Presidenti i klubit të Ulpianës, Jeton Gashi, ka folur ekskluzivisht sonte në emisionin “Favorit” pas vendimit për përjashtimin e këtij klubi nga Liga e Parë, si shkak i kurdisjes së ndeshjes me Vllazninë e Pozheranit – e konfirmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Gashi ka mohuar kategorikisht se ndeshja ka qenë e kurdisur, teksa ka hedhur akuza të rënda ndaj FFK-së, por edhe klubit tjetër nga Liga e Parë, Flamurtarit, e trajnerit të kësaj skuadre, Liridon Lecin, shkruan Gazeta Express.
“Të them të drejtën shikova lojën deri në minutën e 60-të, sepse kisha një rast në shtëpi. Isha bashkë me Agim Osmanin, më tha ‘a do me fitu’… Kur po kthehna pas ndeshjes, s’po reagon kërkush. Trajneri më tregoi se ka zbritur ‘ai për kurdisjen e ndeshjeve’, Gazi, dhe u ka thënë ‘ju patjetër duhet me fitu’. I ka thënë trajnerit tonë. Nuk e di pse ka ardhë, nuk po kuptoj, nuk e di as për kë ka ardhur aty. Ky e ka pasë një ‘zor’ të madh prej dikujt. Ne luajtëm me Flamurtarin, Liridon Leci më është lutur për t’ia lëshuar ndeshjen, por nuk ia kam lëshuar dhe e kemi mposhtur. Pastaj erdhi loja me Vllazninë, nëse shikoni ndeshjet direkte, ne kemi humbje më shumë ndaj tyre, më shumë se ndaj çdo ekipi tjetër… Kur po e konfirmojnë se loja ka qenë e kurdisur, e pashë në ‘Facebook’. Nuk dija çfarë të bëja, e telefonova Agimin, e pyeta se çka po ndodh, më tha se qysh është rregullorja edhe kemi vepru. Është për t’u çuditur se si për dy ditë u mor ky vendim”, tha fillimisht ai në “Favorit”.
“Ishte e qëllimshme nga Flamurtari, ne kemi ra viktimë e tyre. Gjysma e Federatës është e Flamurtarit. Krejt ata të tyre punojnë në Federatë. Pastaj e kishim derbin me Ferizajn, lojën tjetër, ne po ta mposhtnim edhe Ferizajn, Prishtina e Re hynte në Superligë, ka qenë lojë me peshë. Federata po përkrah skuadra. Federata e vendos se kush bëhet kampion e kush bie nga liga. Kam pasë respekt për Federatën dhe presidentin. Por, me më largu nga liga pa asnjë fakt… Unë nuk mund të garantoj për askënd. Do të kërkojmë mesazhet që janë përmendur. Do t’i krahasojmë edhe pamjet me disa ndeshje tjera këtu. Kam biseduar me lojtarët e mi, ata ishin të habitur. Gentian Emini ishte prej më të mirëve në lojë, edhe portieri. Në asnjë gol portieri nuk kishte faj. Janë kapur te mesazhet dhe te loja. Delegati i lojës nuk ka asnjë vërejtje. Nuk kam biseduar me Agim Ademin pas kësaj. Delegati pastaj ka shtuar, nuk i kishte cekur këto gjatë lojës. Po shihet ashiqare që e kanë vendosë me na largu prej ligës me të gjitha mënyrët. Për dy ditë na larguan prej lige. Më vije keq prej qytetit tonë. Unë dy vite jam shkatërruar nga referët, por nuk reagoi as Federata, e askush. Kisha edhe fakte. Shpresoj që këtë gabim që e ka bërë Komisioni i Garave ta përmirësoj. Loja nuk ka qenë e rregulluar. Do ta bëjmë ankesën, do t’i shkojmë deri në fund”, shtoi i pari i klubit të Ulpianës.
Jeton Gashi gjithashtu tha se deri më tani nuk është intervistuar nga autoritet e shtetit lidhur me këtë rast. /Gazeta Express/