Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka propozuar një̈ zgjidhje për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë.
Mëngjesi i së hënës Bashkim Ramosajn e gjeti në rrugën Deçan-Plavë.
Kryetari i Deçanit nga këtu paralajmëroi rinisjen e punimeve në këtë rrugë.
Ai pos kësaj thumboi kryeministrin Avdullah Hoti, duke thënë se kur pezullohen punimet duhet ardhur me zgjidhjet e duhura më pas.
E ky nuk ishte veprimi vetëm i Bashkim Ramosajt gjatë kësaj të hëne.
Ai u ka nisur një letër të hapur krerëve të shtetit, ku ka propozuar zgjidhjen për këtë problem të krijuar.
Por, për fillim në këtë letër ai ka listuar fatkeqësitë që sipas tij i janë shkaktuar komunës që ai udhëheq.
Pos kësaj Ramosaj, në listën e dëmeve që i janë bërë Deçanit ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku Manastirit të Deçanit i jepen 24 hektar tokë të ndërmarrjeve Apiko dhe Iliria.
Ramosaj, tutje ka listuar edhe 15 kërkesa, ku sipas tij do iu bëhej zgjidhja e këtyre problemeve, si dhe do lehtësohej kërkesa e qytetarëve të Deçanit.
Ndërkohë, gjatë ditës zyra e kryeministri Avdullah Hoti, nuk ka bërë ndonjë reagim.
Por, një ditë më parë ata kanë lëshuar një komunikatë për media ku njoftohej se kanë kërkuar pezullimin e punimeve në këtë rrugë.
Sipas Hotit, një pjesë e kësaj rruge prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Por, sipas kësaj komunikate shefi i qeverisë vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi.