Kryeziu: Edhe pas shkarkimit, vendimet e qeverisë karshi pandemisë mbesin në fuqi - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

26/03/2020 15:32

Kryeziu: Edhe pas shkarkimit, vendimet e qeverisë karshi pandemisë mbesin në fuqi

Lajme

Gazeta Express

26/03/2020 15:32

Ndonëse mbrëmë në orët e vona është rrëzuar qeveria Kurti, vendimet e saj për parandalimin e Covit-19, mbeten ende në fuqi

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kryeziu ka thënë se përkundër shkarkimit të Qeverisë nga ana e Kuvendit, katër vendimet mbeten ende në fuqi.

Për këtë, ai ka apeluar tek qytetarët që t’i zbatojnë këto masa, duke thënë se vendimet e qeverisë karshi pandemisë Covid-19 nuk kanë motive politike dhe si të tilla ato nuk do të ndikohen nga zhvillimet politike.

“Pavarësisht vendimit të Kuvendit për ta shkarkuar qeverinë Kurti, i cili vendim unë konsideroj se nuk ka të bëjë fare me performancën e qeverisë, e aq më pak me performancën e saj në menaxhimin e pandemisë Covid -19. Vendimet e marra nga qeveria e Kosovës, siç janë këto të fundit të cilat kufizojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe veturave private, ndalojnë tubimet në mjedise publike dhe private si dhe udhëzojnë qytetarët që mos të ecin më shumë se dy veta pranë njëri-tjetrit dhe gjatë gjithë kohës të mbajnë distancën e paparaparë, pra mbesin në fuqi plotësisht për aq kohë sa nuk ka një vendim tjetër i cili ose e shfuqizon vendimin aktual ose plotëson këtë vendim. Qytetarët e Kosovës duhet ta kenë parasysh se pavarësisht vendimeve politike, vendimet e qeverisë karshi pandemisë Covid-19 nuk kanë motive politike dhe si të tilla ato nuk duhet dhe nuk do të ndikohen nga zhvillimet politike”, ka thënë Kryeziu.

Teksa ka folur për vendimet e ndërmarra nga ana e qeverisë, Kryeziu ka thënë se masat po gjejnë zbatim nga ana e qytetarëve. Gjithashtu, ai ka thënë se qeveria së bashku me ministritë e linjës, janë duke hartuar udhëzime e njoftime të reja, të cilat qartësojnë sa më shumë dhe në përpikëri të gjitha vendimet e marra nga ana e ekzekutivit.

“Masat e vendosura së fundmi janë duke u zbatuar nga qytetarët dhe këta të fundit kanë treguar një nivel të lartë të vetëdijes duke e kuptuar më së miri se këto vendime janë në të mirë të tyre dhe përreth të tyre dhe në të mirë të shëndetit publik të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qeveria, bashkë me institucionet tjera dhe ministritë e linjës vazhdimisht janë duke hartuar udhëzime të reja e njoftime të reja, të cilat qartësojnë sa më shumë dhe në përpikëri të gjitha vendimet e marra nga qeveria në mënyrë që qytetarët mos të kenë kunfuzitet sa i përket këtyre vendime”, ka thënë ai.

Ndonëse këto vendime nuk janë të zakonta për qytetarët, Kryeziu thotë se disa prej tyre mund të kenë mungesë të mirëkuptimit, megjithatë sipas tij, për këtë janë institucionet përkatëse që po e monitorojnë zbatimin e këtyre vendime dhe të cilat do të sjellën në përputhje me situatën dhe me kornizën ligjore.