Kufiri Kosovë - Serbi i dokumentuar dhe i aprovuar në nivel vendor e ndërkombëtar - Gazeta Express
string(79) "kufiri-kosove-serbi-i-dokumentuar-dhe-i-aprovuar-ne-nivel-vendor-e-nderkombetar"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

10/06/2022 14:58

Kufiri Kosovë – Serbi i dokumentuar dhe i aprovuar në nivel vendor e ndërkombëtar

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

10/06/2022 14:58

Ekipet politike dhe profesionale zyrtare nga Kosova, nga Serbia, dhe nga BE në Bruksel aprovuan koordinatat e pikave për vijën kufitare për vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi. Në vitin 2013, nga koordinatat e aprovuara për pikat e vijës kufitare, me matje gjeodezike u realizua piketimi dhe fiksimi i tyre në: Bernjakë, Jarinje, Merdare, Mutivoda, Dheu i bardhë dhe Muçibabë, në prezencë të  ekipeve nga: Kosova, nga Serbia dhe nga BE- EULEX

Shkruan: Murat Meha

Përkujtimi i 09 Qershorit 1999

Lexo Edhe:

Duhet përkujtuar përfundimin e luftës në Kosovë, e arritur me nënshkrimin e marrëveshjes me 09 qershor 1999 në Kumanovë, ndërmjet të KFOR (NATO) dhe Qeverisë të RFJ dhe Republikës të Serbisë, shih dokumentin nr S/1999/682. Duke i’u falënderuar NATO-s dhe UÇK-së, nga ai moment Kosova u çlirua, dhe Serbia përfundimisht u dëbua nga Kosova. Natyrisht, edhe pas kësaj date, vazhduan angazhimet për  zhvillim dhe stabilitet të vendit. Çështja e kufirit ishte njëra nga temat kyçe me fqinjët për njohje të ndërsjellë. Fatmirësisht vija përkufizuese administrative, de fakto kufiri i Republikave dhe Krahinave në RSF Jugosllavi ishin të njohura, të matura në terren dhe të paraqitura me gjeoinformacion. 

Tema për kufirin Kosovë-Serbi si çështjet tjera me Serbinë, janë gjithnjë delikate. Për këtë  rregullisht diskutohet, debatohet në mjete të informimit, nga ideator të ndryshëm me apo pa njohuri lidhur me temën, të cilët sjellin paqartësi dhe mjegulli të mëdha të qytetari. Kjo çështje është sa komplekse aq edhe e ndjeshme dhe emocionale. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, tema për kufirin merr një tretman të veçantë të ndërlidhur me nacionalizëm ekstrem, njëkohësisht, disa duke u shpallur “grup mbrojtës i trojeve të tyre” ndërsa të tjerët kinse nuk bëjnë një gjë të tillë?!  Sigurisht, kjo temë është me interes shtetëror, ndaj edhe qytetareve duhet ofruar informacion transparent, i drejt, i argumentuar dhe me kohë. Çështja e kufirit shtetëror në përgjithësi është: ligjore  (Kushtetuese), profesionale dhe në fund varet nga vendimmarrja politike. Pikërisht, profesionistet mbi baza ligjore e profesionale ofrojnë argumentet,  të cilat na detyrojnë të largohemi nga dëshirat dhe nga krijimi i “pikturave të sajuara për frymëzim popullist” dhe për qëllime të tjera nëpërmjet kësaj teme.

