Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës tha se rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare “mund të jetë një reagim afatshkurtër”.
Ai shkroi në Facebook se rihapja e Ngushticës së Hormuzit – e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit – sollu “pak qetësi në tregjet e naftës”.
“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër”, shkroi Berjani në një postim në Facebook.
Nëse situata mbetet e qetë, ai tha se “çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht”.
“Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, shkroi ai.
Mediat më të mëdha ndërkombëtare raportuan për rënie të ndjeshme të çmimeve të naftës menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani arritën një marrëveshje armëpushimi në momentet e fundit, duke shmangur përkohësisht skenarin më të keq që presidenti amerikan Donald Trump ta zbatonte premtimin e tij për ta shkatërruar Iranin.
Marrëveshja për armëpushim erdhi 90 minuta para një afati të vendosur nga Trump që Irani t’i pranonte kërkesat e tij ose të rrezikonte shkatërrim të gjerë, gjë që mund të kishte shkaktuar ndërprerje edhe më të mëdha në furnizimet nga Lindja e Mesme.
Uljet e menjëhershme të tensioneve qetësuan shpejt paqëndrueshmërinë që i ka trazuar tregjet financiare që nga fillimi i luftimeve muajin e kaluar.
Ndërkohë janë vërejtur edhe lëvizje në Ngushticën e Hormuzit, rruga e ngushtë ujore, jetike tregtare për naftën dhe gazin natyror përmes së cilës zakonisht transportohen deri një e pesta e furnizimit botëror me naftë.