Kthimi në politikat e realizmit strukturor dhe gjeopolitika globale pas luftës kundër terrorizmit - Gazeta Express
string(97) "kthimi-ne-politikat-e-realizmit-strukturor-dhe-gjeopolitika-globale-pas-luftes-kunder-terrorizmit"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

27/09/2021 9:56

Kthimi në politikat e realizmit strukturor dhe gjeopolitika globale pas luftës kundër terrorizmit

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

27/09/2021 9:56

Në fjalimin e tij në gjatë takimit plenar vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Presidenti Biden theksoi që për herë të parë pas 20 vitesh është para Asamblesë së Përgjithshme është prezent një president i një SHBA-je e cila nuk është në luftë me një shtet. Ky fjalim shënon fundin e një epoke që filloi pas përfundimit të luftës së ftohtë e karakterizuar me një dominim absolut të SHBA-ve në botë.

Besfort Rrecaj

Përfundimi i Luftës së Ftoftë që lidhet me shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) në vitin 1992 shënoi edhe fundin e një bote e cila gjatë një gjysmë shekulli ishte karakterizuar nga një ankth i shpërthimit të një lufte të tretë botërore si rezultat i pozicionimit armiqësor të dy superfuqive kryesore që përfaqësonin dy ideologji përmbajtësisht të ndryshme nën lidershipin e SHBA-ve nga njëra anë dhe BRSS-së nga ana tjetër. Njëra ideologji përfaqësonte lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e lirë të tregut, ndërsa tjetra atë diktatoriale, të monizmit partiak, të mohimit të të drejtave themelore të njeriut dhe të një ekonomie të centralizuar shtetërore. Dy superfuqitë luftonin për shtrirjen maksimale të hegjemonisë së tyre në gjithë globin me mjete të ndryshme duke përfshirë edhe ndërhyrjen në rajone të ndryshme në mënyrë indirekte por asnjëherë në një konfrontim direkt, për çka ky rivalitet e morri epitetin e një lufte të ftohtë. Ky rivalitet pasqyrohej më së miri në garën e armatimit bërthamor por edhe në shkencë, ekonomi, kulturë etj. Shtetet tjera (me përjashtime të caktuara si Kina p.sh.) i nënshtroheshin vullnetit të këtyre fuqive duke u rreshtuar krah njërës palë apo tjetrës sidomos kur ato shtriheshin në rajone të rëndësishme gjeopolitike, pra duke krijuar një strukturë pozicionimi ndërkombëtar e cila më së miri përshkruhet nga këndvështrimi i realizmit strukturor i karakterizuar nga një balancim i fuqisë në hierarkinë më të lartë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Krijimi i frontit të vendeve të ashtuquajtura të painkuadraura asnjëherë nuk arriti të sfidojë këtë raport fuqie në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pas shkatërrimit të BRSS-së dhe triumfit të shteteve liberal-demokratike ri formatizohet hierarkia ndërkombëtare në atë çka u duk si një triumf përfundimtar demokracisë liberale ashtu sikurse e kishte përshkruar autori Francis Fukuyama në librin e tij Fundi i Historisë dhe Njeriut i Fundit. Bota tashmë udhëhiqej nga SHBA-të e cila kishte fuqinë e saj ushtarake, diplomatike, ekonomike e kulturore të paprecedentë. SHBA-të posedonin atë çka autori Joseph Nye e cilësonte si smart power (fuqia e mençur) e cila i mundësonte SHBA-ve që të ketë në përdorim mjete të ndryshme e fleksibile për arritjen e qëllimeve të saj e që në raste të caktuara përkthehej në politikat e përhapjes së demokracisë në botë, ku më i zëshmi ishte Presidenti George W. Bush i riu. Aleancës më të fuqishme ushtarake euro-atlantike NATO, e cila kishte mbrojtur vlerat liberal-demokratike, dukej se i kishte arsyeje e ekzistencës, raison d’etre. Madje kishte edhe zëra që tashmë ajo duhej të shuhej. Megjithatë, NATO kishte ri dizajnuar rolin e saj duke luajtur rol të rëndësishëm në luftërat në Ballkan por edhe duke shërbyer si një vendstrehim dhe garanci për ish vendet e BRSS-së të cilat kërkonin anëtarësim në këtë organizatë duke insistuar që roli i NATO-s edhe më tutje është i pazëvendësueshëm edhe në rendin e ri botëror. NATO do të luantë rol të rëndësishëm në implementimin e rezolutave të OKB-së në Afganistan por me rol të kufizuar edhe në Irak.

Sulmet e 11 Shtatorit shënojnë në kthesë thelbësore kur SHBA-të, të cilat e konsideronin vetën të pacenueshme, e kuptojnë rolin e aktorëve jo-shtetëror të cilët duke gjetur strehim në shtete të caktuara kishin arritur që të bëjnë një sulm në SHBA. SHBA-të nuk kishin pranuar asnjë sulm brenda territorit të tyre që nga viti 1886 nga Britania e Madhe. Sulmet e 11 Shtatorit i detyrojnë SHBA-të që të fokusohen në një luftë të gjatë dhe të mundimshme kundër elementeve terroriste në botë duke filluar nga Afganistani i cili kishte shërbyer si strehë e organizatës Al Qaida e përkrahur edhe nga NATO dhe me një mandat të Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Për 20 vite, SHBA-të me aleatët e saj do të angazhojnë forcat e tyre në Afganistan, Siri, Irak dhe në shumë vende tjera në formë të ndërhyrjeve të kufizuara për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar dhe shtetet e bushtit të së keqes siç i kishte përcaktuar George W. Bush shtetet të cilat financonin ose përkrahnin në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi organizatat terroriste. Fillimi i dekadës së tretë të mileniumit të tretë e gjen botën më një kapacitet shumë më të kufizuar të veprimit të terrorist ndërkombëtar si rezultat i luftës intensive 20 vjeçare kundër këtij fenomeni. Tërheqja amerikane nga Afganistani nuk është bërë pa kushtëzime, pasi që liderët taleban kanë deklaruar se do të përkushtohen në luftimin e të gjitha format e terrorizmit dhe se Afganistani nuk do të përdoret si territor për strehimi apo për lehtësim të veprimeve terroriste.