Tani, në shekullin 21 do të ishte hipokrizi diplomatike, nëse në nivele ndërkombëtare dhe vendore, për përcaktimin e kufirit ofrohen vetëm shembuj të pavarësimeve të shteteve nga shekulli i 19-të. Në ate periudhë, kur krijoheshin shtetet e reja në Ameriken Latine por jo vetëm, informacioni për kufirin behej me shikim “në majat e kodrave, të ndonjë lumi e të ngjashëm”. Kjo ishte rruga apo mundësia, sepse mungonin hartat dhe gjeoinformacioni për ate qëllim. Derisa në fund të shekullit 20 dhe në dekadën e parë të shekullit 21 u krijuan mbi 20 shtete të reja vetëm nga shpërbërja e RSF Jugosllavisë dhe nga ish Bashkimi Sovjetik (BRSS). Kufijtë e Republikave dhe Krahinave në RSFJ dhe në BRSS, njiheshin si kufij të brendshëm. Ata kufij të brendshëm, edhe tani janë të paraqitur në hartë nga gjeoinformacioni përkatës profesional me saktësi të kërkuar. E njëjta rregull ishte zbatuar edhe me paraqitjet e kufijve të Kosovës me fqinjët, në harta dhe me gjeoinformacion. Pra akoma me keq, me pak profesionale por edhe joligjore do të ishte për kufirin e Kosovës me Serbi, nëse nuk analizojmë shembujt dhe dokumentacionin nga fundi i shekullit të kaluar dhe ate të shpalljes së pavarësisë të shtetit tonë.

Sa për të rikthyer kujtesën “Shpërbërja e Jugosllavisë solli shtatë (7) shtete të reja. Këto shtatë shtete i kishin kufijtë administrativ të bazuar në territorin e Komunave. Kosova, shtet i ri, me pavarësi të shpallur nëpërmjet Deklaratës se Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës me 17 Shkurt 2008, në Prishtinë, i kishte dhe e ka të çartë territorin e përkufizuar me shtetet fqinje. Siç dihet, shtetet fqinje me Republikën e Kosovës janë: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Kufiri Kosovë – Maqedoni e Veriut 167.5km, i ratifikuar me 17.10.2009, është përmbyllur edhe me vendosjen e pikave kufitare në terren-demarkim. Kufiri Kosovë – Shqipëri 113.6km, është po ai i cili ishte demarkuar ndërmjet të RSF Jugosllavisë dhe Shqipërisë, dmth janë edhe pikat e vendosura në terren. Kufiri  Kosovë – Malin e Zi 77.9km, i ka të mbaruara procedurat ligjore e teknike dhe është i ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi dhe në Kuvendin e R. Kosovës 21 Mars 2018. Me ligj është kërkuar që brenda dy viteve të radhës pas ratifikimit të përmbyllët me demarkimin, vendosja e pikave kufitare në terren. Ky proces i fundit akoma nuk ka filluar. Kufiri ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me gjatësi 382.6km, procesi i demarkimit akoma nuk ka filluar. Për këtë qëllim, nuk janë formuar as komisionet reciproke shtetërore.

Baza ligjore dhe teknike e kufirit KSA Kosovë – RS Serbi

Serish shtrohet pyetja, cili dokument për kufirin Kosovë-Serbi do të jetë i pranueshëm dhe relevantë në tavolinat e Gjykatave Ndërkombëtare, nëse njëra palë e konteston atë?

KSA e Kosovës si dhe të gjitha njësitë tjera përbërëse të RSFJ, e kishin territorin e përkufizuar dhe të shënuar me shenja në terren dhe të rilevuara me matje gjeodezike. Pra kufiri i Kosovës me Serbinë në periudhën e RSFJ, edhe tani kufiri i R. Kosovës, është i përcaktuar saktë në dokumentacione zyrtare Kushtetuese, ligjore dhe teknike. Duhet potencuar, se dokumentacioni si tërësi dhe gjeoinformacioni në veçanti për gjithë territorin e Republikës se Kosovës, natyrisht edhe për kufirin me Serbi është në dispozicion që nga KSA-Kosovës. Për të qenë akoma me konkret, gjeoinformacioni për kufirin me Serbi është i arkivuar në arkivat vendore në institucionet e ish KSA Kosovës dhe të R. Kosovës, natyrisht edhe në arkivat ndërkombëtarë,.

