Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në një takim përfaqësues të KFOR-it zviceran (LMT).
Në fillim të takimit, kryeprokurori Kryeziu shprehu falenderimet për përfaqësuesit e KFOR-it zviceran, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit, gjatë përmbushjes së detyrave të tyre në rajon.
Gjithashtu, Kryeziu i njoftoi përfaqësuesit e KFOR-it lidhur me sfidat dhe prioritetet e institucionit, si dhe me objektivat e ardhshme në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese.
“Gjatë bisedës, u diskutua edhe për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Prizrenit, përfshirë zhvillimet e fundit që kanë ndikim në rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kontekst, u trajtuan edhe rastet e fundit që ndërlidhen me manipulimin e rezultateve zgjedhore, sfidat që paraqesin këto raste për institucionet e drejtësisë, si dhe rëndësia e hetimit dhe trajtimit të tyre në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të proceseve demokratike”, thuhet në njoftim.
“Gjatë takimit, po ashtu u diskutua për çështje të përgjithshme që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe kapaciteteve institucionale në funksion të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prizren, me qëllim të arritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe sigurimit të paqes, si dhe për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit në rajon.