Kryhen Parlamenti e Qeveria, “shfaqet” çështja e Presidentit - Osmani anulon Mynihun, Kurti gati për diskutime, afati po afrohet - Gazeta Express
string(122) "kryhen1-parlamenti-e-qeveria-shfaqet-ceshtja-e-presidentit-osmani-anulon-mynihun-kurti-gati-per-diskutime-afati-po-afrohet"

Lajme

Gazeta Express

12/02/2026 14:39

Kryhen Parlamenti e Qeveria, “shfaqet” çështja e Presidentit – Osmani anulon Mynihun, Kurti gati për diskutime, afati po afrohet

Lajme

Gazeta Express

12/02/2026 14:39

Dje u konstituua legjislatura e 10’të, dhe u formua qeveria e re,  duke i dhënë fund bllokadës njëvjeçare brenda pak orësh. Një çështje urgjente, që duhet të marrë shpejt epilog, është posti i shefit të shtetit. Edhe pse vitin e kaluar kjo pozitë s’pati ndikim të drejtpërdrejtë në ngërç, si tematikë, ishte prezentë krejt kohën. Presidentes aktual i skadon mandati me 5 prill, por sipas Kushtetutës duhet të ketë president/e të ri deri më 5 mars, shkruan Gazeta Express.

Afatet Kushtetuese

Dy arsyet se pse kjo çështje duket e ndërlikuar, janë politike dhe ligjore, ose më saktë afatet kushtetuese.

Për këtë të dytën, në mënyrë që të sqarohen hapat ardhshëm, Gazeta Express, ka marrë komente nga njohësi i këtyre çështjeve, Vullnet Bugaqku, KDI.

Duke u thirrur në nenin 86 të Kushtetutës, Bugaqku sqaroi se, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se t’i përfundoj mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmanit.

“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, më lejo të sqarojë faktin se dispozita e nenit 86 të Kushtetutës, kërkon që Presidentit të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para se me i skadu mandati presidentes aktual, marrë për bazë këtë dinamikë dhe afatin kohor që e kemi deri me 4 apo 5 mars, unë besoj që nëse zhvillohen këso dinamika të shpejta, atëherë kemi afat kohor të mjaftueshëm që edhe çështja e presidentit të kryhet brenda afatit 30 ditor siç përcaktohet nga Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë ai.

Por, Bugaqku, shton se neni 86 që e përmend afatin 30 ditor, porse, nuk flet për pasoja ‘’nëse nuk fillon fare kjo procedurë’’.

‘‘Në nenin 82 të Kushtetutës, përmendet afati 30 ditor, mirëpo nuk përmendet ndonjë pasojë, çka nëse nuk fillon fare kjo procedurë, ose çka nëse eventualisht mund të fillojë dhe mund të shkelet ky afat 30 ditor, nuk është që neni 86 jep sqarime ose ofron konkretisht ndonjë pasojë të veçantë, në kuptim që nëse shkelet ky afat a do të shkojmë në zgjedhje apo si do të veprohet më tutje. Pra Kushtetuta në këtë nen qëndron e heshtur, sa i përket kësaj çështje’’, ka deklaruar ai për Express.

Për këtë, Bugaqku, përmend nenin 82. Aty, sqaron Bugaqku, specifikohet pasojat Kushtetuese e Juridike, që deputetët mund të kenë në rast të mos zgjedhjes së presidentit.

Ai shton se, në këtë nen, specifikohet se nëse deputetët nuk e zgjedhin presidentin, brenda 60 ditësh, nga fillimi i procesit në fjalë, atëherë shpërndahet kuvendit e shkohet në zgjedhje.

‘’Megjithatë, neni 82 , një dispozitë tjetër të Kushtetutës, e cila sqaron shumë mirë pasojën Kushtetuese dhe Juridike që mund ta kenë deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës, pra e specifikon, nga dita e fillimit të procedurës të zgjedhjes së presidentit, nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti, atëherë me automatizëm shpërndahet parlamenti dhe shkojmë në zgjedhje të parakohshme.  Prandaj është shumë e rëndësishme që me llogaritë ose që me konstatu faktin se kur nis ose kur fillon procedura e zgjedhjes së presidentit dhe kjo procedurë konsiderohet se fillon në momentin kur mbahet seanca e zgjedhjes së presidentit të shtetit. Pra varësisht nga afati dhe data se kur caktohet data e seancës për zgjedhjen e presidentit të shtetit, Kushtetutshmërish, këta deputetë,  i kanë kohë deri në 60 ditë me e përmbyllë këtë proces. Në rast se nuk e përmbyllin atëherë shpërndahet Kuvendit dhe shkojmë në zgjedhje të reja’’, ka deklaruar ai.

Bugaqku, shton se mund të krijohet situata ku fillon procesi i zgjedhjes së presidentit, porse, mund të ketë pauza, gjë e cila, siç ka thënë ai, është legjitimuar nga aktgjykime Kushtetuese në të kaluarën.

