Kuba ka hyrë në një gjendje emergjente të quajtur “opción cero” për të përballuar mungesën e thellë të karburantit, një krizë e shkaktuar nga ndërprerja e furnizimeve nga Venezuela dhe Meksika pas presionit të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Miguel Díaz-Canel njoftoi se qeveria do të ndërmarrë masa drastike për të kursyer naftën dhe energjinë, duke garantuar funksionimin minimal të vendit dhe duke ruajtur aktivitetet më të rëndësishme për ekonominë. Masa të tilla përfshijnë reduktimin e javës së punës dhe të mësimit në katër ditë për të ulur konsumin e karburantit, kufizimin e transportit me autobusë dhe trena mes qyteteve, shtyrjen ose anulimin e operacioneve jo urgjente në spitale dhe mbylljen e disa hoteleve dhe resorteve turistike.
Shitja e benzinës dhe naftës është e kufizuar dhe do të përdoret kryesisht për prodhimin e ushqimit, furnizimin me energji elektrike dhe aktivitete, që sjellin të ardhura nga jashtë vendit. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh për popullsinë dhe ekonominë, pasi Kuba importon rreth dy të tretat e energjisë që i duhet, ndërsa turizmi, një burim i rëndësishëm i valutës së huaj, ka rënë ndjeshëm, duke sjellë mbyllje të strukturave turistike dhe humbje vendesh pune.
Qeveria ka bërë të ditur se është e gatshme të dialogojë me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse nuk ushtrohet presion mbi vendin, ndërkohë që organizatat humanitare paralajmërojnë për rrezikun e një krize humanitare që mund të prekë furnizimin me ushqim dhe shërbimet bazë për qytetarët.
Me këtë vendim, bëhet një plan jetik për mbijetesën e vendit, që synon të ruajë funksionimin e shërbimeve kryesore dhe stabilitetin e vendit, edhe pse me kosto të lartë për jetën e përditshme të kubanëve dhe ekonominë në tërësi.