Kadri Kryeziu, ish nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, i ka shkruar një letër Richard Grenellit, emisar amerikan për misione të veçanta.
Kjo pasi Grenell e ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se ka manipuluar fjalët e presidentit amerikan Donald Trump sa i përket deklaratës së Trump se “ndali sulmin serb ndaj Kosovës”.
Kryeziu ka thënë se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, ndërkaq presidente e ka Vjosa Osmanin që meriton respekt.
Ai ka thënë se veprimet agresive të Serbisë janë kërcënim serioz për Kosovën dhe për paqen në rajon.
Më poshtë letra e plotë:
Letër e hapur mikut tonë Rik Grenell.
Shumë i nderuari zotëri Grenell,
Aleanca strategjike mes Kosovës dhe SHBA-së është historike dhe e bazuar në vlera të përbashkëta e të sinqerta. Shpirti i pathyeshëm i kësaj aleance shtrihet përtej dallimeve ideologjike të forcave të ndryshme politike, si në Kosovë ashtu edhe në SHBA, dhe kjo po dëshmohet edhe tani nën presidencën e dytë të Presidentit Trump.
Kosova është vendi i parë në rajonin tonë, dhe ndër të parët në Evropë, që ka dal në përkrahje të aksionit historik të Presidentit Trump për të parandaluar pajisjen e Iranit me armë bërthamore. Kosova po ashtu menjëherë i mbështeti hapur politikat e drejta të Presidentit Trump kundër imigracionit të paligjshëm duke u bërë shteti i parë, dhe deri tani i vetëm në Evropë, që ka pranuar të sistemojë brenda territorit të vet imigrantë të paligjshëm që administrata Trump do t’i dëbojë. Po ashtu këtë vit Kosova, në hapa konkret, e ka ndjekur vizionin e Presidentit Trump për të shfrytëzuar maksimalisht resurset e thëngjillit për të prodhuar energji elektrike, dhe, pa menduar dy herë, e ka ftuar gjigantin amerikan “General Electric” që t’i revitalizojë plotësisht termocentralet tona.
Dhe këto janë vetëm disa nga shumë gjërat që kanë ndodhur e që po ndodhin, gjithnjë në frymën e një aleance të sinqertë mes dy popujve dhe vendeve tona. Thënë këtë, nuk u ndjeva aspak mirë kur e lexova reagimin tuaj kundër Presidentes Osmani, e sidomos fjalët që i kishit zgjedhur.
Veprimet agresive të Serbisë janë kërcënim serioz për Kosovën dhe për paqen në rajon. Sa i përket kësaj çështjeje, përkundër dallimeve të brendshme, ka një pajtim të plotë në mes të të gjithë akterëve të spektrit të gjerë politik në Kosovë. Dhe, pavarësisht mohimeve nga Beogradi, rreziku nga Serbia është dhe vazhdon të jetë real.
“Ne bëmë një punë të mirë me Indinë dhe Pakistanin, gjithashtu me Serbinë dhe Kosovën, Ruandën dhe Kongon. Dhe e gjithë kjo ndodhi gjatë tre javëve të fundit a më shumë, apo jo Marco?”, këto janë fjalët e sakta të Presidentit Trump, të thëna para pak ditësh në Shtëpinë e Bardhë. Ne në Kosovë, përfshirë edhe ne qytetarëve të thjeshtë, jemi të prirë t’u besojmë deklarimeve të një Presidenti amerikan, aq më tepër të një Presidenti energjik, të kthjellët, e të qartë në artikulim e synime, çfarë është Presidenti Trump.
Nuk dua aspak të merrem me faktin që tezat tuaja janë identike me ato që disa orë më herët ka prezantuar Marko Djuric, sado që kjo gjë më shqetëson. Nuk besoj që Marko Djuric, apo cilido zyrtar serb, ka të drejtë kur pohon që nuk është fjala një zhvillim të tre javëve të fundit (diçka që si duket e dinë mirë Presidenti Trump dhe Sekretari Rubio), por qenka fjala për diçka të vjetër të para 5 viteve. Po ashtu nuk besoj që ju jeni duke implikuar që Presidenti Trump nuk është mjaftueshëm i kthjellët dhe i ngatërron gjërat, kohën dhe ngjarjet. Të mos harrojmë që po flasim për Presidentin Trump, dhe jo për Presidentin Biden!
E respektoj plotësisht raportin tuaj me miqtë që keni në Beograd si dhe me komunitetin serb në SHBA, por nuk duhet të harroni që komuniteti shqiptar në SHBA, i shtrirë në shtetet vendimtare (ato që ju i quani “sëing states”), ishte unik dhe besnik duke e përmbushur pikë për pikë premtimin e vet elektoral ndaj Presidentit Trump. Ju e dini shumë mirë rolin dhe kontributin e tyre në zgjedhjet e fundit.
Zonja Vjosa Osmani është Presidente e Republikës së Kosovës, shtetit më pro-amerikan në botë. Pavarësisht kontekstit, si udhëheqëse e një shteti aleat të dëshmuar të SHBA-së, Presidentja Osmani meriton së paku respekt dhe kortezi minimale. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të angazhimit të sinqertë të komunitetit shqiptar në SHBA, të cilët juve personalisht ju kanë pritur krahëhapur, kur publikisht u drejtoheni udhëheqësve të shtetit të Kosovës, duhet të tregoni sado pak kujdes.
Sinqerisht,
Kadri Kryeziu
ish nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.