ose kishin dështuar ose ishin tërhequr kur procesi i digjitalizimit kishte rezultuar me kosto më të lartë sesa ai aktual për bizneset.

“Deklarata e z.Hyseni se me digjitalizimin e sistemit fiskal, një biznes do të shpenzojë vetëm 20 euro është plotësisht e pavërtetë”, ka deklaruar Kumnova, duke thënë se një biznes me arkë digjitale do të shpenzonte të paktën mbi 600 euro.

Krejt kjo situatë, nënshkrimi i Udhëzimit Administrativ nga ministri në detyrë Hekuran Murati për reformën e sistemit fiskal, nisja e këtij procesi, mungesa e transparencës, mos-koordinimi me përfaqësuesit e bizneseve, dyshimet për konflikt interesi dhe keqpërdorime të tjera, shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ nga Gjykata Supreme dhe vazhdimi i promovimit të kësaj reforme që aktualisht rezultoi e kundërligjshme, i ka hutuar edhe bizneset të cilat aktualisht nuk dinë nëse duhet të pajisen me arka fiskale apo të vazhdojnë veprimtarinë e tyre jashtëligjshëm, duke iu shmangur tatimit nga shteti.

Kestrin Kumnova nga Aleanca Kosovare e Bizneseve ka deklaruar se i gjithë procesi i digjitalizimit të sistemit fiskal ka qenë i dyshimtë, duke u bazuar kështu edhe në publikimet në media, përfshirë këtu edhe hulumtimin e Gazetës Nacionale që raportoi për dyshimet për konfliktin e interesit në procesin e digjitalizimit.

Dyshimet e bazuara për konflikt interesi

Drejtori i ri i ATK-së, Mentor Hyseni, në paraqitjet e fundit televizive ka deklaruar se procesi i digjitalizimit të arkave fiskale ishte tentuar të realizohej edhe më herët por kishte dështuar dhe ishte me kosto të lartë.

Sipas Hysenit, Ministria e Financave dhe ATK-ja gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë nisur këtë proces me kosto shumë më të vogël duke angazhuar ekspertë brenda ATK-së dhe ekspertë të jashtëm. Sipas tij, krejt ky proces do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 200 mijë euro.

Këtu u ngritën edhe dyshimet e para. Një proces kaq i rëndësishëm dhe reformues me një kosto kaq të ulët? Pa transparencë?

Bazuar në hulumtimin e Gazetës Nacionale doli që njëri nga ekspertët e brendshëm të angazhuar nga ATK, ishte Albert Hajrizaj, i cili më herët kishte mbajtur pozitën e Menaxherit të Zhvillimit të Aplikacioneve brenda ATK-së, ndërsa aktualisht është i angazhuar si zyrtar i IT-së në ATK.

Ndërkaq, për ekspert të jashtëm, ATK-ja kishte zgjedhur Fitim Skenderin, i cili rezultoi të ishte nipi i Albert Hajrizajt.

Se si ndodhi angazhimi i këtij eksperti të jashtëm për të zhvilluar një softuer që kinse do të përdoret në arkat digjitale pasi që ato të implementohen, kjo nuk është bërë asnjëherë e qartë nga ATK-ja ose Ministria e Financave.

Gazeta Nacionale kishte provuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga ATK-ja, por edhe nga Fitim Skenderi, por të njëjtit nuk janë përgjigjur – ani pse kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga dita kur i janë dërguar pyetjet për këto çështje.

Pse bizneset në huti?

Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, gjatë paraqitjeve të fundit televizive, sa herë që është diskutuar procesi i digjitalizimit të arkave fiskale, ka deklaruar se nga pozita që ka nuk dëshiron të komentojë vendimin e Gjykatës Supreme, por në të njëjtën kohë e ka promovuar digjitalizimin e sistemit fiskal, ani pse ky proces aktualisht ka rezultuar i kundërligjshëm.

Hyseni ka shkuar aq larg saqë ka deklaruar se ATK-ja nuk po kryen as kontrolle të ashpra tek bizneset, duke konfirmuar se janë rreth 20 mijë arka fiskale pasive të bizneseve, të cilat sipas tij po ‘kursehen’ dhe nuk po gjobiten.

Por, ai asnjëherë nuk kishte sqaruar detajisht pabarazinë që po krijon mes bizneseve, duke marrë parasysh se bazuar në deklaratat e tij në anën tjetër janë rreth 50 mijë biznese që paguajnë tatime dhe deklarojnë përmes arkave fiskale.

Kjo ka ngritur shqetësime tek shumë biznese që përfaqësohen nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i AKB-së, Kestrin Kumnova, i cili ka thënë se është e çuditshme të dëgjosh drejtorin e ATK-së të deklarohet kaq lirshëm për këto çështje, duke konfirmuar se ATK-ja po e “legjitimon” evazionin fiskal tek disa biznese duke i kursyer nga gjobat, me arsyen se janë në pritje të sistemit digjital të arkave fiskale, i cili aktualisht nuk mund të ndodh sipas Kumnovës.

Për të gjitha këto arsye, Kumnova ka bërë thirrje tek drejtori i ATK-së që të përmbahet nga deklaratat publike që ndikojnë tek bizneset dhe iu ka bërë thirrje bizneseve që të pajisen me arka fiskale sepse mund të pësojnë në të ardhmen.