string(39) "kryetar-pa-qytet-rimendimi-i-prishtines"

OP/ED

Gazeta Express

30/05/2025 15:33

Kryetar pa qytet – rimendimi i Prishtinës

OP/ED

Gazeta Express

30/05/2025 15:33

Shkruan: Baton Haxhiu

Qyteti nuk ka nevojë për një tjetër mandat. Ka nevojë për një tjetër fillim. Ky është një qytet që nuk ka më nevojë për zgjedhje. Ka nevojë për zgjuarje. Jo një tjetër mandat, por një tjetër mënyrë për të jetuar radikalisht ndryshe

Kultura e murit. Lagje pa zemër. Rrugë pa këmbësorë. Shtëpi të bukura të fshehura pas shemtisë publike. Trotuare të pushtuara. Fëmijë pa hapësirë. Gratë të mbyllura pas betonit. Rrugica pa emër. Kujtesë e djegur. Qytet që nuk flet. Qytet që nuk ndjen.

Këto nuk janë metafora. Janë diagnoza. Dhe Prishtina është pacienti.

Dhe ndoshta gjithçka që duhet të dimë për Prishtinën, e kuptojmë nga hoteli që e dominon qendrën: Grandi. Një gërmadhë 25-vjeçare, që s’është më as simbol, as turp, por thjesht një normalitet i shëmtuar që askush nuk e pyet më. Kryeqyteti i Kosovës ka një çerek shekulli pa hotel me pesë yje të vërteta. Ka hotele të vogla, të fshehura nëpër rrugë anësore, që duken si bujtina pa shpirt, pa shije dhe pa të nesërme. Janë për të fjetur, jo për të qëndruar. Për të ikur, jo për të mbetur.

Në këtë qytet, edhe mikpritja është kthyer në një procedurë. Nuk ka asnjë brand ndërkombëtar hotelesh. Nuk na do askush në këtë shembje. Sepse në shëmti nuk mund të investosh. Në kaos nuk mund të qëndrosh. Në qytet pa shije nuk mund të ndërtosh përjetim. Mjafton të shikosh Grandin. Dhe e kupton se as qyteti vetë nuk e di nëse po jeton apo po pret të ndreqet.

Ka qytete që janë të varfra, por të pastra. Ka qytete që janë të vogla, por me krenari të madhe. Ka qytete që nuk kanë shumë, por i duan atë pak që kanë. Dhe pastaj është Prishtina.

Prishtina është qyteti që pas 25 vjetësh nuk ka ndërtuar një identitet, as një vizion, as një ndjesi për vetveten. Ka ndërtuar vetëm ndërtesa. Dhe shumë berllog.

Kam qenë në Kigali – kryeqyteti i Ruandës. Vend i dhunës dhe gjenocidit më të tmerrshëm që ka përjetuar Afrika në shekullin e kaluar. Kam shkuar me paragjykim. Por dola prej andej me turp. Nuk kam parë qytet më të pastër. Më të gjelbër. Më të qetë. Më të kujdesshëm. Jo sepse kanë më shumë para. Por sepse kanë më shumë ndjenjë për vendin e tyre. Qyteti i tyre është pasqyrë e brendshme e shpirtit të tyre. Dhe “sundohej” nga gratë që burrat i kishin humbur në luftë.

Ku jemi ne në Prishtinë?

Në Prishtinë, shtëpitë janë të pastra dhe ballkonet janë me lule, por rrugicat poshtë tyre janë me qese, shishe, mbeturina, pluhur dhe fyerje vizuale. Banorët kanë larë shkallët e hyrjes por kanë hedhur berllokun përtej trotuarit. Sepse këtu është edukuar ideja se “publikja nuk është e imja”. Është si ajo anija që mbytet ngadalë sepse secili mendon se vrima nuk është nën këmbët e tij.

