Kryetari i LDK’së: Po bëjmë sakrificë për vendin, Gjykata s’ia mbajti askujt anën - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

30/05/2020 13:34

Kryetari i LDK’së: Po bëjmë sakrificë për vendin, Gjykata s’ia mbajti askujt anën

Lajme

Gazeta Express

30/05/2020 13:34

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se po e bëjnë edhe një sakrificë për Kosovën duke marrë përgjegjësi për të udhëhequr me Qeverinë në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë, me rënien ekonomike. Ka thënë se tash Kosova ndodhet në situatë të keqe edhe sa i përket bashkëpunimit me SHBA’në dhe BE’në shkaku i Qeverisë së shkarkuar.

“Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të Pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për Qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike”, ka shkruar Mustafa, në një reagim në FB.

Ai ka thënë se fokus i Qeverisë së re do të jetë edhe marrëveshja me Serbinë, liberalizimi i vizave e anëtarësimi në BE dhe OKB.

“Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE. Këto synime legjitime nuk duhet të jenë vetëm partiake, por të të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës”, ka shtuar ai.

Reagimi i Isa Mustafës
Të nderuar qytetarë

Po e presim Aktgjykimin e kompletuar të Gjykatës Kushtetuese, për ta aktivizuar kërkesën e deputetëve të koalicionit, në krye me LDK-në, për thirrjen e Seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re. Jo se nuk e kemi të qartë Aktgjykimin, por se jemi të interesuar të respektojmë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha procedurat demokratike.

Që nga mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë, LDK është deklaruar e gatshme ta krijojë një shumicë parlamentare për një qeveri të re, me kusht që të shterren të gjitha procedurat kushtetuese. Si parti e dytë, me një deputet më pak se VV, ia kemi propozuar për dekretim Presidentit të vendit kandidatin tonë, z. Hoti, të bindur se e gjithë procedura ka qenë kushtetuese dhe se zgjedhja e një qeverie të re është në interes të vendit.

Jam lumtur që Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim të argumentuar mbi frymën dhe shkronjat e Kushtetutës tonë por edhe të zgjidhjeve komparative kushtetuese nga vendet e tjera, konfirmoi kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit, rrjedhimisht se veprimi i LDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së dhe subjekteve joshumicë parlamentare ishte në harmoni me hapësirën që ofron Kushtetuta. Pra, me hapësirën demokrtike të një vendi me demokraci parlamentare.

Jam i bidur se me këtë përgjegjësi, LDK dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve të tij partiake, fetare apo përkatësisë etnike.

Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të Pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për Qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike.

Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik.

Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE. Këto synime legjitime nuk duhet të jenë vetëm partiake, por të të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës.

Kjo më shtyn të besoj se qeveria e ardhshme duhet të përkrahet gjerësisht dhe se kësaj qeverie duhet ti kërkohet në mënyrë të vazhdueshe përgjegjësi. Kjo duhet të jetë qeveri që kryen punë konkrete, që u ik veprimeve e kauzave populliste. Qeveri që nuk shpall dhe nuk krijon armiq, por që ndërton ura të brendshme dhe të jashtme bashkëpunimi. IM