Kthimi i «rréve të zeza» - Gazeta Express
string(22) "kthimi-i-rreve-te-zeza"

OP/ED

Xhemal Ahmeti

13/07/2021 11:48

Kthimi i «rréve të zeza»

OP/ED

Xhemal Ahmeti

13/07/2021 11:48

Historia e EULEX-it i përngjan një pallati ku 3000 veta paguhen për të prodhuar për çdo ditë, secili prej tyre, nga një horror-përrallë. Jo përralla si ato në Decamerone për të ikur nga pandemia, por për ta krijuar edhe një më shumë – dhe atë jo për të gjithë por vetëm për një popull të caktuar. Kush e nxjerr përrallën më të tmerrshme avancohet. Rrëfimi për institucionin që në vend të Drejtësisë instaloi komplotin e organizuar ndërkombëtar kundër shtetit ku vepron. Institucioni duhet të hetohet jo për ta nxjerrë atë para gjyqit, por për t’ia shpëtuar BE-së imazhin, e cila sot jo pa arsye nga plotë vendorë konsiderohet si një filiale e të gjitha rrymave negative politike brenda kontinentit dhe Moskës së Putinit.

Shkruan: Xhemal Ahmeti

Lexo Edhe:

Paraprakisht rreth një kritike drejtuar Simmons-it: Gjatë punës në EULEX ai e ka pasur me ligj, me kontratë të ndaluar të flas për punën që bën. Personat që shkelin këtë ligj ndërshkohen me vite burg. Sidomos juristët duhet ta dinë këtë gjë. Prandaj të thuash «pse nuk po folo me vakt» donë të thotë mos marrësh vesh asgjë nga këto punë.

I.

As Zoran Đinđić  nuk ishte i gatshëm që serbet t’i pranojnë masakrat dhe gjenocidet ndaj tjerëve. Përkundrazi sugjeronte fshehjen e tyre [Deklaratat Çanak & Co. ]. Frikohej se po u hapën varret masive, Serbia do të akuzohet edhe për gjenocide në Kosovë dhe vendit do t’i mbyllej çdo pistë drejt BE-së. Pas ekzekutimit të Đinđić-it qeveritë pasuese serbe jo se nuk pranonin Serbia të ketë bërë masakra dhe etnocide, por akuzonin tjerët të kenë ushtruar krime dhe dëbime masive ndaj tyre. Në fillim bota e as viktimat e shtetit serb nuk e morën seriozisht strategjinë serbe të relativizimit të krimeve. Disi ishin të sigurt se ajo nuk kishte as fuqinë imagjinare ta sjell botën të besojë se Serbia ishte po aq viktimë sa tjerët gjatë luftërave që i nxiti dhe realizoi vetë. Doli gabim! Ajo jo vetëm që ia doli t’i pengëzojë politikisht ish viktimat e saja dhe mbarë Evropën Juglindore, por edhe rifuqizoi shtetin ushtarakisht e ekonomikisht me paratë e atyre që e bombarduan dje.

Si e bëri këtë?

II.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së vendit nga shumica absolute e shteteve perëndimore, Serbia të vetmen shpresë rikthimi në Kosovë kishte difamimin e shtetit të Kosovës si të paaftë e të pamundshëm. Ta argumentojë atë si produkt të një lajthitjeje të madhe të perëndimit, i cili bombardoi ata duke u vënë në krah të një organizate kriminele. Për të zhvilluar këtë strategji asaj i duhej jo vetëm asistim por edhe bashkoperimi rus. Portat për infiltrimin e perëndimit në taktikën e re të saj ishin të majtët evropianë; qarqet ksenofobe, të cilat që nga vitet e 90 – ta hebreun e dikurshëm e përkthyen në «kosovalbaner»-in kriminel dhe barbar; shtetet e BE-së që kundërshtonin njohjen e Kosovës dhe vendet e  gjysmëhënës së gjelbër (blloku rreth Iranit) bashkë me aleatët e zakonshëm të ish Bashkimit Sovjetik.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë hyn në aksion Dick Marty, atëbotë Deputet në Parlamentin Evropian dhe i njohur qarqeve të Brukselit si «liberali ekstrakomunist», i cili për moto jete ka postulatin e Atit të Partisë Komuniste Italiane Antonio Gramsci, që thotë: «Rreziku më i madh për një shoqëri është individualizmi dhe Indiferenca».  Marty ishte indiferent ndaj etnocidit dhe dëbimeve që shkaktuan serbët në ish-Jugosllavi dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s, mirëpo nuk donte të rri i tillë gjatë akuzave serbe dhe ruse shqiptarët të kishin bërë tregti me organet e serbëve? Kjo që duket si sllavonomi, reflektim humano – etik pra që mund t’i jetë injektuar liberalit zviceran nëpërmjet përrenjve plotë metafora morale gjatë detyrimit që përveç Gramscit të lexojë edhe romanet e Dostojevskit dhe Tolstoit, në esencë është raport i zhveshur biznesor. Nëpërmjet qarqeve të inkriminuara nga rusët edhe pas vitit 2011, pas daljes nga PE, Marty jeton nga angazhimet që ia siguron po ai bosht, që e mbështeti gjatë përpilimit të raportit. Më 14. Dhjetor të vitit 2011, pas dy viteve endje kryesisht Serbisë dhe Rusisë Marty botoi raportin e tij për  «shtëpinë e Verdhë ku ishin fabrikuar veshkë, mushkëri për tregun e jashtëm».

