Kthimi i plangprishësit… - Gazeta Express
string(23) "kthimi-i-plangprishesit"

Kthimi i plangprishësit…

Arte

Gazeta Express

03/05/2021 13:49

A është shqiptari një djalë plangprishës? Me dashurinë tonë enigmatike për shkatërrimin dhe vdekjen? Me deklaratat tona për lidhjet e gjakut me Turqinë? Me përbaltjen e figurës së Skenderbeut dhe të Nënë Terezes? 

Rudolf Marku

Lexo Edhe:

1.
Hieronymus van Aken, i njohur si Hieronymus Bosch, është njeri ndër piktorët që më ka tërhequr që herët dhe që vazhdon të më mahnis përherë e më tepër. Simbolizmi i tij është si ai i një orakulli te vdekur, gjuha e shenjave të cilit, me vdekjen e të zotit, e kanë humbur forcen e zbulimit dhe të deshifrimit. Vepra të tilla si ‘’Pema e njohjes,, (ndikimi i së cilës është aq tepër i dukshëm në vepren e Salvador Dalisë, sa ç’është dhe një ndikim kurrë i afirmuar në menyren më mosmirënjohëse),’ “Tundimi i Shën Andonit,,, ‘’Ferri’’ janë vepra që mund t’i shohë i mahnitur me ditë të tëra, për t’ju kthyer përsëri e përsëri si vepra që i shoh për herë të parë.

‘’Djali plangprishës,, i Bosch është dhe vepra e tij më origjinale dhe ndoshta më e fuqishmja. Origjinale, sepse është një pikturë me një temë të bërë pothuajse nga të gjithë piktorët e mëdhenj të kësaj bote. Dhe e pangjashme me asnjeren prej tyre.

Tek piktura e Bosch-it është vetem artisti i madh, që i falet artit të vet : Në qendër të piktures është një burrë në ngjyrë gri me një pamje të turbullt dhe me plakje të parakohshme, që mund të qe pamja e zakonshme e një burri në qytetet europiane të pasmbarimit të Luftës së Dytë Botërore a pamja e zakonshme e një njeriu në qytetet e sistemit komunist a postkomunist, diku në Tiranë a në Havanen e Kubës…Figura e djalit prangprishës së Bosch kërcen që nga korniza e piktures gotike drejt e në ditët tona; Shikimi i tij është një vështrim i xhamtë; buzët janë të shternguara fort, si ai njeriu që sapo ka shijuar diçka tepër të hidhur të cilen kurrsesi nuk do që ta shijojë prapë.

Njeriu qendron në një pozicion kthese. Këmbët duken se premtojnë një levizje përpara, në kundërshtim me sytë që shohin pas. Dora e majtë, që mban një kapelë, duket si një dora e një njeriu që nxiton t’i thojë lamtumirë botës së pamëshirshme dhe mizore të vesit. Bosch përqëndrohet në çastin kur njeriu ndodhet në pikëkthesen e jetes së vet, kur vetëdija e një jete të shkuar kot bëhet arsye për t’u kthyer pas…

Shumë piktorë e kanë trajtuar temen e Djalit prangprishës. Por Bosch është i vetmi prej tyre që me një guxim të madh prej gjeniu e interierizon subjektin. Ajo çka ndodh shpirtërisht është gjithëçka, dhe e gjitha kjo është e kunderta e pikturave të tjera që kanë preferuar pikturimin e sipërfaqësores dhe të rrëfimit moralistik. Skena është tepër e thjeshtë: figura kryesore dominon distancen e mesit të tabllosë, nga e majta tek e djathta. Ana e majte është ligësia, e djathta është e kundërta e saj, shpresa tek mirësia. Skena e pjeses së majtë të tabllosë paraqet një tavernë, një shtëpi të vesit, të shkatërrimit shpirtëror; çatia është e shtrembër dhe e hapur në majë.

Trarët nuk e mbajnë më shtepinë, qelqet e dritarve janë të thyera, vetë dritaret nuk mund të mbyllen më. Taverna kthehet kështu në një symbol të neglizhimit e të fëlliqësisë. Ngjyrat e errëta të deres dhe të dritareve simbolizojnë jeten sensuale, seksuale dhe të pakuptimtë që ka ndodhur brenda baneses, tavernë a shtëpi pubike, a të dyja bashkë. Në kontrast me tavernen, pjesa e djathtë e piktures paraqet një peisazh të paqtë.

Në anën e majtë një qen i egër që hungëron kërcënueshëm, dhe derrat që bëjnë zhurmen e tyre të neveritshme. Në anën tjeter një lopë në ngjyrë kafe të çelët, e qetë dhe e patrazuar nga asgjë, si të gjithë krijesat e mira. ‘’ Është koha më e përshtashme për të ikur prej këtu’’-duket se thotë guhaku në pemë, duke mbledhur i zemëruar puplat e veta. Guhaku, simboli i urtësisë, tek Bosch simbolizon atë që zotëron kuptimin e urtësisë dhe të vdekjes. Portari i vogël përmes të cilit i duhet të kalojë njeriu, është i ngushtë, sepse është portari i jetes…

Piktura e Bosch karekterizohet nga tre tipare thelbësore: ngjyra ekstremisht e kontrolluar, e vetëpërmbajtur, gati-gati një ngjyrë monokromatike; instabiliteti i qëllimshëm i mases piktorale; si dhe realizmi gati stereoskopik i objekteve. Por realiteti tek Bosch gjithmonë kondensohen në simbole. Impakti vizual përçon një ngarkesë të fortë intelektuale, ashtu siç ndodhë dhe me Melencolia-në e Dürer-it, ku piktura dhe arti bashkëjetojnë harmonikisht me matematiken, gjeometrinë dhe dijen njerëzore.

