Për herë të parë në Kosovë, gjiganti botëror Google dhe qyteti i Miamit bashkohen për të sjellë në vendin tonë Expand to US + AI Conference 2025 – një forum ndërkombëtar mbi teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, do të jetë një nga folësit kryesorë të konferencës. Ai e vlerësoi këtë si një mundësi historike për qytetin:
“Prizreni po hyn fuqishëm në epokën e re të teknologjisë dhe inovacionit. Ky forum është një mundësi e jashtëzakonshme për ta lidhur qytetin tonë me qendrat globale të zhvillimit digjital.”
Totaj theksoi se ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë:
“Kjo ngjarje do të sjellë investime, do të hapë dyer për bizneset dhe do të krijojë mundësi për të rinjtë tanë. Është dëshmi e vizionit tonë për Prizrenin Modern – një qytet që përqafon teknologjinë dhe zhvillon ekonomi kreative”.
Konferenca pritet ta vendosë Prizrenin dhe Kosovën në fokusin e hartës ndërkombëtare të inovacionit dhe inteligjencës artificiale.