Gjithsesi vija e saktë kufitare për territorin e Kosovës është e mbështetur në modelin kadastral, sepse jemi në shekullin 21 me dokumentacion dhe gjeoinformacion të mjaftueshëm dhe të saktë. Baza e të dhënave për pronat e paluajtshme dhe gjeoinformacioni ofrojnë pasqyrë të saktë për kufijtë e parcelave, për kufijtë e zonave kadastrale, për kufijtë e komunave dhe për kufijtë e shtetit, mbi të cilin është shpallur Pavarësia e R. Kosovës. Këto të dhëna  largojnë çdo dilemë lidhur vijën kufitare me Serbi, por edhe me fqinjët e tjerë. Vija administrative ndërmjet të KSA Kosovës dhe RS të Serbisë nuk ka mbi mbulesë në territorin reciprok. Ky sqarim dmth. vija administrative (tani kufi) e RS të Serbisë është në përputhje të plotë me vijën administrative (tani kufi) e KSA Kosovës. E tërë vija administrative përkufizuese  e Kosovës (tani kufi) është e prezantuar në 514 fleta të hartës kadastrale në përpjesë 1:2500. Nga kjo analizë, është vërtetuar se nuk ka mbi mbulesë të hartave dhe të gjeoinformacionit nga fqinjët mbi territorin e KSA Kosovës, dhe anasjelltas. As fqinjët RS Serbisë, RS Maqedonisë, RS Mal i Zi, R. të Shqipërisë nuk kanë mbi mbulesë nga hartat dhe gjeoinformacioni i Kosovës, por është përputhje në një vijë nga të dy shtetet.

Dokumentacioni i vijës administrative/kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Vija administrative, qe përkufizonte territorin e secilës nga 6 Republikat dhe 2 Krahinat, ishte proces i plotë i matjeve, i zbatuar sipas standardeve të RSF Jugosllavisë. Baza ligjore, teknike dhe politike për vijën administrative të KSA Kosovës, e cila gjithashtu ishte e përcaktuar në terren, rrjedhimisht edhe kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i mbështetur në dokumentacionin zyrtar të radhiture në vijim:

  • Kushtetuta e RSF Jugosllavisë e vitit 1974,
  • Kushtetuta e RS Serbisë e vitit 1974,
  • Kushtetuta e KSA Kosovës e vitit 1974,
  • Ligji për Kadastër i vitit  1973,
  • Ligji për organizimin territorial  të KSA Kosovës 1975,
  • Ligji për Kadastër i vitit  1980,
  • Fletat e hartës kadastrale 1:2500, të pasqyruara në hartën me përpjesë 1:200 000 e vitit 1974,

Kufiri  Kosovë – Serbi në dokumentacion ndërkombëtar

Parimet e kufijve administrativ të ish njësive të RSF Jugosllavisë u pranuan ndërkombëtarisht si kufij nga Komisioni Badinter. (See: Alain P. 1992.:The Opinions of the Badinter Arbitration Committee A Second Breath for the Self-Determination of Peoples. Borders principle in Opinion N3 of Abitration Commission, Badinter commission. Article in European Journal of International Law. January 1992) dhe u zbatuan nga të gjitha ish njësitë Federative në krijimin e shteteve nga shpërbërja e RSF Jugosllavisë. Në të kundërtën, luftërat për territore ndërmjet njësive, shteteve të krijuara nga shpërbërja e ish RSFJ do të vazhdonin.

Vendosja e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit nëpërmjet  Rezolutës së tij 1244 (1999). Përgjithësisht, mandati i Misionit ishte për zbatim ligji për të siguruar kushte normale për jetës dhe siguri brenda Kosovës. Njëkohësisht nëpërmjet KFOR të vendosur në Kosovë,  të krijoj stabilitet në Kosovë dhe në Ballkanin perëndimor. Për këtë qëllim janë siguruar hartat për territorin e Kosovës si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova.

  • Harta e KFOR dhe UNMIK nga viti 1999,
  • Gjeoinformacioni dhe hartat nga Marrëveshja Kumanovë 09 Qershor 1999, Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, Ahtisaari, 2 shkurt 2007. ”Ekipi i Unitetit” nga Kosova nën ndërmjetësimin nga “Grupi i Kontaktit” të udhëhequr nga Marti Ahtisaari në Vjenë 2006/2007 negociuan me Grupin e Serbisë për statusin e Kosovës.
  • Deklarata e Pavarësisë 17 shkurt 2008,
  • Kushtetuta e R. Kosovës 2008
  • Ligji për kufijtë e Komunave të Kosovës 2008,
  • Ligji për organizimin territorial të Kosovës 2008,
  • Ligji për kadastër 2008
  • Takimet në Bruksel 2013, caktimi i vendkalimeve kufitare, për menaxhimin e Integruar të Kufirit Kosovë – Serbi (Eng: Integrated Border Management IBM).

