Kryetari i kryeqytetit të Panamasë, Panama City, Jose Luis Fabrega, ka kërkuar falje të shtunën pasi u kap nga policia dhe u ndëshkua për shkeljen e rregullave të karantinës.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Fabrega tha: “Do të jem i qartë, jam i pari që kërkoj respektim të rregullave për ta pakësuar përhapjen e Covid-19. Për shkak që dola jashtë, u gjobita dhe e pagova gjobën në mënyrë të përgjegjshme.”
Kryetari i këtij qyteti tha se u ndalua nga një gjykatës dhe policia para shtëpisë së tij afër plazhit, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
“Kërkoj falje për këtë situatë dhe zotohem si dhe i ftoj të gjithë që prerazi t’i respektojnë masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet më tej në deklaratë.
Panamaja është shteti që ka më së shumti raste të koronavirusit në Amerikën Qendrore pasi deri më tani i ka regjistruar 66,383 të infektuar. Më shumë se gjysma e këtyre rasteve janë regjistruar vetëm në kryeqytet.