Milani duket se ka rënë më në fund në drejtor sportiv.
Igli Tare po e kryen punën e tij në mënyrë perfekte që kur iu besua kjo pozitë prestigjioze.
Ish-drejtori sportiv i Lazios po i menaxhon në mënyrë fantastike paratë duke shitur lojtarë me shuma të larta dhe ndërkohë duke afruar lojtarë me çmime të arsyeshme.
Me Taren në krye ekipi i Massimiliano Allegrit po transformohet tërësisht, shkruan “Gazeta Express”.
Dje shqiptari e shiti qendërmbrojtësin gjerman Malick Thiaw në Newcastle United për 40 milionë euro.
Një lojtar që s’ishte titullar, i cili nuk e kishte arritur zhvillimin e pritur, përkundrazi, do t’i kujtohen disa gabime amatoreske.
Gjithashtu, ish-futbollisti i njohur shqiptar e shiti paraprakisht edhe mesfushorin ofanziv holandez Tijani Reijnders në Manchester City për 70 milionë euro (përfshirë këtu bonuset) dhe me ato para e rindërtoi mesfushën e Milanit me transferimet e treshes Samuele Ricci, Ardon Jashari e Luka Modric.
Ndër të tjera, ia doli ta shiste të humburin Emerson Royal për 9 milionë euro në Flamengo pas sezonit dizastër që e pati.
Edhe shitja e Theo Hernández ishte një lëvizje e madhe, duke i fituar 30 milionë euro për mbrojtësin e majtë francez, i cili po hynte në vitin e fundit të kontratës dhe kishte rënie të formës.
Tare arriti ta transferonte Marco Pellegrinon në Boca Junior për 3,5 milionë euro pasi mbrojtësi argjentinas ishte dërguar në formë huazimi tri herë në dy vjetët e fundit.
Dhe, nëse do ta shesë mesfushorin amerikan Yunus Musah, një rezervist tek Milani për 30 milionë euro (e do Nottingham Forest), do ta bënte një tjetër kryevepër.
Kishte pak dyshime në këtë aspekt, por më në fund Milani e ka një drejtor sportiv të vërtetë.
Një drejtues që e njeh futbollin si pak të tjerë. Komplimente Igli Tare… /Gazeta Express