Ku ishim në ditën e krimit - Gazeta Express
string(26) "ku-ishim-ne-diten-e-krimit"

Gazeta Express

11/07/2020 13:32

Ku ishim në ditën e krimit

Gazeta Express

11/07/2020 13:32

Qëllimi i të kujtuarit, i të kuptuarit dhe i të mësuarit është që një e keqe e caktuar të mos përsëritet. Edhe nëse nuk kemi mundur ta parandalojmë një krim, të paktën duhet të përpiqemi me mish e me shpirt në vijim të kujtojmë, të kuptojmë dhe të mësojmë, në mënyrë që nesër, neve vetë apo pasardhësve tonë, të na ndodhë e njëjta gjë. Prandaj është shumë e rëndësishme të pyesim veten, vazhdimisht, deri në dhimbjen e pa derman: ku ishim në ditën fatale?

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

«Pyetja e vetme që do të doja t’ua parashtroja miqve që i kam njohur pas luftës është nëse e mbajnë mend se ku gjendeshin më 11 korrik 1995. Nuk mund ta bëj, ngase nuk jam i sigurt se do të merrja gjithmonë përgjigjen që dëshiroj, me të gjitha hollësitë; nuk mund ta bëj, ngase e di se në fund do të mbetesha vetëm, pa askënd. E megjithatë, pavarësisht kësaj, jam i bindur se e kam të drejtën të pretendoj ta kem një përgjigje në këtë pyetje. Jo pse më intereson ku ishin saktësisht miqtë e mi, por sepse do të doja ta dija nëse edhe ata kanë marrë pjesë në atë tradhti. Ajo që ndodhi në Srebrenicë gjatë atyre ditëve të korrikut të vitit 1995 është njëra prej tradhtive më të mëdha të llojit njerëzor».

Ky pasash është i Emir Suljagiqit – i mbijetuar i Srebrenicës – nga libri i tij ‘Razglednica iz groba’ (Kartolina nga varri). Nuk është libri i vetëm, as më i domosdoshmi, mbi gjenocidin e Srebrenicës, por gjithsesi ndër librat që hedhin mjaft dritë mbi atë krim. Dhe pasazhi që zgjodha nuk është më i rëndësishmi i librit. Megjithatë, shqetësimi i autorit është po ashtu, shpesh, edhe shqetësimi i shumë njerëzve që mbesin të tronditur nga krimet, kudo dhe kurdo. A nuk ju ka bërë vaki të pyesni veten, gjatë jetës suaj, para cilitdo krim, të cilësdo natyrë, pra të pyesni veten: ku ishit atë moment? Çfarë po bënit? A mund të ishit në vend të ngjarjes dhe të ndihmonit viktimat, apo të përfundonit edhe vetë viktimë? Apo mos do të ishit në anën e xhelatit? Nëse atëkohë ishit indiferentë, apo pa fajin tuaj nuk ishit në dijeni të asgjëje, cili është qëndrimi juaj sot?

Siç e shohim, pyetjet janë të shumta. Përgjigjet, do të duhej të ishin të shumta, po ashtu. Duhet të ketë përgjigje, jo thjesht për të bërë një inventar, por për të kuptuar. Për të kuptuar si ndodhi dhe çfarë mund të bëhej. Ngase kur ndodh një krim, në të njëjtën kohë, ndodh edhe një tradhti ndaj viktimës – pretendon autori, pretendojmë edhe ne. Krimi ka ndodhur, sepse viktima është lënë në duart e xhelatit. E vërteta që duhet të shpalosin përgjigjet në pyetjet e parashtruara do të duhej të ishte pak a shumë kjo: megjithë fatalitetin e historisë, nuk ka krim që nuk do të mund të parandalohej. Nëse nuk është bërë, do të thotë se ne, që nuk kemi përfunduar viktima të atij krimi, ne që ishim anash, viktima potenciale a spektatorë të ndryshëm, në një mënyrë ose tjetër, kemi bërë një tradhti ndaj tyre, ndaj të gjithë atyre që nuk kanë mundur, si ne, të mbijetojnë.

Duhet ta kujtojmë këtë fakt ditën dalim nga lufta, ditën që diplomojmë, ditën që martohemi, ditën që sjellim në këtë botë të bukur të marrë fëmijën, ditën që gëzohemi, ditën që trishtohemi, ditën që fitojmë, ditën që humbim, ditën që na vdesin në shtrat a në aksident a nga sëmundjet më të dashurit tonë. Sepse, këtë ditë duhej ta kishin edhe ata, këtë ditë mund ta kishin edhe ata. Dhe, po të ishin në vendin tonë, do ta bënin për ne.

Qëllimi i të kujtuarit, i të kuptuarit dhe i të mësuarit është që një e keqe e caktuar të mos përsëritet. Edhe nëse nuk kemi mundur ta parandalojmë një krim, të paktën duhet të përpiqemi me mish e me shpirt në vijim të kujtojmë, të kuptojmë dhe të mësojmë, në mënyrë që nesër, neve vetë apo pasardhësve tonë, të na ndodhë e njëjta gjë.

Prandaj është shumë e rëndësishme të pyesim veten, vazhdimisht, deri në dhimbjen e pa derman: ku ishim në ditën fatale?

Krimet dhe masakrat janë të shumta, edhe vetëm brenda harkut të jetës sonë. Natyrisht se ne, që u kemi mbijetuar, herë duke qenë viktima potenciale e herë duke qenë më larg, spektator a në mosdijeni, nuk kemi kërkuar as nuk kemi bërë të (na) ndodhin. Në asnjë mënyrë nuk e kemi merituar; asnjë krim nuk është i merituar. E megjithatë, njerëzore është edhe të ndajmë përgjegjësinë që nuk e deshëm, që nuk do ta donim. Pra, të kujtojmë ku ishim në ditën që ndodhi, në mënyrë që të kuptojmë deri në cilën masë morëm pjesë, qoftë edhe pa dashjen tonë, në atë tradhti ndaj viktimës, të afërmit tonë, të ngjashmit tonë.