Republika e Kosovës, territorin e ka të përkufizuar me të dhënat e kufirit nga dokumentacioni zyrtar kadastral sipas kushtetutës qe nga viti 1974, e që ishte bazë edhe për Deklaratën e Pavarësisë. BE(EULEX), zyrtarisht aprovuan pozitën e pikave në vendkalime kufitare të fiksuara në terren

Kufiri Kosovë – Serbi në gjashtë vendkalime kufitare

Ekipet politike dhe profesionale zyrtare nga Kosova, nga Serbia, dhe nga BE në Bruksel aprovuan koordinatat e pikave për vijën kufitare për vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi. Në vitin 2013, nga koordinatat e aprovuara për pikat e vijës kufitare, me matje gjeodezike u realizua piketimi dhe fiksimi i tyre në: Bernjakë, Jarinje, Merdare, Mutivoda, Dheu i bardhë dhe Muçibabë, në prezencë të  ekipeve nga: Kosova, nga Serbia dhe nga BE- EULEX.

Fotoja në vijim prezanton udhëheqësen e ekipit të dialogut znj Edita Tahiri dhe ekipi profesional i matjeve gjeodezike (autori i kësaj analize) në piken kufitare Jarinje, Komuna Leposaviq. Ky ishte rasti i përcaktimit të vijës kufitare Kosovë-Serbi, siç u cek sipër, se pari i aprovuar në zyrat e BE-së në Bruksel,  i ndërlidhur me projektin “Menaxhimi i Integruar i Kufirit”  i mbikëqyrur dhe i financuar nga BE. Pra, në këtë rast edhe një herë zyrtarisht në nivel ndërkombëtar, u rikonfirmua ish kufiri ndërmjet Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK), dhe Republikës Socialiste të Serbisë (RSS), brenda ish RSF të Jugosllavisë. Rrjedhimisht, ky është kufiri ndërmjet të Republikës së  Kosovës dhe Republikës së Serbisë.  

Duhet theksuar se ky dokumentacion juridik, administrativ, teknik, kadastral, është reprezentativ për tavolinat e gjykatave vendore dhe ndërkombëtarë për rastin e demarkacionit me Serbi dhe për të gjithë fqinjët. Shembull konkret paraqet kontesti apo dilema për një pjesë të kufirit Kroaci-Slloveni, për të cilin kërkesa shkoi në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar. Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar me 29 Qershor 2017, për zgjidhjen e kontestit të demarkacionit tokësor ndërmjet të Sllovenisë dhe Kroacisë, mori vendimin  plotësisht  të bazuar në metodologji dhe në dokumentacionin kadastral të dy shteteve. Kjo është cekur direkt në vendimin e asaj Gjykate (Press Release of the Permanent Court of Arbitration – short  (29 June 2017).

Harta në vijim ka të paraqitura pikat e matura me matje gjeodezike, të fiksuara në terren.. Saktësia centimetrike në sistemin GNSS e këtyre matjeve gjeodezike për kufijtë e Kosovës, në këtë rast edhe kufiri me Serbi, është në përputhje të plotë me: Kushtetutën e KSA Kosovës të vitit 1974, Pakon e Ahtisaarit 2007, Deklaratën e Pavarësisë dhe me Kushtetutën e R. Kosovës 2008, si dhe me të gjitha ligjet e R. të Kosovës.

Përfundimisht, burimi i të dhënave  dhe gjeoinformacioni kadastral është i arkivuar në kadastrin Komunal dhe në Agjencinë Kadastrale të R. Kosovës në Prishtinë dhe në  RGZ Beograd. Ndaj, vija kufitare e Republikës së Kosovës edhe me Republikën e Serbisë është e dokumentuar në dokumentet zyrtare të  cekura sipër. Në secilin rast të dilemave eventuale lidhur për kufirin e Kosovës, ky dokumentacion është relevant për shqyrtim nga Gjykata Ndërkombëtare.