Një gjykatë në Stamboll ka dënuar kryetarin e Stambollit dhe kundërshtarin kryesor të presidentit turk Recept Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu, me një tjetër dënim me burg.
Sipas TRT, Imamoglu i cili ndodhet në burg aktualisht edhe është në pritje të gjykimit që nga marsi për akuza për korrupsion, është dënuar sërish me një vit e tetë muaj burg për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit të Stambollit. Megjithatë, dihet se ky dënim duhet të konfirmohet nga dy gjykata apelimi përpara se të hyjë në fuqi.
Ky rast, shënon të dytën herë që Imamoglu dënohet për fyerje ndaj zyrtarëve publikë. Në vitin 2022, ai u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg për kritika ndaj zyrtarëve të komisionit zgjedhor lidhur me vendimin për të anuluar zgjedhjet lokale të vitit 2019 në Stamboll, në të cilat ai kishte mposhtur kandidatin e partisë në pushtet, AKP.
Megjithatë, sipas mediave turke, kryetari Imamoglu i mohon akuzat, duke thënë: “Kam luftuar kundër keqpërdorimit të sistemit gjyqësor dhe përdorimit të tij si mjet politik. Kjo në fakt është një fyerje ndaj kombit tonë.”
Dihet se nëse konfirmohet dënimi i vitit 2022, Imamoglu mund të pengohet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Veç kësaj, në muajin mars Universiteti i Stambollit ia ka anuluar edhe diplomën universitare, pa të cilën ai nuk mund të kandidojë për president.
Sipas të dhënave, që nga tetori i vitit të kaluar, policia ka ndaluar mbi 500 persona, më shumë se 200 prej të cilëve janë burgosur në pritje të gjykimit, si pjesë e hetimeve ndaj komunave të drejtuara nga partia kryesore opozitare CHP, partia e Imamoglut.
CHP vazhdimisht i ka mohuar akuzat për korrupsion dhe i cilëson ato si përpjekje politike të qeverisë për të eliminuar kërcënimet elektorale ndaj Erdoganit — një akuzë që qeveria e hedh poshtë.