Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot gjatë një interviste për Radio Televizionin Shqiptar nga Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Berlin, se prezantimi i Shqipërisë ditën e djeshme në sytë e gjithë botës, e operatorëve turistikë dhe sipërmarrësve të ndryshëm, kishte një emërues të përbashkët: fjalën dinjitet.
“Ajo që i bashkoi të gjithë në emocionin e tyre, shqiptarë dhe të huaj, por sidomos gjithë publiku shqiptar dhe gjithë operatorët, mbi 100 operatorë privatë që kanë marrë pjesë në këtë panair dhe shumë agjenci shtetërore ishte fjala: dinjitet.
Ka ardhur koha që e gjithë puna prej dekadash e sektorit të turizmit dhe në një sinergji me pushtetin vendor dhe qendror, sot iu shfaq botës me kartën e dinjitetit, profesionalizmit të diversifikuar nga festivali kulinar që përmbylli mbrëmjen dje, Teatrit të Operas dhe Baletit, tradita shqiptare dhe sidomos gjithë prezantimi i imazheve të Shqipërisë nga Shkodra deri në Korçë, nga Tropoja në Konispol, nga Vlora në Gjirokastër ku praktikisht disa mijëra njerëz që vijnë nga bota e biznesit dhe turizmit që asistuan në ceremoninë e hapjes dolën me një premtim: Duhet me patjetër të kthehemi në Shqipëri, ose duhet të rikthehemi se nuk paskemi parë gjë akoma”, thotë Kumbaro.
Sa i përket parashikimeve për numrin e turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë 2025-ës, ministrja Kumbaro theksoi duke iu referuar shifrave të dy muajve të parë të vitit se ka një rritje me 14-20% për janarin dhe shkurtin krahasuar me vitin e kaluar.