Një nutricioniste e njohur ka paralajmëruar se një zakon i përditshëm – ngrënia e pakontrolluar mes vakteve – mund të çojë në rritje të nivelit të kolesterolit.
Ajo ndau gjithashtu disa këshilla për ushqyerje më të shëndetshme dhe sqaroi disa keqkuptime të zakonshme rreth ushqimeve “snack”.
Abby Coleman, specialiste e nutricionit për performancë në “The Edge”, një qendër e avancuar për performancë njerëzore dhe ushqyerje që përdoret edhe nga sportistë profesionistë, theksoi se shumë njerëz nënvlerësojnë sasinë e ushqimeve që konsumojnë mes vakteve.
Ajo shpjegoi se ushqime si patatinat, biskotat dhe ëmbëlsirat janë shumë të lehta për t’u konsumuar, pasi përmbajnë nivele të larta sheqeri, kripe dhe yndyrash të ngopura – gjë që i bën tërheqëse për shijen. Megjithatë, këto ushqime kanë pak fibra dhe proteina, ndaj nuk krijojnë ndjesi ngopjeje për një kohë të gjatë.
Sipas saj, problemi nuk qëndron te vetë ngrënia mes vakteve, por te teprimi i vazhdueshëm. Ky zakon mund të çojë në shtim në peshë, rritje të kolesterolit (për shkak të yndyrave të ngopura), rrezik më të lartë për diabet të tipit 2 dhe tension të lartë të gjakut.
Ajo thekson se konsumimi i pakontrolluar i ushqimeve me vlera të ulëta ushqyese dhe të pasura me sheqer, kripë dhe yndyra është problematik, sidomos kur bëhet pa vetëdije. Në vend që të shmangen plotësisht “snack”-et, ajo rekomandon zgjedhje më të shëndetshme që përputhen me qëllimet personale, si shëndeti, performanca fizike dhe përbërja trupore.
Nutricionistja foli edhe për disa ushqime që shpesh konsiderohen të pashëndetshme, por që në të vërtetë mund të jenë të dobishme nëse konsumohen me masë. Një prej tyre janë vezët.
Ajo shpjegon se, ndonëse e verdha e vezës përmban kolesterol, për shumicën e njerëzve kolesteroli nga ushqimi ka ndikim të vogël në nivelin e kolesterolit në gjak. Studimet që lidhin konsumimin e vezëve me sëmundjet e zemrës nuk janë përfundimtare.
Përkundrazi, vezët janë shumë ushqyese: ato ofrojnë proteina cilësore, vitamina të rëndësishme (si vitamina D dhe kompleksi B), kolinë dhe antioksidantë që ndihmojnë në ngopje dhe shëndet të përgjithshëm.
Një tjetër ushqim që mund të jetë i dobishëm është çokollata e zezë. Edhe pse duhet konsumuar me masë, çokollata me përmbajtje kakaoje mbi 70% është e pasur me antioksidantë, të cilët ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi. Ajo mund të kontribuojë gjithashtu në rritjen e kolesterolit “të mirë” (HDL) dhe në përmirësimin e funksionit të trurit. /GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...