Policia e Tepelenës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, si pjesë e zbatimit të planit operacional “Koordinata”, që synon parandalimin dhe evidentimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrolleve intensive të territorit, edhe me ndihmën e dronëve, forcat policore zbuluan një parcelë me 194 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, të mbjella në afërsi të një banese në fshatin Mezhgoran.
Në lidhje me këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. C., 64 vjeç dhe E. C., 35 vjeç, babë e bir, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.
Nga vendi i ngjarjes u sekuestrua një pjesë e vogël e bimëve në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Policia bën me dije se kontrollet në territor do të vijojnë me intensitet për të parandaluar dhe goditur çdo tentativë për kultivim të lëndëve narkotike.