‘’Kushtetuta, neni 82, e lejon mundësinë që brenda 60 ditësh, nga dita e fillimit të procedurës, ta zëmë, procedura mund të fillojë me 2 mars, 3 mars, nga ai moment, afati sipas neni 82, kanë kohë 60 ditë me e zgjedh një president. Sepse është dispozitë kategorike, imperative dhe  detyruese në kuptimin e pasojave kushtetuese që i shkakton. Mund të jemi në situatë që, mund të fillojë, të caktohet seanca për shembull me datë 1 mars, dhe mund të ketë ndërprerje pastaj. Sepse ka aktgjykime të gjykatës Kushtetuese që e kanë legjitimu faktin që kryetari i Kuvendit mund të kërkojë pauza gjatë  procedurës së zgjedhjes së presidentit, dhe kjo nuk është se për Gjykatën Kushtetuese ka përbërë ndonjë shkelje të kushtetutës.  E din rastin e Thaçit kur është zgjedhur ose edhe rastin e Pacollit, ka aktgjykime të posaçme ku kushtetuesja ka sqaruar se mund të ketë pasoja vetëm me kushtin se ka një arsye që e kërkon kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket presidentes aktuale, Osmanit, Bugaqku, ka thënë se ajo ka mandat deri me 5 prill, funksion të cilin ajo e ushtron pavarësisht nëse zgjidhet apo jo një president i ri. Megjithatë, pas kësaj date, asaj i përfundon mandati.

Lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ka dhënë komentet e tij edhe profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani. Profesori, i ftuar në Pressing në T7, ka theksuar se zgjedhja e presidentit të ri duhet të ‘’bëhet 30 ditë përpara’’, dhe se, çdo zgjedhje tjetër, brenda këtij afati 30 ditor, ka theksuar Hasani, ‘’është kundërkushtetues sepse është shkelje e afatit’’.

Profesori Hasani, në Pressing, deklaroi edhe se Osmani do të mund të qëndronte në pozitën e saj edhe pasi të përfundojë mandati, vetëm në rast se do të kishte bllokada të tilla ku s’do të kishte kuvend fare.

Tutje, Hasani komentoi edhe situatën në rast të përfundimit të mandatit të Osmanit dhe vendi s’do të kishte president të ri. Për këtë, Hasani, vlerësoi se këtë pozitën e pason Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit, pasi që, siç tha profesori, ajo është e ‘’autorizuar me aktgjykim të Kushtetueses’’.

Haxhiu ‘’që i ka 6 muaj’’ në këtë pozitë, tha Hasani, duhet të nis menjëherë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Gjë e cila, siç deklaroi ai, duhet të bëhet brenda 60 ditësh. Dhe nëse, përfundoi Hasani, nëse presidenti i ri ‘’për 60 ditë nuk bëhet, atëherë me automatizëm shkohet [ në zgjedhje]’’.

Arsyeja Politike

Përveç afateve kushtetuese, është edhe aspekti politik, ai çështjen e presidenti e bën të ‘komplikuar’. Kjo pasi që, presidenti i ri duhet të zgjidhet nga shumica absolute e kuvendi, ku kërkohet që 80 deputetë të jenë në sallë. Gjë për të cilën, edhe Lëvizja Vetëvendosje që ka 57 deputetë, duhet ta ‘shtrijë dorën’ për bashkëpunim me partitë e tjera.

Çështja politike për presidentin bëhet edhe ‘’më problematike’’ duke parë faktin se, për Osmanin, e cila ka shprehur dëshirën për mandat të dytë, asnjëra nga partitë politike s’kanë shprehur gatishmëri për t’i dhënë votën asaj, për një pesëvjeçar të dytë.

Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Bedri Hamza, tash e sa kohë, ka bërë thirrje për një konsensus lidhur me këtë çështje.

Një thirrje të ngjashme, ‘’marrëveshje politike’’, për postin e presidentit e ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, me kryetar Lumir Abidxhikun.

Në anën tjetër, sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është raportuar se kjo parti po shtyn përpara idenë që lideri i saj, Ramush Haradinaj, të bëhet president, dhe se i njëjti ka mbledhur nënshkrime që janë të nevojshme për kandidaturën.

Sa i përket LVV’së së Albin Kurtit, partisë që mbështeti fuqishëm Osmanin pesë vite më parë, ka pasur ‘një heshtje’. Edhe pse disa deklarime lidhur me këtë temë janë bërë, të njëjtat janë bërë në formë të ‘rezervuar’.

Vetë Kurti, menjëherë pas zgjedhjeve, ishte thirrur në bisedime me partitë e tjera. I njëjti, para konstituimit të kuvendit e formimit të qeverisë, kishte deklaruar se çështja e presidentit do të vije më vonë, pasi ka gjëra të tjera në radhë. Pikërisht sot, Kurti, tha se për presidentin mund të nisen kontaktet nga nesër.

“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimin e buxhetit të vitit 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, tha sot ai, gjatë mbledhjes së parë të qeverisë së re.

Ndërkaq Osmani, e cila takoi mbrëmë Kurtin për ta mandatuar për kryeministër, ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Këtë vendim, ajo e ka marrë për shkak të ‘’angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, ajo ka vendosur të mos marrë pjesë këtë vit’’. /GazetaExpress

Advertisement
Advertisement
Advertisement