Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka reaguar pas akuzave të shumta në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se sot u paraqitë para institucioneve të drejtësisë si palë e dëmtuar në rastin e kanosjes, derisa më parë kishte refuzuar të shkonte në Prokurori Speciale që të dëshmojë për rastin e rezervave shtetërore, shkruan Express.
Sipas Kryeziut, paraqitja e Kurtit s’është standard i dyfishtë, meqë sipas tij, Kurti s’ka refuzuar që që të japë dëshmi, por se ka kërkuar që të intervistohej në zyrë.
Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se Kurti ishte intervistuar për rastin e kanosjes nga Prokuroria më 10 qershor 2025 në kryeministri dhe se sot është paraqitur si palë e dëmtuar.
“Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.
Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar.”, ka shkruar Kryeziu./Express/