Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një takim të veçantë me Leon Avdullahun në qytetin zviceran të Bazelit.
Në një atmosferë miqësore, Ademi e ka përgëzuar futbollistin e ri për sukseset e tij të fundit – fitimin e titullit me FC Basel dhe transferimin në Bundesliga te TSG Hoffenheim, një hap i madh në karrierën e tij.
“Një kafe në Bazel me yllin e futbollit, Leon Avdullahu. E urova për titullin e fituar me FC Basel dhe transferimin në TSG Hoffenheim”, ka thënë Ademi.
Leon Avdullahu, që aktualisht përfaqëson Zvicrën në nivelet kombëtare, është në qendër të vëmendjes për mundësinë e kalimit të tij në përfaqësimin e Kosovës në të ardhmen, diçka që mbetet një çështje e hapur dhe që po ndiqet me interes nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ky takim tregon interesimin e madh që Kosova ka për ta përfshirë në skuadrën e saj një talent që po shkëlqen në futbollin evropian dhe këtë vit siguroi kalimin në Bundesliga./GazetaExpress/