2.
Ne fundin e vitit 2013 vdiq një inxhinjer ushtarak rus, pamja e të cilit ishte dhe pamja e zakonshme e një ushtaraku të zakonshëm në vendet ish-komuniste. Fotografia e tij u botua në të gjitha gazetat e mëdha të Perendimit tek lajmëronin vdekjen e tij, në moshen 94 vjeçare. Quhej Mikhail Kalashnikov. Krijuesi i armes më popullore të shekullit të XX, AK-47, që fatalisht u quajt me emërin e krijuesit të vet, Kalashnikov. AK-47 u krijua në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, një armë e lehtë dhe e kollajshme për t’u përdorur për të vrarë njerëz. Krijuesi i saj, një oficer tankist i ushtrisë sovjetike, pat deklaruar se arma e re do të përdorej vetëm e vetëm “për të mbrojtur Mëmëdhenë”.

Nuk mund të dyshosh në sinqeritetin e fjalëve të tij. Veçse ironikisht Kalashnikov u përdor për herë të parë në shtypjen e kryengritjes antikomuniste të Budapestit, në vitin 1956…Pasaj në Varshavë dhe në Berlinin Lindor…Lajmi i vdekjes së Mikhail Kalashnikovit këtu në Perendim në fillim u njoftua si një kronikë kurreshtare e reminishencave nostagjike të kohërave të Luftës së Ftohtë.

Kisha Ortodokse bënte të ditur se Mikhail Kalashnikov, 9 muaj përpara vdekjes së vet, i ka shkruar një leter Kishes për t’ia falur mëkatin e shpikjes së armës AK-47, e cila, sipas tij, ‘’ ka vrarë me mijëra e mijëra e mijëra njerëz , në Rusi, në republikat e Bashkimit Sovjetik, në Lindjen e Mesme, në Ameriken Latine, në Afrikë, në kontinentin aziatik, në Shqipëri…”

Djali plangprishës ndjen pendimin, këtë shkëndijë hyjnore që bën të mundshëm lartësimin e qënjes njerëzore. Dhe kërkon pendesen.

Permendja e Shqipërisë në letren e pendimit të Mikhail Kalashnikovit nuk përbën ndonjë surprizë. Arma AK-47 është ndër shpikjet që ka gëzuar popullaritetin më të madh ndër shqiptarët, aq sa tek ne ekzistojnë dhe format përkëdhelëse të saj (‘’ Kallashi,,’’ Kallaçka,,’’ Kallasha,,).. Më ka qëlluar të lexoj kujtime nostalgjikësh të sistemit komunist, nga ato që jo rrallë shfaqen me guxim në shtypin tonë. Më kujtohet njëri që përshkruante hollësisht një vizitë të Çe Guevares andej nga viti 1964 në Tiranë. Ai përshkruan me krenari se si Çe Guevara iken i lumtur nga Shqipëria duke marrë një Kalashnikov të larë në argjend, dhuratë nga udhëheqësit e lartë komunistë…

Kallashnikovët tek ne prodhoheshin në Poliqan dhe në Gramsh, madje me shumicë, aq sa arrinin të eksportoheshin dhe në Palestinë, në Kongo dhe në Kamboxhia. Derisa një ditë dashuria e madhe e shqiptarëve për kalashnikovin u kthye në boomerang kundër vetë atyre. Sa shqiptarë janë vrarë nga kalashnikovët? Një statistikë e kurreshtshme dhe tepër e dhëmbëshme. Kam frikë se shifra do te jetë tepër e lartë për një vend të vogel si ky i yni…

A është shqiptari një djalë plangprishës? Me dashurinë tonë enigmatike për shkatërrimin dhe vdekjen? Me deklaratat tona për lidhjet e gjakut me Turqinë? Me kokëfortësinë për të mos u penduar? Me nostalgjinë për vrasjet dhe kasapët e djeshëm? Me atë prirjen e frikëshme që kemi për të reabilituar në skenen e historisë njeriun më të lig dhe më demsjellës të shqiptarëve? Me atë ligështinë tonë për të vlerësuar dhe për të vënë në krye të politikës atë më të korruptuarin dhe atë që na përçmon më shumë?

Me përbaltjen e figurës së Skenderbeut dhe të Nënë Terezes? Me vesin e këmbëshkeljes së njeriut më nevojtar? Me atë gatishmerinë për të respektuar atë që na vjedhë më shumë e për t’iu hakërruar atij që rrembën i uritur një copë bukë ? Me përçmimin ndaj vlerave tona? Me shprehinë e mrapshtë të përbaltjes me shpifje dhe prapa-shpinësira?

Puna është tek pikë-kthesa, tek hedhja e këmbëve përpara tek shohim me dyshim nga pas. Tek ecja drejt asaj portares së ngushtë, drejt livadheve të paqta me vetveten. Që dhe shqiptari të mbërrijë më së fundi në shtepinë e vet.