Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, pati kënaqësinë të presë në takim Klubin Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit”, një nga storiet më të suksesshme të sportit ajror në vend, të cilët po na bëjnë krenarë edhe në arenën botërore.
Pas një viti të mbushur me arritje në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, si: Ballkaniada 2025, Shkodra Open 2025, Festari–Suhareka Open 2025 dhe shumë të tjera, ky klub po e përfaqëson Kosovën me dinjitet dhe sukses.
Kryetari Gashi theksoi se: “Jam krenar që 4 nga 7 pilotët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Botëror – Alanya 2025, vijnë nga Klubi Aeronautik ‘Shqiponjat e Kastriotit’.”
Një lajm i veçantë është edhe pjesëmarrja e Lejla Boshnjak, e cila do të jetë e vetmja gjyqtare nga Kosova në garën botërore “13th FAI CIVL World Paragliding Accuracy Championship – Alanya, Turqi”, duke përfaqësuar klubin dhe shtetin tonë me dinjitet.
Gjatë takimit, Kryetari Gashi u uroi suksese të reja, duke shprehur mirënjohje për punën, disiplinën dhe pasionin e tyre në sportin e paraglidingut.