III.

Mjafton të kërkosh hapjen e raporteve të EULEX që ndër vite ua dërgon shteteve sponsore si dhe ato individuale që 2000 juristët e angazhuar atje ua dërgojnë punëdhënësve të tyre që ta konstatosh një gjë: duke filluar nga viti 2010 ky institucion ka dhe kishte vetëm një mision konkret: nxjerrjen e elitës së UÇK-së para gjykatave. Të asistuar nga 1000 punonjës vendorë, shumica e të cilëve rezultojnë si informatorë dhe burime konkrete të «krimeve të luftës dhe të paqes» së liderëve kosovarë; të cilët jo-rrallë vizatohen edhe si organizatorë sulmesh ndaj kishave, romëve, si vrasës serik e të ngjashëm, EULEX vuri komplet institucionin në shërbim të «zbardhjes së masakrave shqiptare». Ndaj kujt? Që nga ajo kohe e deri sot shumica absolute e hetimeve ka mbaruar me konstatimin që u bë ditëve të fundit i njohur dhe citat: «i akuzuari nuk lidhet me krime konkrete»! Me çka lidhet atëherë ai? Me artikujt dhe librat e ca gazetarëve lindjes e perëndimit, të cilët të frustruar se nuk i bënë ministra, presidentë apo ambasadorë u vunë në shërbim të kampanjave të rrejshme ruse kundër luftës mbrojtëse të Kosovës përball gjenocidit serb? Apo shpresonin gjykatësit e EULEX se një ditë  me horror-rrëfimet e emisarëve nga Sllovakia, Spanja, Rumania, Greqia dhe rekrutëve të tyre shqiptarë (këta për ta ruajtur postin [deri sa të bëhet zv/ministër apo drejtor i qeverisë së re diku] aty ose për të bërë karrierë e shpik për së dyti një religjion të ri) do t’ia dal ta realizojë kërkesën ruse- serbe, duke bindur botën se jo Serbia bëni Srebrenicën, Mejën, po këta kriminelët që nuk i zë dot ngase u vjetruan dëshmitë? Ku mbeti shtëpia e verdhë? A vjetrohen eshtrat e kufomave varreve masive? Jo. Ato mirëpo, varret dhe kufomat gjenden në tokat serbe e jo në ato kosovare.

Në këtë kurth rranë edhe ish opozita kosovare (ndoshta për këtë arsye tash ajo rekruton në pushtet plotë prej atyre që ishin altoparlantët dhe informantët më ekcesiv në favor të kampanjës serbe dhe ruse); viktimë e shpërdorur e kësaj kampanja u bënë edhe parti tjera dhe njerëz që shpresonin në zbardhjen e krimeve ndaj të afërmeve të tyre.

IV.

EULEX sipas këtyre pandehjeve që u ekspozuan këtu dhe pas dëshmive të Simmons dhe shumë juristëve tjerë evropianë (që pritet të dalin poashtu publikisht)që kanë alarmuar para tij, duket të jetë bërë pjesë e një komploti ndërkombëtar, të prirë nga rusët, kundër Republikës së Kosovës. Nëse tjerët nuk duan ta hetojnë këtë punë është çështje e tyre, Kosova mirëpo është e detyruar ta bëjë këtë. Nëse Haga duhej të krijohej për ta hequr Kosova një njollë të zezë që ia vuri Marty, rusët, serbët bashkë me shtetet e veçanta të BE-së, ksenofobët dhe e majta radikale evropiane, atëherë edhe EULEX, respektivisht BE dhe shtetet sponsore, duhet tu ndodhë e njëjta: këta duhet të kërkojnë hetimin me çdo kusht të organizatës,  për të konstatuar se vërtet ajo veproi si filiale e shërbimeve ruse dhe serbe aty apo është kampanjë e trilluar gjithë kjo punë? Apo hetohen vetëm ata që u është dhënë liria me haraç? Le të hetohet EULEX. Shumë janë të bindur se po ndodhi nuk do ta ketë lehtë si Kosova, për tu shfajësuar. Akuzat janë tepër të rënda sa për ta hedhur gjithë brenda floskës: «s’patëm rezultate ngase i vranë gjithë dëshmitarët, apo se njerëzit kanë frikë». Haga është produkt i Martyt, EULEX-it dhe nëse këta kanë abuzuar me besimin e Kuvendit të Kosovës dhe aleatët sponsorizues, shteti duhet ta sqarojë këtë punë. Shtetit të Kosovës as që duhet të interesojë se është herët apo vonë për ta hetuar këtë punë dhe se a do të gjej fajtorët konkret me emra e mbiemra, ai u është borxh qytetarëve të tij të sjell dritë në këtë aferë, që këta mos ia nisin sërish këngës së moçme dhe idiote «Oj Europë oj kurvë e vjetër», duke shpallur parimisht, si evropianë që janë, veten si të tillë.