Qyteti është bërë një skenë e përçudnuar. Në emër të sigurisë, shtëpitë në Veternik, te Muhaxhirët, në Vranjevci apo Tophane janë rrethuar me mure të larta, të ftohta, të lejuara nga arkitektët pa guxim. Nuk janë mure jeshile. Nuk janë gardhe të buta me jetë. Janë fortesa për të mbrojtur frikën, për të fshehur gratë, për të mos parë të tjerët. Kush do mure, duhet të paguajë shumë taksa për shëmtinë.

Dhe kur muret zënë pamjen, edhe qyteti vetë humb ndjeshmërinë.

Ka ende rrugë që s’kanë emra. Rrugica për të kaluar, jo për të qëndruar. Shkolla të mbyllura pas orës zyrtare. Një sallë e djegur sporti që nga viti 2000 ka mbetur gërmadhë me funksion parkimi për ardhacakët. Kujtesa është e shuar. Trashëgimia është harresë.

Prandaj, rimendimi i Prishtinës nuk është më luks. Është urgjencë. Qyteti duhet të ndalojë rritjen dhe të fillojë të riparohet. Jo më ndërtime. Jo më leje. Jo më zgjerime. Por një kthim mbrapa, për të parë çfarë kemi humbur dhe çfarë nuk guxojmë të harrojmë.

Lagjet duhet të kenë zemër. Hapësirat duhet të kenë përkujdesje. Pemët duhet të kenë hije. Fëmijët duhet të kenë rrugë pa makina. Gratë duhet të kenë qytet. Trotuaret duhet të jenë për këmbët, jo për parkimin. Qyteti duhet të jetë për të jetuar, jo për të kaluar.

Dhe për këtë, duhet dikush që e do qytetin më shumë se veten në pasqyrë. Që nuk bën urbanizëm për show. Që nuk e sheh qytetin si pushtet, por si kujdes.

Prishtina ka nevojë për një çmenduri të shijes si ajo që solli dikur Edi Rama në Tiranë. Ose për një grua që e sheh qytetin si trupin e vet. Jo për t’u dukur, por për të ndier. Sepse qyteti nuk ndërtohet nga fushatat. Ndërtohet nga ndjeshmëria.

Por përtej gjithë këtyre mungesave, Prishtina ka edhe një fatkeqësi tjetër: politika që e shkatërron qëllimisht.

Kur komuna dhe qeveria janë nga parti të ndryshme, qyteti kthehet në fushëbetejë. Jo për ide. Por për sabotim. Shteti i jep leje ndërtimi atje ku nuk duhet, por ndalon zhvillimin atje ku është nevoja. Në emër të disa “ligjeve për historinë e qytetit” që askush nuk i ka parë, as miratuar, as zbatuar. Janë thjesht armë për ta bllokuar tjetrin. Jo për ta ndërtuar qytetin.

Ky është qyteti ku urrejtja për kundërshtarin është më e madhe se dashuria për qytetin.

Prishtina nuk vuan vetëm nga mungesa e kulturës urbane. Por nga një projekt i heshtur për ta mbajtur të pazhvilluar. Dhe kjo është më shumë se tragjike. Është kriminale.

Në këtë betejë, qytetari është vetëm figurant. Ai voton për vizion, por mbetet peng i një lufte mes partive. Prandaj Prishtina është qytet i ndaluar. I braktisur. I shëmtuar. I pazhvilluar. Dhe, për fat të keq, i pashpresë – nëse nuk ndodh një kthesë kulturore.

Ndaj, për ta bërë qytetin të ndjejë përsëri, duhet më shumë se ndjeshmëri. Duhet çlirimi i qytetit nga politika e vogël. Duhet që qyteti të mos jetë më peng i partive, por tempull i qytetarisë.

Vetëm atëherë Prishtina do të mund të bëhet. Dhe të ndjejë. Dhe të jetë për të gjithë.

Ky është vazhdimi i dytë i shkrimit të titulluar “Prishtina që mbeti pa dorë, pa shije, pa kujdes“, si një diagnozë e qytetit i cili humbi çdo mundësi për ta ridimensionuar veten.