Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka folur për procesin e gjykimit në Hagë. Ajo ka përmendur edhe protestën e veteranëve të UÇK-së, të cilët kundërshtuan konferencën e saj. Sipas Trendafiloves protesta dëshmoi se Bashkimi Evropian pati të drejtë që gjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të mbaheshin jashtë Kosovës.
Më 13 maj kishte planifikuar të fliste për zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë, në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Por, protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia ndërroi planet. Për këto, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova ka folur në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës.
E para e Speciales, arsyetoi mos mbajtjen e konferencës në Prishtinë, për çka tha se nuk mund të toleronte dhunën.
“Konferenca për media u anulua me rekomandim të Policisë së Kosovës. Pavarësisht përkushtimit tim të sinqertë për t’u takuar me gazetarët personalisht, unë nuk mund ta bëj këtë në qoftë se rrezikohet siguria e dikujt. Unë nuk toleroj dhunën gjatë një konference për media që ka për qëllim të informojë popullin e Kosovës në mënyrë të hapur për ne. Kjo armiqësi, e cila kishte për qëllim të pengonte një takim dhe diskutim paqësor dhe transparent, shpjegon dhe përligj më tej arsyen pse Kosova dhe BE-ja bënë marrëveshje që këto gjykime të kryheshin jashtë Kosovës. Është për të ardhur keq kur shihet mungesë respekti ndaj sundimit të ligjit”, tha Trendafilova.
Ajo ka komentuar edhe kritikat për procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve, për çka ka thënë se nuk qëndrojnë akuzat për padrejtësi.
“Procesin do ta përshkruaja si të sigurt për dëshmitarët, megjithëse ka pasur tentime për të ndikuar tek dëshmitarët ose për t’i frikësuar ata. Unë konsideroj se Gjykata po administron drejtësi në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur. Sa u përket kritikave në mediat e Kosovës që i përmendët, unë i kam vërejtur dhe i kam marrë shumë seriozisht ato komente kritike. Për shembull, është deklaruar në mënyrë të rreme se një person nuk mund të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit për më gjatë se një vit”. tha Trendafilova.
Kryetarja e Dhomave foli edhe për kërkesën e të akuzuarve për lirim të përkohshëm, e cila iu refuzua pavarësisht përfundimit të dëshmitarëve të Prokurorisë.
“Gjykatësit janë plotësisht të pavarur në vendimet e tyre dhe askush nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e tyre. Ju po u referoheni vendimeve të mëparshme në lidhje me kërkesa për lirim të përkohshëm, për të cilat gjykatësit e një trupi gjykues morën vendime në bazë të vlerësimit nëse ekzistonte rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave të tjera penale. Deri më sot, që të tre gjykatësit kanë arritur në përfundimin se lirimi nuk duhej miratuar, bazuar në vlerësimin e këtyre rreziqeve”, tha Trendafilova.
E pyetur për hetimin e katërshes në Hagë, Trëndafilova tha se ata po gjykohen si individë, e jo si organizatë.
“Dhomat e Specializuara merren vetëm me hetimin dhe ndjekjen penale të personave në lidhje me pretendime për veprime të paligjshme të tyre, domethënë përgjegjësinë penale individuale të tyre. Pra, Dhomat e Specializuara vënë para përgjegjësisë vetëm individë, jo organizata. Kjo do të thotë se, në qoftë se në sallë të gjyqit përmenden si individë anëtarë të UÇK-së që pretendohet se kanë kryer vepra penale, kjo ka të bëjë vetëm me personat si individë dhe jo me të gjithë organizatën”, tha Trendafilova.
Sa i përket asaj se kur pritet që ky gjykim të përfundoj me një vendim të shkallës së parë, Trëndafilova nuk dha një afat të caktuar.
“Sa i takon pyetjes suaj për përfundimin e gjykimit, është ende herët të parashikohet se kur do të shqiptohet aktgjykimi në këtë çështje gjyqësore. Ekipet e mbrojtjes kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për hedhjen poshtë të akuzave dhe na duhet të presim për të parë se çfarë do të vendosë trupi gjykues për kërkesën e tyre. Në vijim, në varësi të rezultatit të kërkesës, në qoftë se akuzat nuk hidhen poshtë, pritet që mbrojtësi i viktimave të paraqesë provat dhe argumentet e tij, që do të zgjasin afërsisht një javë”, tha ajo.
Më 2 qershor ishte paraparë që mbrojtja të dorëzoi mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës, por ky afat u shty për shkak të pranimit të disa provave të reja të Prokurorisë nga trupi gjykues.
aaaaa