20  vite pas fillimi të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, Presidenti Amerikan Joe Biden gjatë fjalimit të tij në OKB deklaroi se po i drejtohet botës si një president i një shteti i cili nuk ndodhet në luftë pas 20 viteve.  Lufta kundër terrorizmit në shkallë të gjerë ka mbaruar, por ka filluar rikthimi i politikës së bilancit të fuqisë ku SHBA-të e theksojnë haptazi rivalitetin e tyre ndaj Kinës në veçanti por edhe ndaj Rusisë. Indikacionet kryesore rreth këtij rivaliteti shihen në veprimet konkrete por edhe synimet strategjike sidomos nga Kina për shtrirje hegjemonie në fqinjësinë e saj por edhe përtej në botë. Sa i përket veprimeve konkrete mund të theksohet sfidomi i normave të së drejtës ndërkombëtare dhe vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare sa i përket lirisë së lundrimit të Detin e Kinës Jugore, përforcimin të armatimit bërthamor dhe konvencional, vjedhjes së pronësisë intelektuale, fushata dezinformimi me qëllim të deformimit të vullnetit të popujve të ndryshëm etj. Nga aspekti strategjik, Kina synon shtrirjen hegjemonie në rajon dhe botë, kryesisht përmes mjeteve ekonomike e financiare që në aspektin afatgjatë kanë për synim nënshtrimin e vullnetit të shteteve. Këto synime janë paraqitur në iniciativat kineze si Iniciativa e Rripit dhe Rrugës dhe asaj të Katër Deteve (Belt and Road Initiative dhe Four Seas Initiative). Në kontinentit evropian, Kina ka krijuar një grup të quajtur G 17+1 me vendet e Evropës Lindore dhe Jug-lindore për realizimin e projekteve të ndryshme, kryesisht infrastrukturore. Megjithatë në një nga shembujt më të fundit, Lituania, si pjesë e këtij forumi, është një nga shtetet që është duke përjetuar masat shtrënguese nga Kina e cila duke ndërhyrë në politikën lituaneze ka kërkuar nga ky shtet që të mos vazhdojë hapje e një zyrë përfaqësuese në Tajvan dhe të pranojë një përfaqësim të njëjtë nga ky shtet nëse dëshiron realizimin e projekteve. Për këtë Lituania ka alarmuar vendet e BE-së dhe ka kërkuar që BE si organizatë të formulojë politika më konkrete ndaj veprimeve të qëllimshme kineze. BE, tashmë është duke punuar në hartimin e një strategjie kundër masave shtrënguese ekonomike që vijnë nga shtetet e tilla si Kina. Ngjashëm, Kina përpiqet që të veprojë me vendet e Ballkanit.

Për t’u përgjigjur ndaj Kinës dhe apetiteve të saj gjithnjë e në rritje dhe pretenduese, SHBA-të kanë riorientuar politikën e tyre ndërkombëtare duke i dhënë fund luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar drejt adresimit të kërcënimeve moderne nga aktorë shtetëror duke shënuar kështu kthimin në politikat e bilancit e fuqisë, ku kërcënim numër një paraqitet të jetë Kina. Derisa Evropa ka një organizatë të fuqishme në aspektin ekonomik si BE dhe një të fuqishme në aspektin e sigurisë si NATO e cila me një vullnet të mirëfilltë mund t’i bëjë ballë përpjekjeve kineze për nënshtrimin e shteteve evropiane, në pacifik dhe në fqinjësinë kineze duket se mungonin mjete të tilla. Për të kompensuar këtë zbrazëtirë, SHBA-të kanë marrë tashmë disa hapa të rëndësishëm të bashkëpunimet në fushën e sigurisë përmes Dialogut të Sigurisë Kuadri lateral të themeluar më herët me Indinë, Japoninë dhe Australinë si dhe së fundmi vendosjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë Australi-Mbretëri e Bashkuar-SHBA (AUKUS) e cila parimisht ka për qëllim furnizimin me nëndetëseve që burim të energjisë kanë energjinë bërthamore (jo të pajisura me armë bërthamore), por që ky bashkëpunim do të ketë fushëveprim më të gjerë. Përmes këtyre iniciativave, SHBA-të kërkojnë që të mbajnë Kinën brenda kufijve të saj të veprimit si dhe të përkrahë aleatët e saj në këto pjesë të Azisë si dhe në Oqeanin Paqësor, duke mundësuar respektimin së drejtës ndërkombëtare, ushtrimit të autonomisë shtetërore dhe të vullnetit të lirë të shteteve. SHBA-të përmes përforcimit të aleancave me shtetet liberal demokratike do të vazhdojë të mbetet fuqia kryesore në botë edhe në një të ardhme të parashikueshme përkundër ngritjes së vazhdueshme të shteteve si Kina. Një pjesë e globit e cila mbetet për një terren i hapur për shtrirje ndikimi mbetet Afrika ku kemi një prezencë mjaft aktive nga Kina. Në këtë pjesë mund të shohim lëvizje të ngjashme gjeopolitike në një të ardhme jo shumë të largët.

/Besfort Rrecaj, Profesor i së drejtës ndërkombëtare, Fakulteti Juridik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”